Press "Enter" to skip to content

Dashuria është – “Çfarë torture do?”

Dashuria qenkësh – “Çfarë torture do?” –
Ngutanakët, tha, mirë duhet ta dinë…
Nuk gjejnë vend për prehje,
Për paqe s’kanë kohë,
Turren, tha, pandalas, prore të pangimë…

– Dashuria?! Thjesht… çështje diafragme.
Si të bësh zap ritmin
Për frymim të ri –
Me u shkri me tjetrin njishtas një sintagme,
Rish me mbetë vetvetja në vazhdimësi…

Vaj! Se lënd’ e hyjshme vjen një ditë e shteret,
Vaj! Se ia beh ora që gjithkush e dro;
dashuria ikën…
Ngryset prapë e erret…
Mandej krejt çka mbetet:
– “Çfarë torture do?”

(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2023, ku mund të gjeni ciklin e plotë poetik nga Agron Tufa.)

Pak fjalë nga e tëra 

Agron Tufa lindi më 1 prill 1967 në Dibër. Studioi për letërsi në Universitetin e Tiranës, më pas në Moskë, ku u diplomua për filozofi arti, si dhe përfundoi studimet për teori përkthimi, me përqendrim të veçantë në krijimtarinë e poetit Joseph Brodsky. Tufa është Doktor i Shkencave Filologjike e për shumë vite ka qenë pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në Kolegjin Universitar “Bedër”, ndërsa deri në fund të nëntorit 2019 ka mbajtur postin e Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Autor i shumë botimeve: romane, poezi, studime, ese, përkthime të emrave më të shquar të letërsisë ruse etj., fitues i disa çmimeve, Agron Tufa është një nga zërat më të rëndësishëm të letrave shqipe.
Revista Letrare i uron jetë të gjatë e krijimtari të pashtershme!

Autori
Agron Tufa