Press "Enter" to skip to content

Mësimi i artit të dashurisë

Një ditë, atin e Rumit e ndaluan në portat e Bagdadit:
– Nga vjen ti, ku shkon? – i thanë rojet.
– Unë vij nga Zoti dhe shkoj te Zoti,
vij nga askund dhe shkoj asgjëkundi!”
Dhe hapat e tij kapërcyen portën e madhe,
harqet e luftës dhe të dashurisë.
Ishte ashiku i verës dhe i poezisë,
ati i mësoi Rumit artin e dashurisë,
sepse nuk mund t’i besosh qiellit dhe fjalës së Shenjtë,
nuk mund t’i besosh yllit të mëngjesit,
eklipsit dhe fshehtësisë,
pa u dehur me frutin dhe lëngun e dashurisë,
trupat njerëzorë janë kërleshur që me krijimin e botës…
Dhe kështu, poeti shkoi e humbi
në kopshtin e frutave të së dashurës së tij,
dehur nga lëngu e nektari,
duke hyrë në portën e dëshirës dhe të ngjizmës,
fluturat kraharta vallzonin në errësirën e natës,
ngjyer në argjend
dhe Rumi nisi të vallzonte nën ekon e muzikës “ney”,
rrotullohej i vetmuar nën kupolën qiellore
dhe fluturat i vinin rrotull,
dehej dhe përgjërohej poeti,
me krahët hapur dhe tunikun e bardhë gjer në ag,
ah, ti flutura e argjendë…
Nga oazi në oaz
ashikët e stepës dhe pluhurit
pëshpërisin gjithnjë fjalët e Rumit:
ne vijmë nga askund dhe shkojmë asgjëkundi,
pasi dashurinë e kemi në sy.
Rumi ka kohë që fle
dhe unë dua të fle tani krah tij,
në të zezën mistike dhe magjike të kësaj nate,
ku Vijon, Rembo e Apoliner flenë gjithashtu,
nën dheun e ngrohtë e të murrmë…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *