Qëkur e emëruan komandant burgu, ai e harroi gjuetinë e peshkut me dinamit. Kishte aq shumë punë! Ditë e natë me të burgosurit. “Vetë jam i burgosur, jo ata”, i thosh gruas tek i fërkonte barkun për ta ndjellë në seks, në errësirë. Por ajo s’kish nevojë hiç për fërkim. Ishte gati para se ai të fikte dritën.
“Si bark i bardhë peshku i vrarë më je, moj putanë”, i pëshpëriste tek shfrynte tri ditë radhazi shërbimi mbi të.
“Ti shiko se mos të arratiset ndonjë nga burgosurit, atë bëj. Se na mori lumi po të larguan nga kjo detyrë. Me çfarë do i rrisim fëmijët pastaj, me leshin tim të lagur?! Pa lëri peshqit…”.
Ajo dashas e ngacmonte atje ku atij i dhimbte më shumë. Një arratisje e ndonjë të burgosuri për ata do të ishte fundi i botës. Të tentonte të arratisej ishte gjysma e së keqes, por të zhdukej përfundimisht ishte hataja.
Dhe hataja ndodhi një ditë vere. Ai po dëgjonte lajmet e fundit në radio, kur një breshërimë e zgjatur automatiku grisi errësirën e natës. Doli menjëherë në oborrin e burgut. Ushtari i kullës veriore kish qëlluar. Ai bënte shenjë me të bërtitura se ata ishin hedhur nga telat e gardhit, që ngrihej vrik mbi lumë. “Sa ata, sa ishin?”.
“Dy dhe u hodhën, ranë. Unë qëllova. Njërin e vrava, e di, tjetri u zhduk. Nuk di, nuk di…”.
Ishte rrethuar nga policët dhe ushtarët e burgut. Ata deshën urdhër. Nxori pistoletën nga këllëfi e bëri shenjë ta ndiqnin. Doli ashtu siç kish thënë ushtari i kullës. Në zallin e lumit poshtë burgut një trup i pajetë kishte rënë si kukull e madhe lecke. Por, nëse ishin dy, tjetri dukej se e njihte mirë lumin dhe do të kish qenë notar i zoti, se kish bërë një fluturim prej zogu tri-katër metra nga telat e kish rënë në mes të pellgut. Që andej do të kish vazhduar nëpër lumë për të humbur gjurmët dhe kush e di ku dilte para urës së madhe, tri kilometra më tej në rrugën nacionale. Aty ndonjë shofer i makinave të qymyrit po ta merrte, atë e merrte lumi.
Donte të dinte kush ishte ai që mungonte dhe i thanë se ishte bashkëfshatari i tij, Qemal Shkoza.
“Ah, ti Qemal dashke të ma futësh. Po unë të trajtova si mik kur më erdhe në burg. Të dhashë qelinë më të mirë. Atë që shihte nga fshati. Ti shihje shtëpinë tënde mëngjes, drekë e darkë; unë dija dhe mbyllja një sy. Gruan ta futa të parën kur kishte takimin e radhës. Miq si më parë s’mund të ishim, se unë kam fëmijë për të rritur, por aq sa munda të mora me të mirë. Ti të ma bësh këtë mor Qemal?! Dhe e ke bërë dashas, se ti e di shumë mirë se çfarë do të thotë të më mungojë një nga inventari i të burgosurve. Por s’do të lë të ikësh. Peshk barkbardhë të jesh bërë, do të të zë! Do të më shohësh.”.
– Ikni ju! Krifeni lumin deri tek ura e madhe. Unë do të rri këtu tek pellgu ku është zhytur. Do ta ruaj kur të dalë.
Policët dhe ushtarët e panë siç shihet një i lajthitur.
– E mirë, le të rrijë vetëm njëri nga ushtarët. Ju të tjerët nxitoni!
Ai u ul në zall dhe i nguli sytë pellgut. Me Qemal Shkozën, kur ishin fëmijë, atje gjuanin peshk. Në fillim me kosha, pastaj kur u rritën me dinamit. Të dy e dinin sekretin e këtij pellgu. Poshtë rrënjëve të vjetra të pemëve të prera, kur u ndërtua burgu tridhjetë vjet më parë, kishte ca dhomëza që u futeshe me zhyt dhe të linin të merrje pak frymë, aq sa për të mbajtur deri në dhjetë minuta. Ata të dy i kishin trembur sa herë shokët kur futeshin në ato dhomëza dhe dilnin pas minutave të tëra si lugetër. Njëherë, ai ish futur vetëm dhe këmba i kish mbetur lidhur në një rrënjë të vjetër shelgu. Po të mos kish qenë Qemali, ajo punë e pat. Mirëpo Qemali llogariti kohën dhe, kur u teprua, u zhyt dhe e nxori mikun e tij të zverdhur limon. Ai e dinte që e kish patur mik të mirë Qemalin, por nuk kish si ta ndihmonte kur ai tre muaj më parë ra në burg se foli kundër regjimit. Shau keq Partinë kur e shoqja i tha se s’kish me se t’ia jepte atë copë bukë misri që kish mbetur nga darka…
Ai priti gjithë natën aty ulur në zall. Lumi sikur kish shterur. Dielli lindi i nxehtë saç që me rrezen e parë. I dogji qafën. Mendja i shkoi tek e shoqja. Kur ta merrte vesh që atij i mungonte në inventar një i burgosur, ajo do ta shante nga nëna. Ai e dinte si shante ajo. Më keq se burrat në klubin e fshatit. Befas u çua më këmbë e zuri të zhvishej. Hoqi në fillim koburen, pastaj këpucët e rënda të ushtarit. Uji i freskët i pellgut i çoi mornica. Mori frymë thellë dhe u zhyt. Në më pak se tridhjetë sekonda doli.
“Shko”, i tha ushtarit, duke i shkelur syrin. Ushtari ia mbathi me të katra. Ai nxori paketën “Partizani” nga xhepi i gjimnastorkës dhe ndezi një cigare më këmbë. Ushtari erdhi saora. Dihaste si peshku në llum. Ai mori të dy kallëpet e dinamitit dhe bashkë me shkrepësen i futi në një qese plastike. Shkoi me to në dorë deri në mes të pellgut. Pastaj qesen e shtrëngoi mes dhëmbësh dhe u zhyt.
Qemal Shkozën e gjeti këmbëlidhur keq në rrënjët e të njëjtit shelg. Rryma e lehtë e ujit herë ia zhyste e herë ia nxirrte sytë nga sipërfaqja e ujit të dhomëzave. Një tufë me peshq barqebardhë, të mëdhenj një pëllëmbë, i çukisnin buzët dhe llapat e veshëve. Ai nxori shkrepësen nga qesja, e vari mbi rrënjët e thata të shelgut dhe ndezi fitilin. Kish një minutë kohë për të dalë. I trembi peshqit nga sytë e Qemalit dhe bëri të dalë sërish me zhyt.
Kur i dha shtymën e fundit trupit, duke i vënë këmbën mbi gjoks shokut të fëmijërisë, iu bë sikur këmba iu ngjit mbi trupin e tij dhe ngeci dhe ai në rrënjët e shelgut. “E hëngra…”, mendoi, “Ika. O nënë, o nënë!”. Fitili i dinamitit një cigare. E mendoi veten bashkë me Qemalin me bark të çarë mbi zall. “Inventari në rregull, shoku Ministër!”, i thosh fjalët e fundit Ministrit të Brendshëm, me sy nga e shoqja… I dha dhe një të shtyrë tjeter Qemalit dhe në sekondë e pa veten mbi ujë. Dielli i nxehtë sikur e ftohu akull. Doli në breg.
Dinamiti gjëmoi mbyturazi. Lëvizi tokë e ujë bashkë. Llumi i baltës së llagëmit doli mbi sipërfaqen e ujit i gjakosur. Trupi i Qemal Shkozës pluskoi fërtele mbi ujë.
Ai i tha ushtarit të nxirrte në zall trupin e të burgosurit, ndërsa vetë mori gjimnastorkën, e bëri qese e zu të mbledhë për gruan peshq barqebardhë lumi të vrarë, që ajo do ia fuste në gojë si karamele, ndërsa ai me sytë mbyllur do priste gjithë qejf sharjen e saj gjatë seksit: “Je një bir kurve ti!”.
Ilir KADIA: Barqe të bardhë peshqish të vrarë

Autori






Be First to Comment