Tortura
(Pianistes L.T)
Për herë të parë pianisten e njohur e takova kur ajo po tretej në krevatin e bardhë. I putha gishtat. Ajo qau. Nuk fliste dot. Motrat sapo i kishin krehur flokët e mbetur dy fije. Një dollap i vjetër me një pasqyrë të lodhur përballë. Atje shihte veten orë e minutë se si zhbëhej. Sipër pasqyrës, në një fotografi rinie, profili i saj me flokët pyll i zi, që ia harliste era në breg të detit.
Loti në cep të syrit nuk kish forcë të këputej faqes së vyshkur. Ilaçet nuk i bënë gjë, s’ia shëruan plagët… e asaj torture me pasqyrën dhe foton e vjetër kur kish qenë vajzë e bukur…!
Postieri
Vjehrrit po vinte minuta t’i mbyllej kapaku i arkëmortit. Vjehrra, motrat e saj dhe kushërirat përreth ia kishin kërcitur muhabetit për shtatë palë qejfe. Befas, një grua elegante, veshur e tëra me të zeza, shumë më e re se vjehrra, hyn në derë dhe shkon drejt e te xhenazja. E puth në ballin akull dhe i fut një zarf në xhepin e sipërm të xhaketës. Iku si hyri, e pafjalë me asnjërën prej grave që shtangën.
“Dashnorja!”, klithi vjehrra. “E nxori më në fund kokën.”.
“Qokë idiote!”, thanë kunatat.
E hapën letrën. Ajo i shkruante me mall burrit të saj të vdekur:
“I dashur burrë, ta dish sa më mungon ti me pensionin tënd! Fatura e dritave erdhi dyfish më shumë, se atë natë i lamë të gjitha dritat ndezur! Edhe doktori që të vizitoi në fund kërkon shpërblimin që i premtuam! Nuk di s’i t’ia bëj. Letërprurësi është njeri i besuar!”.
Vjehrra fshiu lotët!







Be First to Comment