Nuk kishte në fshat një punë më keq e krijuar dhe më keq e paguar se ajo e portierit të bordelit. Por, çfarë gjëje tjetër mund të bënte ai njeri?
Ai kurrë nuk kishte mësuar të lexonte dhe as të shkruante, nuk kishte asnjë aktivitet tjetër e as punë. Në realitet, ishte vendi i tij sepse babai i tij kishte qenë portier i këtij bordeli dhe po ashtu me parë babi i babait të tij. Gjatë dekadave, bordeli kalonte nga etër në bijë dhe puna e portierit kalonte nga etër në bijë.
Një ditë, plaku pronar vdiq dhe bordelin e mori përsipër një djalë i ri me ëndrra, krijues dhe i shkathët. I riu vendosi ta modernizojë biznesin. Modifikoi dhomat dhe më pas la takim me personelin për t’iu dhënë udhëzime të reja. Portierit i tha:
– Duke filluar nga sot ju, përveç se që do të rrini tek porta, do të më përgatisni një llogari javore. Në të ju do të shënoni sasinë e çifteve që hyjnë çdo ditë. Një në çdo pesë çifte, do ta pyesni se si i kanë pritur dhe se çfarë do të korrigjonin në këtë vend. Dhe një herë në javë, do të ma paraqisni këtë llogari me komentet që ju i mendoni të arsyeshme.
Burri u drodh, kurrë nuk i kishte munguar dëshira për në punë por …..
– Do të më pëlqente që t’ju kënaqja zotëri – belbëzoi – por unë … unë nuk di as të shkruaj dhe as të lexoj.
– Ah! Sa keq më vjen! Siç dhe ju vetë e kuptoni, unë nuk mund të paguaj një person tjetër për të bërë këtë por, as nuk mund të pres derisa ju të mësoni të shkruani, kështu që…
– Por zotëri, ju nuk mund të më pushoni nga puna, unë kam punuar këtu gjithë jetën time, po kështu babai im edhe gjyshi…
Nuk e la të mbaronte.
– Shiko, unë të kuptoj por, nuk mund të bëj asgjë për ju. Logjikisht do t’ju japim një kompensim, kjo është, një sasi parash që t’i keni derisa të gjeni diçka tjetër. Kështu që, më vjen keq. Paçi fat.
Dhe pa asnjë fjalë më shumë u kthye dhe iku.
Burri ndjeu botën të përmbysej. Kurrë nuk kishte menduar që mund të gjendej në këtë situatë. Mbërriti në shtëpi për herë të parë si i papunë. Ç’të bënte?
Kujtoi që nganjëherë në bordel, kur prishej ndonjë shtrat apo i shkatërrohej një këmbë dollapit, ai, me një çekan dhe gozhdë e rregullonte përkohësisht. Mendoi se kjo mund të ishte një punë e përkohshme derisa dikush t’i ofronte një punë tjetër. Kërkoi nëpër shtëpi të gjitha veglat që i nevojiteshin, kishte vetëm disa gozhdë të ndryshkura dhe një pincë buzëngrënë.
Duhet të blinte një kuti me një komplet veglash. Për këtë do të përdorte një pjesë të parave që mori.
Tek kthesa e shtëpisë u kujtua që në fshatin e tij nuk kishte një dyqan për vegla dhe i duhej që të udhëtonte dy ditë për të shkuar në fshatin më të afërt për të blerë veglat që i duheshin.
– E ç’problem ka? – mendoi dhe u nis në rrugëtim.
Kur u kthye kishte një kuti të bukur dhe të plotë me vegla. Nuk kishte hequr akoma këpucët kur i trokitën në portë. Ishte fqinji i tij.
– Erdha t’ju pyes nëse keni një çekan për të ma huazuar.
– Epo, po, sapo e kam blerë por, më duhet për të punuar… sepse kam ngelur pa punë…
– Mirë por, unë do t’jua kthej nesër në mëngjes herët.
– Mirë.
Mëngjesin tjetër fqinji, siç i kishte premtuar, trokiti në portë.
– Shiko, mua akoma më duhet çekani. Përse nuk ma shisni?
– Jo, më duhet për të punuar dhe, për më tepër, dyqani është dy ditë larg me mushkë.
– Bëjmë një marrëveshje – i tha fqinji. – Unë do t’ju paguaj juve dy ditët e shkuarjes dhe dy ditët e kthimit, plus çmimin e çekanit, ju jeni që jeni pa punë. Si ju duket?
Në fakt kjo i jepte punë për katër ditë. Pranoi. U kthye dhe i hipi mushkës.
Në kthim, fqinji tjetër e priste tek porta e shtëpisë.
– Përshëndetje fqinj. Ju i shitët një çekan mikut tonë?
– Po…
– Unë kam nevojë për disa vegla, jam gati t’ju paguaj katër ditët tuaja të udhëtimit dhe nga një fitim të vogël për çdo vegël. Ju e dini që jo të gjithë kemi mundësi të kemi katër ditë në dispozicion që të blejmë gjërat që na duhen.
Ish-portieri hapi kutinë e tij të veglave dhe fqinji zgjodhi një pincë, një kaçavidë, një çekan, dhe një daltë. E pagoi dhe shkoi.
“… Jo të gjithë kemi mundësi të kemi katër ditë në dispozicion që të blejmë gjërat që na duhen”, kujtonte. Nëse kjo ishte e vërtetë atëherë, shumë njerëz mund të dëshironin që ai të udhëtonte për t’iu sjellë vegla.
Në udhëtimin tjetër vendosi të rrezikonte pak nga paratë që mori kur e pushuan nga puna, duke sjellë më shumë vegla, si ato që kishte shitur. Dhe kështu kursente dhe disa herë udhëtim.
Zëri filloi të përhapej nëpër lagje dhe shumë njerëz donin të mënjanonin udhëtimin. Tani një herë në javë, ndërmjetësi i veglave udhëtonte dhe blinte ato që iu nevojiteshin klientëve të tij.
Shpejt mendoi që nëse gjente një vend ku të linte veglat, mund të kursente më shumë udhëtime dhe të fitonte më shumë para. Mori me qira një kasolle të madhe. Më vonë i bëri një hyrje më të mirë dhe disa javë më vonë dhe një dritare me xham, kasollja u kthye në dyqanin e parë të veglave në fshat.
Të gjithë ishin të kënaqur dhe blinin në dyqanin e tij. Tani nuk udhëtonte më, nga dyqani i veglave i fshatit afër ia dërgonin kërkesat e tij. Ai ishte një klient i mirë.
Me kalimin e kohës, të gjithë blerësit e fshatrave më të vegjël që ishin rrotull vinin të blinin në dyqanin e tij dhe kështu fitonin dy ditë rrugë.
Një ditë ndodhi që miku i tij, tornitori, mundi të prodhonte për të kokat e çekanëve. Dhe më vonë edhe pincat, daltat. Dhe më vonë gozhdët dhe vidhat…
Për të mos e zgjatur shumë tregimin, ndodhi që në dhjetë vjet ai burrë u kthye me ndershmëri dhe punë në prodhuesin milioner të veglave. Tregtari më i fuqishëm i krahinës. Aq i fuqishëm ishte, sa që në ditën e fillimit të shkollës, vendosi t’i dhuronte fshatit një shkollë. Në të do të mësohej shkrim dhe lexim, arte dhe punët më praktike të kohës.
Kryetari i komunës dhe përgjegjësi i arsimit organizuan një festë të madhe për inaugurimin e shkollës dhe një darkë të rëndësishme për dhuruesin. Në kohën e ëmbëlsirës kryetari i komunës i dhuroi çelësat kurse përgjegjësi i arsimit e përqafoi dhe i tha:
– Me shumë krenari të madhe ju kërkojmë që të na nderoni duke vendosur firmën në faqen e parë të librit të procesverbaleve të shkollës.
– Nderi do të ishte për mua – tha burri. – Mendoj se asgjë nuk do të më pëlqente më shumë se sa të firmosja aty, por unë nuk di as të shkruaj dhe as të lexoj. Unë jam analfabet.
– Ju? – tha përgjegjësi i arsimit, i cili nuk po arrinte ta besonte. – Ju nuk dini as të lexoni dhe as të shkruani? Ju krijuat një perandori industriale pa ditur shkrim e këndim? Jam i habitur. Pyes veten se çfarë do të ishit bërë po të dinit shkrim e këndim!?
– Unë mund t’jua them – u përgjigj burri me qetësi. – Nëse unë do të dija të lexoja dhe të shkruaja… do të isha portier i bordelit.
Përktheu: M. Lika










Be First to Comment