Tani do t’ju tregoj se çfarë ndodhi në festën tonë, zoti Grinberg. Në nxehtësinë më të madhe të vapës ka një ditë të cilën ne e festojmë, Emilia dhe unë, me një festë të vogël. Unë blej tek dyqani Manushaqet një pulë fshati dhe këtë herë më erdhi një ide gjeniale për të marrë edhe një champagne kiliane, e preferuara e Emilias, e cila nga ana e saj sjell për festën bajamet dhe gatime të tjera, merita kryesore e të cilave qëndron se janë të zgjedhura prej saj. Këtë vit pata frikë se mos vështirësoheshin gjërat, meqë në po të njëjtën natë inagurohej në klub një festë me kërcim dhe tombola, dhe se do të shpallej në dymbëdhjetë të natës rezultati i një llotarie të cilën Emilia dëshironte ta fitonte. Çmimi ishte një shall mëndafshi i qëndisur.
– Nëse fitoj shallin e mëndafshit, do ta vendos mbi piano – deklaroi Emilia duke qeshur, sepse ajo e di se një shall mbi piano është kulmi i shijes së keqe dhe sepse e di gjithashtu se ajo ka një personalitet mjaft të fortë saqë mund ta vendos, pa rrezik, shallin mbi piano dhe për të fituar për atë kënd të shtëpisë magjepsjen e cila është tipike për sende të tjera dhe për kohë të tjera.
– Mbi shall do të vendos Mabelin – vazhdoi Emilia duke qeshur më shumë dhe më bukur. Mabeli është kukulla prej lecke, me të cilën ajo akoma luan.
Mendoj se e njoh Emilian, duhet t’jua kem thënë, me kalimin e kohës kam pasur shumë prova të padurimit dhe kuriozietit të saj, saqë nuk i lashë asnjë iluzion vetes mbi festimin normal të përvjetorit tonë. E ngarkuar me pako, mikja ime erdhi më shpejt se zakonisht. Solli rrush, bajame, një shishe me salcë Ketchup, madje edhe një pjatë. Meqë ishte vapë, unë hapa dritaren. Emilia thotë se në një dhomë të mbyllur i merret fryma. Pak më parë se mezi i natës, në ndonjërën nga shtëpitë ngjitur, një burrë me zë të dridhur dhe të mirë filloi të këndonte Berberin e Seviljes. Mua dritarja e hapur nuk më bënte të ndihesha mirë, jo vetëm për energjiket Figaro qua, Figaro la të cilat godisnin qendrën e vetë kafkës sime, por për erën e mprehtë e cila po më ftohte; por nuk guxova ta mbyllja, sepse Emilia gjithmonë e kërkon me të madhe ajrosjen, deri në atë pikë saqë në mes të dimrit i mbajmë të gjitha hapur. Imagjinoni ju, zoti Grinberg, surpriza ime, kur e pyeta:
– Nuk mbytesh, me gjithë mend, nëse e mbyll?
E pash në mënyrë hetuese: nuk e dija në duhet ta falënderoja me ëmbëlsi apo të bëja sikur kisha bërë shaka.
– Të ndërrojmë rolet – thirra. – Luajmë sikur unë jam ti e ti je unë?
Nuk më dëgjoi, sepse ora me gurëprerës të cilën e kam mbi oxhak ra dymbëdhjetë. Emilia u nis për në kuzhinë, të merrte champagne, e cila ishte në frigorifer për t’u ftohur. Eci në një mënyrë të çuditshme. Kur u kthye me shishen dhe dy gotat, e pashë përsëri. Zbulova atëherë atë që kishte të çuditshme në mënyrën e saj të të ecurit: diçka nuk di pak si mashkullore. Bindja ime se Emilia po më imitionte më erdhi në mendje.
Papritur më shkoi mendja se ngutja e saj kur erdhi më shpejt dhe tani ky nxitim për të marrë champagne dhe gotat fshihte qëllimin që të ikte sa më shpejt. “Është duke u përpjekur që të formulojë një shprehje sa më të pranueshme”, mendova, “do të fillojë më një ‘Mirë’ dhe, pas një pushimi, ka ndër mend, me zë si të pafajshëm, ‘shkojmë deri tek klubi, do të hyjë për të parë nëse e kam fituar llotarinë dhe për pesë minuta dal’ ” E di se për çfarë është e zonja një femër në vallëzim. E kam parë tek cepi i klubit, duke e pritur shumë orë dhe parashikova se atë natë mua do të më ngelej një kujtim i trishtuar.
Po flas për padurimin e Emilias, por as i imi nuk është më i vogël. Për të hequr dyshimet isha gati t’i afroja gjërat, provokimi ishte zgjidhja të cilën kisha më shumë frikë. I thosha vetes se isha bujar, se nëse Emilia dëshironte diçka unë duhet t’ia plotësoja, edhe nëse rrënohem krejtësisht, pyeta:
– Shkojmë në klub, të shohim nëse e ke fituar shallin?
Përgjigjia e saj më la të habitur. Emilia replikoi:
– As po t’ishim çmendur. E pse? Për të mësuar sot se humba llotarinë? Njësoj është edhe po ta marr vesh nesër.
Një i dashuruar është shumë budalla dhe vetvrasës. Unë këmbëngula:
– Por, Emilia, do të durosh deri nesër me këtë dyshim?
– Unë mendoj – u përgjigj – se gjithkush duhet të ndërtojë shtëpinë e tij dhe ta bëjë krevatin e tij në dyshim. Në tërësi, në jetë, asgjë nuk është e sigurtë.
E pashë pa e kuptuar. Në kokën e saj një parukë e bardhë nuk do më kishte ngjarë më shumë e rreme se këso fjalësh në gojën e saj; e pranoj, pa dyshim, se foli natyrshëm. Pastaj u mbështet, shihte në mënyrë të papërcaktuar, me sy të shkëlqyer dhe të fiksuar; një buzëqeshje të cilën nuk e njihja, arrogante, e fëlliqur, pak si shumë e egër, mbiu në buzët e mia. Kush e di pse ajo lloj buzëqeshje ma prishi qejfin thellësisht. Pëshpërita diçka për të nxjerrë miken time nga abstraksioni i saj. Thashë:
– Të lutem, Emilia, mos fol, mos më ndërprit sepse jam duke menduar.
Unë e di: ka femra të cilat për mendjemadhësi nazemadhe përdorin emrin e tyre për të interpeluar me zë të lartë; por Emilia foli me mua.
Tek ajo përmbushej ideali i të gjithë të dashuruarve, ngatërroheshe me personin e dashur, dhe në fakt besoje se ajo ishe ti dhe se ti ishe ajo? Përse vonoi kaq shumë, pyeta veten, të kuptoja se fati po më jepte, në pastërtinë e tij perfekte, një vajzë të dashuruar? U drodha nga mirënjohja, shtrëngova dorën e saj. Aj, ajo dorë nuk e shtrëngoi timen; do të thosha se Emilia e kishte larguar dhe se e la mënjanë. Kujtova atëherë shprehjen të cilën mikja ime shqiptoi pak minuta më parë: “Unë mendoj se gjithkush duhet të ndërtojë shtëpinë e tij dhe ta bëjë krevatin e tij në dyshim. Në tërësi, në jetë, asgjë nuk është e sigurtë”. Shprehja nuk është e saja, thashë me vete, as e imja. Me shpejtësi arsyetova: ka persona të paduruar (si Emilia dhe si unë) dhe ka persona të cilët e ndrydhin padurimin. Mes këtyre të fundit nuk mungojnë shembuj piktoresk, si predikuesi anglez i parkut Çakabuko. Dhe ju vetë, zoti Grinberg, a nuk më thatë në një rast: “E pres pa u nxituar. Në jetë nuk duhet të nxitohesh, nëse do që të të eci mirë” ?
E gjitha kjo nuk do të thotë se ju jeni rivali im as se është anglezi i parkut; ka më shumë njerëz të zotë të cilët mund të formulojnë një frazë të tillë; e gjitha kjo do të thotë se jo vetëm që ka një burrë tjetër në jetën e Emilias, por se Emilia, kur është me mua, imiton atë tjetrin; kur ajo më puth, imagjinon se atë tjetrin po puth dhe kur unë e puth imagjinon se po e puth ai tjetri.
U turbullova shumë për të fshehur inatin tim; nuk e di nëse Emilia e ka kuptuar. Gjatë një jave u përpoqa të mos e takoja. Ajo nuk ishte jetë. Kur u kthye në shtëpi m’u duk se më la të kuptohej, edhe pse pa folur, se ekzistonte tjetri. Pa dyshim po luante, me kalamallëkun dhe besimin në karakterin e saj, të ishte ai tjetri. Nganjëherë situata ime duket pak absurde dhe mjaft jofisnike. Por a nuk është absurde e gjithë kjo dashuri? Filania me të vërtetë të jetë kaq e mrekullueshme? A mund ta justifikojë filania që unë të luaj mendsh për të? Dhe pse është më fisnike dashuria e shpërblyer se sa ajo pa interes dhe pa shpresë? Ndoshta ndonjëherë ju keni menduar se unë jam më i pafati i burrave. Unë e di se Emilia nuk do të ishte me pak. Ju do të thoshit se që ta kesh siç unë e kam nuk do të thotë ta kesh. Ka tjetër mënyrë për të pasur dikënd? Edhe pse jetojnë bashkë, prindërit dhe fëmijët, gruaja dhe burri, nuk e dinë se gjithë komunikimi është iluzion dhe se në fund të fundit secili ngelet i izoluar në misterin e tij? Unë kërkoj vetëm që rivali im të mos e trajtojë shumë mirë, sepse atëherë ajo do të më linte, dhe që të mos e trajtojë shumë keq, sepse atëherë ajo, e cila e imiton, do të më trajtonte shumë keq mua. Kohët e fundit kaluam një periudhë të stuhishme, por për fat mbaroi.
Përktheu nga spanjishtja: M. G.










Be First to Comment