Press "Enter" to skip to content

Arbër Ahmetaj prezanton romanin e tij të fundit “Procesi 3K/1988″ në Bruksel

Dje në Bruksel, Revista Letrare organizoi një mbrëmje letrare për promovimin e librit të ri të shkrimtarit Arbër Ahmetaj, “Procesi 3K/1988″. Lexuesit patën mundësinë të takojnë dhe bisedojnë me autorin, por edhe me miq të tjerë të librit dhe kulturës nga Belgjika dhe vende të tjera të Europës.
Mbrëmja letrare u konceptua si një bashkëbisedim i lirë i autorit me të pranishmit e shumtë që mbushën ambientin dhe më pas në trajtën e një interviste spontane mes gazetarit Dritan Kiçi dhe autorit. Për të shuar disi kuriozitetin e atyre që nuk e kishin ende romanin e ri ndër duar, por edhe për një njohje më të thellë të tij, ndër të tjerë foli edhe studiuesi, Dr. Gjovalin Kola.
Një surprizë e bukur për pjesëmarrësit ishte edhe prania e Abidin Krasniqit, përkthyesit në frëngjisht të “Lahuta e Malëcisë” të Gjergj Fishtës.

Ky aktivitet u mbështet nga Klubi Qytetar Shqiptar dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë.

Kush është Arbër Ahmetaj?

Lindi në Tropojë, në vitin 1965. U diplomua për farmaci në Universitetin e Tiranës dhe më pas edhe në atë të Gjenevës. Botoi që nga viti 1986 në shtypin e kohës. Ka punuar gazetar në RTSH. Në vitet 1993-1997 punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe e mbylli atë karrierë në një post diplomatik në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Në shtator të vitit 1997, vendoset në Sion të Zvicrës, ku jeton e punon si farmacist.

Disa nga botimet e tij:

Fletë hyrje për në varr – roman
Riva H. – tregime
Më mori malli e dashur – poezi
Varri i braktisur – roman
I huaji, ai kosovari – roman
Një natë tek Luiza – roman
69 gra – Tregime
Procesi 3K/1988 – roman etj

Proza e tij është përkthyer në frëngjisht, anglisht, rumanisht etj.

Comments are closed.