Në Romë po më dridheshin gjunjët. Ada do merrte një avion tjetër për në Gjenevë. Unë do ndalesha aty. Më prisnin në Romë. Bëra disa hapa nga dalja dhe befas ndryshova mendim. Ndala tek “Information Desk”. Gruaja me syze pas xhamave më informoi se mund të fluturoja për Gjenevë me avionin e ardhshëm. Bileta ishte e shtrenjtë. E pagova. I shkruajta të dashurës, që po më priste në dalje, se shefi më kishte kërkuar urgjentisht të nisesha për Gjenevë, për një mbledhje të rëndësisë së veçantë, e se do kthehesha në Romë pas dy ditësh. Ajo më dërgoi një “smiley” të zemëruar! Pas pak një palë buzë. Pak më vonë një tekst: “Të kuptoj shpirt ! Të pres pas dy ditësh!”.
Në portën e embarkimit, numër B.39, kishte pak udhëtarë. As njëzetë vetë. Mes tyre, Ada e vendit 7/E, e fluturimit Tiranë-Romë. U habit kur më pa!
– Ti këtu?!
– Po, do vij me ty në Gjenevë!
Krejt fytyra e saj mori një dritë të ngjashme me fytyrën e diellit kur perëndon mbi det. Më tërhoqi drejt vetes dhe mbështeti kryet mbi supin tim. Kjo ndodhi vërtet. Nuk isha i sigurt nëse më kishte puthur apo jo në avion. E prekshme qe koka e saj e bukur mbështetur në supin tim. Ia tërhoqa pak flokët për t’ia kthyer fytyrën drejt times dhe e putha në buzë. Ajo mezi po merrte frymë. Udhëtarët qenë krejtësisht të pavëmendshëm. U puthëm për pak minuta pa çarë kryet nëse na shihte kush apo jo. Në fund të fundit, po putheshim! S’po vrisnim njeri.
– Gate 39B flyght 3204 Roma to Geneva ready for embarking!
Po, ishim gati të ngjiteshim edhe njëherë dhjetëmijë metra mbi detin Tiren, drejtimi Torino, pastaj Gjenevë. Avioni ishte gjysmë bosh. Gjetëm një vend të lirë nga fundi dhe u ulëm pranë njëri-tjetrit. Pas nesh ishte veç stjuardesa e shërbimit dhe banjat, të cilat nuk i përdori askush. U ulëm si herën e parë, por, ngaqë hapësira mes ulëseve ishte pak më e madhe, kishim mundësi të rrinim me gjunjë të bashkuar.
– Dashke vërtet të të lexoj deri në fund si autor!
– Një libër i lënë përgjysmë s’është libër i bukur!
– Ndoshta i ke librat e bukur, nuk të kam lexuar…!
E pyeta nëse ishim puthur në fluturimin tjetër apo jo. Nëse kishte ndjerë të njëjtin emocion si unë apo po fluturoja me pyje e zogj, me lule në sqep, si pasojë e një përndezjeje të trurit?
– Nuk e dallon? A nuk dukem ndryshe nga çasti kur u ula pranë teje në Rinas?
Dukej më e bukur. Dukej si një grua tjetër. Më përfshiu edhe një herë e njëjta përndezje. Jashtë kishte pyje, që fluturonin si te poezia “Balona” e Odisea Elitis:
Ajo që shihja, ishte, si ta them/ishte si “kujtim i së ardhmes”.
Njerëz me çadra të lehta pupël/ kalonin pjerrtas dhe më buzëqeshnin.
Ajo dukej më e tokshme, dukej si ata që sapo kishim lënë pas në aeroport, si “njerëzit e poshtëm”, siç i quante poeti grek, që luftoi edhe në Shqipëri. Nuk dihet se kundër kujt, por i armatosur kishte ardhur në tokën tonë. Jo me metafora; në atë kohë metaforat s’gjenin vend as në Olimp. Ishte kohë ushtarësh dhe vrasjesh.
Pse po mendoja këto gjëra, çfarë më bëri keq? E vështrova sërish gruan për të cilën kisha ndryshuar drejtimin, për të cilën kisha gënjyer të dashurën; atë grua që më donte aq qiellshëm, që e doja po aq bukur. Filloi të më merrte malli për të. Atmosfera manjetike mes meje dhe Adës po humbte polet. Po shpërndahej frikshëm. E vështrova. Po aq e bukur. Po, e bukur ishte. E huaja. I dija veç emrin. Kishim tri-katër orë që njiheshim. Njiheshim?! Ishim puthur apo jo? Çfarë do bëja me të në Gjenevë, në cilin hotel do shkonim? A do vinte me mua në atë hotel? Apo do flinim si patriotë buzë liqenit të Gjenevës, pranë monumentit të Skënderbeut?
– Sa fëmijë është një burrë!
– Çfarë the? S’e kisha mendjen! Më fal!
– Çfarë do bësh sonte në Gjenevë? – e pyeta pa i dhënë shpjegime.
– Asgjë, do shkoj në shtëpi. Kam dy fëmijë që më presin dhe… burrin! Po ti?
– Do shoh një pjesë të Molierit.
S’pata nevojë t’i thosha se cilën. Më duket se e mori me mend. S’ishte aq e sëmurë për mend, sa unë! Ulja qe e butë, kontrolli efikas, i shpejtë. Ajo përfundoi në krahët e të shoqit, pasi më puthi në faqe. Gjithsesi. Unë pyeta në dalje nëse luhej atë mbrëmje “I sëmuri për mend” i Molierit diku në Gjenevë. Prit pak, më tha gruaja që e pyeta:
– Ce soir au theatre de Carouge on joue “L’Idiot” du Dostojevsky. Allez vite. Il vous reste encore 35 minutes.
Mora një taksi dhe arrita pak para fillimit të shfaqjes!







Be First to Comment