Press "Enter" to skip to content

Haki STËRMILLI: Sikur të isha djalë (fragmente)

Automobili ikte me shpejtësi e me zhurmë. Herë ngjitej në të përpjetat, herë zbriste tatëpjetat dhe herë rrëshqiste ndër rrafshina. Shokët e mi bashkudhëtarë herë kuvendonin me njëri-tjetrin, herë heshtnin të rrëmbyer e të mahnitur nga bukuritë e rralla që shfaqeshin gjatë rrugës. Boka, kodra, male, skuta, lugina, gryka dhe fusha të bukura dukeshin e zhdukeshin brenda pak kohe e diktonin një kënaqësi të papritur tek udhëtarët, admirues të natyrës. Rrezet e forta të diellit pranveror puthnin ëmbël faqet e gjelbra të gjetheve dhe fletët e shumëngjyrta të luleve, aroma e të cilave kundërmonte e këndshme, e fortë dhe dehëse. Me një fjalë, atë ditë, natyra kremtonte ngadhënjimin e bukurisë së pranverës.
– Aty, në atë skutë blerimi e lulesh të kisha pas një shtëpizë, – tha njëri, duke parë me një lakmi admiruese nga vendi, që e kishte stolisur me aq shije dora hyjnore.
– Një shtëpizë që të ishte si një kuvli, por brenda të kishte edhe një nga zanat e maleve tona, – plotësoi shoku me buzë në gaz.
Ndërsa ata argëtonin fantazitë e tyre me ëndërrim e dëshira për një jetë parajsore, unë mendohesha nën përshtypjen e hidhur që më kish lënë sëmundja e Dijes. Më dukej sikur nuk do ta shihja më. Pakon që më kish dhënë, e kisha marrë me vete. Diçka më nxiste ta hapja dhe të shihja ç’ishte shkruar në atë fletore që më dorëzoi. Më në fund më mundi kërshëria dhe e çela pakon. Brenda kishte një fletore, një shami të bardhë dhe një letër drejtuar zotit Shpend Rrufesë në Tiranë. Gati tri të katërtat e fletores ishin të shkruara. Menjëherë e njoha shkrimin e imët të Dijes. Në faqen e parë ishte shkruar, me ngjyrë të kuqe, ky titull: “Jeta ime”.
Vendosa të lexoj disa pjesë sa për të kënaqur kërshërinë.
Hodha një sy në faqen e parë dhe lexova:
“Më shkrepi ta shkruaj jetën time. Ky mendim më lindi duke parë fotografitë e ndryshme që shfaqin Xha Simonin qysh në kohën e fëmijërisë. Pse të mos e shkruaj? Jeta ime për të tjerët ndoshta nuk vlen asnjë dysh, por për mua ka rëndësi, se është e imja, se mund të kalojë nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, duke i lexuar në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të mërzitem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut duke u lakuar nëpër rrathët e moshës, pa dyshim është kështu edhe me jetën.”.

Pastaj kapërceva disa faqe e lexova:
“Mbasandaj, kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundej të fliste femra me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për ta përshkruar bukurinë e shokut të vet të gjinisë tjetër. Kush mundet të më sigurojë se nuk ka me mijëra femra, që, duke kundruar mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet perçes së hollë, nuk zbrazin nga goja mijëra e mijëra tubëza vjershash për ata që u kalojnë pranë, pa ditur se kanë plagosur rëndë ca zemra të strukura brenda do krijesave të dënuara me burgim të përjetshëm?
Oh, sa e sa sy vashash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrahje të forta të zemrave, që s’kanë liri e të drejtë argëtimi e dashurimi, megjithëse natyra, edhe ato, sikurse meshkujt, dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajisur me ndjesitë e dashurisë.”.

6 prill
Cili qe ai? S’e di dhe as guxoj të pyes se më vjen turp, se druaj mos vihem në lojë prej Irenës. Ndoshta është i krishterë, i fejuar ose i martuar. Kush e di? Oh, më mirë të mos e kisha parë! Sytë e tij të zinj më ngjau sikur më magjepsën në çast. E ndjeva se u turpërova, pse m’u nxeh shtati përnjëherë. Desha të iki, por s’munda, se s’kisha fuqi. Mbeta shtang dhe u struka në cep të dhomës. M’u duk sikur ma mbuloi shtatin një diçka që më hutoi e më shpërdrodhi nën forcën e vet. Sa bukur e sa ëmbël tingëllonte zëri i tij! Kishte kumbimin e një melodie harmonike, që ta kilikos zemrën. Ishte një muzikë më vete. Ka disa njerëz që s’u vete fare qeshja. Kur qeshin u shtrembërohen turinjtë, u rrudhen faqet, u qajnë sytë dhe shëmtohen aq shumë sa s’ta ka ënda t’i shohësh. Por atij i kishte hije si qeshja, ashtu edhe nënqeshja. Kur fliste, me buzë në gaz, ta merrte mendjen. Shkurt, një ndjesi e panjohur prej meje deri në atë çast ma mbushi shpirtin me… diçka.

7 prill
Ububu si e pësova! E humba fare. Më duket se më hyri fitili, më ngjan se më kapi grepi i dashurisë. Mbrëmë vonë më mori gjumi, sepse mendoja, padashur, për atë djaloshin e bukur që pashë dje te Irena. Edhe në ëndërr më shfaqej me buzë në gaz dhe, duke m’i ngulur sytë e vet si shtiza, afrohej të më kapë për dore. Po ndjej një farë turbullimi në shpirt. Kujtimi i pamjes së tij s’më hiqet mendsh; fytyra e tij gjithnjë më paraqitet para syve të mendjes së trazuar jashtëzakonisht.

29 prill
Jam e dobët nga shëndeti. Një afsh i nxehtë ma ka kapluar krejt shtatin dhe më duket sikur po digjem brenda një furre. Edhe kolla po më cyt mjaft dhe ndjej dhimbje në kraharor. Dje, disa herë pështyva gjak. S’di nëse të gjitha këto janë shenjat e ndonjë sëmundjeje apo të shkaktuara nga i ftohti që mund të kem marrë. Më pëlqen të rri shtrirë e në qetësi. I thashë babës që të më sillte një mjek, por ai i shtrembëroi turinjtë dhe doli duke tundur kokën e murmuritur:
– Sa shpejt bëhet goca për doktor se?! Një çikë t’i dhembë koka ose barku, menjëherë kërkon doktor! Kam frikë se do të kërkojë doktor edhe kur ta zërë lemza!
Ç’ti thosha? Ai nuk i jep rëndësi shëndetit dhe kujton se njeriu është i sëmurë vetëm atëherë kur rrëzohet e bije në shtrat për të… vdekur. Oh, sikur ta kisha pranë Shpendin që të më fërkonte ballin, që më digjet si një saç i nxehtë. Sigurisht do të shërohesha menjëherë kur të prekte dora e tij mbi ballin tim dhe nuk do të ndjeja as dhimbje kraharori, as edhe dobësi trupi. Po ku është? Sa lakmi e kotë.

16 shtator
U shemb e u gremis pallati i lumturisë sime…

Blije në Amazon