Vendin ku do të ndërtohej shtëpia e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e zgjodhi vetë presidenti Xhorxh Uashington, në vitin 1791. Ndërtimi i shtëpisë së presidentit filloi një vit më vonë, por vetëm në nëntor të vitit 1800 shtëpia priti banorët e saj të parë.
Madje edhe atëherë, shtëpia nuk ishte veshur ende me mobilie. Abigel Adamsi, gruaja e presidentit të dytë të Shteteve të Bashkuara, Xhon Adamsit, shkruante kështu: “Kjo shtëpi është bërë tashmë e banueshme, por ende s’ka as edhe një mobilje të vetme brenda. Dhomën më të madhe, unë e përdor për të nderur rrobat.”.
Gjatë luftës të vitit 1812 me Britaninë e madhe, anglezët hynë deri në kryeqytetin e vendit, në Uashington DC, i cili ishte i pambrojtur. Presidenti atë kohë nuk ndodhej aty. Para se të linte “Shtëpinë e Presidentit”, siç quhej atë kohë, Dolli Medison, gruaja e presidentit Xhejms Medison, arriti të shpëtonte nga djegia një pikturë të madhe të Xhorxh Uashingtonit, vepër e piktorit të famshëm Gilbert Stuart dhe objekte të tjera të rëndësishme. Ushtarët anglezë i vunë zjarrin
Shtëpisë së Presidentit.
Shtëpia e Presidentit u rindërtua më vonë duke ruajtur po atë pamje e arkitekturë. Sidoqoftë, pas rindërtimit, të gjitha muret u lyen me ngjyrë të bardhë për të fshirë gjurmët e zjarrit. Që nga ajo kohë, amerikanët u mësuan ta thërrisnin shtëpinë e presidentit “Shtëpia e Bardhë.”.
Në vitin 1902, Kongresi Amerikan e bëri këtë emër zyrtar. Pas 100 vjet jete e më shumë nga ndërtimi i saj, skeleti i Shtëpisë së Bardhë filloi të vjetërohej e dobësohej. Në vitin 1948 lindi pyetja nëse Shtëpia e Bardhë duhej të riparohej, duke ruajtur po atë projekt, apo duhej shembur e në vend të saj të ndërtohej një rezidencë krejt e re.
Populli amerikan e dha përgjigjen e vet nëpërmjet letrave të panumërta. “Shtëpia e Bardhë” ishte Shtëpia e Bardhë dhe kështu duhej të mbetej, duke trashëguar pamjen e saj. Vullneti i popullit
fitoi dhe shtëpia e presidentit u forcua, por mbeti po ajo, siç kishte thënë Xhorxh Uashingtoni: “Një vend me simptomat e pallatit, rehatinë e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vendit.”.
Albana M. Lifschin: Si lindi emri “Shtëpia e Bardhë”
Autori
More from KulturëMore posts in Kulturë »






Comments are closed.