Press "Enter" to skip to content

Artur BAKU: Hipnozë

Bisedat për zërat e çuditshëm ndërkalleshin me rrokëllimat e zareve të tavllës, 1:5, … mbrëmë i kanë dëgjuar te ullishta; 2:4, edhe sot në ag te liqeni, 5:3, sot pasdreke rrëzë kodrinës… 1:1, në muzg te Kisha e Trinisë së Shenjtë.
Brenda bar Kozmosit, nga tavolina në tavolinë, bashkë me zaret hidheshin të njëjtat biseda; probabiliteti i fatit përzihej me rastet e konfirmuar të zërave misteriozë… Kush janë? Nga vijnë? Pse bërtasin: “Ku shkoni o të marrë…?!”. Kamerieri, një djalë i ri rreth të njëzetave, u afrua të shërbente në tavolinën ku po luanin dy burrat. Më i vjetri hodhi zaret:
– 2:5… edhe te varrezat ndanë xhadesë i kishin dëgjuar pas mesnate… 3:4… e njëjta thirrje: “Ku shkoni o të marrë…?!”. 5:5… kujt i drejtohen? Me kë e kanë xhanëm?
Kamerieri vendosi dy gota me uzo në tavolinë dhe iu drejtua atij që pyeti, përpara se shoku t’i përgjigjej:
– Imzot, fjalë, fjalë, veç fjalë janë.. fjalë Imzot, fjalë…
Tjetri zhvendosi në fushë gurët e rrumbullakët petashuq dhe, duke parë djaloshin me sy habitorë, e pyeti:
– Po ti, i ke dëgjuar?
– Po, Imzot, më ka rastisur edhe disa herë brenda ditës.
– Ku?
– Këtu, te Bar Kozmosi!
– Brenda Bar Kozmosit?
– Po, Imzot, fjalë…fjalë.. veç fjalë…
– 2:1, – përplasi zaret mbi fushën e dalë boje tjetri e, atë çast, plaku Zh. doli i lemeritur nga tualeti, me pantallona që i vareshin nën bel, me sy të përhënur e ia dha të bërtiturës:
– I dëgjova! I dëgjova! Sapo u ula më folën: “Ku shkoni, o të marrë?! Ku shkoni, o të marrë?!”.
Qetësi si në fillimet e universit; askush nuk foli. Të gjithë shtangën. U dëgjua veç jehona e zhurmave të zareve që një prej lojtarëve hodhi. Në sfondin e asaj qetësie zanafillore, jehona e rrokullimës së zareve ngjante me një shpërthim atomik. Poshtë pantallonave të plakut filloi të rridhte një çurk i ngrohtë, që u pellgëzua mbi dyshemenë e Bar Kozmosit… duhma u hapërda në çdo skaj.
– 2:5…
– Qetësohuni, – i tha kamerieri, – fjalë… fjalë… veç fjalë janë, Imzot Zh.
Pas konfirminit të zërave në tualetin e Bar Kozmosit, autoritetet vendosën ta mbyllnin deri në një urdhër të dytë. Lajmi se në katundin Udha e Shkronjave dëgjoheshin zëra misteriozë, mori dhenë. Nga Qeveria Federale u vendos të dërgohej një grup i përbashkët me ekspertë të fizikës kuantike, astrologë e psikologë. Fillimisht ekspertët vendosën të ekzaminonin WC-në e Bar Kozmosit. U vendosën aparatura dixhitale regjistrimi, që arrinin të kapnin çdo grimcë ajri që vibronte; ishin aq të ndjeshme saqë zhurma e ujit në kasetën e shkarkimit ngjante sikur po regjistrohej rrëzë kataraktit të Niagarës.
Ditët kalonin dhe teknologjia supermoderne, e vendosur nga Qeveria Federale në WC-në e Bar Kozmosit, nuk kishte arritur të regjistronte asgjë, as edhe një zë, përveç zhurmës së kasetës së shkarkimit të ujit, që ishte në përdorim të ekspertëve. Eksperimenti u realizua edhe në vendet e tjera, ku ishin dëgjuar zëra: në ullishte, varrezat e katundit, në Kishëzën e Trinisë së Shenjtë, buzë liqenit… Asgjë! Në fund, ekspertët hartuan një raport ku shkruhej: “Simptoma Karantine!”.
Në bar Kozmos u dëgjua sërish rrokëllima e zareve; njëri prej ekspertëve, fizikanti, i hodhi mbi fushën e tavllës: “1:1…”. Ai zhvendosi me majat e gishtave gurët e rrumbullakët petashuq nga ana tjetër e fushës. Eksperti i dytë, astrologu, hodhi zaret: “6:6…”. Atë çast u dëgjua thirrja e mbytur e psikologut, i cili doli nga tualeti me duart në rripin e pantallonave:
– I dëgjova! I dëgjova, sapo shtypa butonin e Niagarës: “Ku shkoni, o të marrë?!”.
Kamerieri iu afrua dhe i tha:
– Fjalë, fjalë, Imzot… janë veç fjalë…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *