Press "Enter" to skip to content

Luljeta Leshanaku: Autoportret në Silic

Luljeta LleshanakuPortreti im nuk ka ndryshuar edhe aq,
me kokën pak të anuar sikur kërkon ndjesë.
Ndjesë për se, ndjesë për cfarë
ndjesë se ndodhesha në vendin e gabuar, në kohën e duhur
apo në vendin e duhur, në kohën e gabuar
apo të dyja bashkë?

Ndjesë se isha prani atëherë
kur më ishte kërkuar të isha e padukshme.

Mos e kërcit lugën kur ha, mos ëndërro me zë, atje ku digjesh- mos bëj tym, atje ku lahesh- mos bëj shkumë,
atje ku shkërmoqesh- pendët merri me vete,
atje ku shpirti rrëzohet me lastik të këputur nëpër këmbë, ik e mos i dil për zot,
dhe, besomë, jeta është më e lehtë
nëse je i padukshëm.
Dhe unë ndoqa atë rrugë që mu tha.
Qelq. Fillimisht isha xhami plot sharje i dritareve të shkollës fillore,
që lexohej veç në ditë pluhuri.
Më pas një monokël- ajo ç’ka besonte njëri sy, tjetri e vinte në dyshim.

Dhe vonë fillova të shkruaj… Isha xhami i trashë
i një teleskopi,
që yjet t’i jep në pëllëmbë të dorës.
Syri i njeriut po ai- i lodhur,
dhe yjet po ato- miliona vite dritë larg
gjithsesi unë nuk jam një lajm i rremë, por, veç i parakohshëm,
mashtrimi im është vetëm distancë.
Mbase ndonjëherë nuk do të jem më qenia e padukshme,
kufiri dredhacak midis dy botëve,
do të kem zë, ngjyrë, e lexueshme edhe në një ditë me shi
unë që e di mirë se një përkulje e ndrojtur koke para fotografit
është vetëm alibi.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *