Press "Enter" to skip to content

Vaid HYZOTI: Tavolina e ushtarit

http://tbn1.google.com/images?q=tbn:KQJ91cnwq5I3tM:http://www.bijteeshqipes.us/Promovim-Roland-Gjoza-dhe-Vaid-Hyzoti-1.jpegKamarierja na drejtoi për te tavolina e fundit:
– Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,- tha si e zënë më faj.
Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj “të ushtarit”. Kisha pirë kafe dje në këtë bar me emrin “Shqiponjat”. Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi, kur dallova që larg flamurin shqiptar dhe atë amerikan në farfuritje. Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe, që ishin zyra apo dyqane të vogla, minimarkete. Sa hyje brenda, të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë. Madje, edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond. Ja, tavolina e Rozafatit, e Krujës, e Saradës, e Tiranës…
Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emër, as kishte ndonjë pikturë apo fotografi. Dy rekuizita të vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë, tjetra ende e përgjakur.
– Mos u habisni që kam shpëtuar. Nuk ka plumb ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin! Jo vetëm në Falluxhah të Irakut, por dhe në Polin e Veriut, në xhunglat e Afrikës, kudo që ka terroristë, jam gati të shkoj, – e kishte nisur fjalimin djeshmen djaloshi, i cili ishte i veshur me uniformë marinsi.
Askujt nuk po i bënin përshtypje fjalët e tij patetike. Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë. Vetëm ca të pranishëm e shihnin me keqardhje dhe pëshpërisnin: ”Sa djalë i mirë ka qenë. U bë gjytrym për tekat e të atit.”

* * *
Kamarierja, si duket, e kuptoi hezitimin tim:
– Mos u shqetesoni. Besmiri, ushtari pra, nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital , i shkreti! Rrini të qetë dhe mirë se erdhët!
Zumë vend. Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria, u bë me krahë që po gjente një kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej e flitej në shqip.
– A ka fërnet këtu? – pyeti gjithë afsh.
-E do “Branca” apo të Tiranës, si ta duash.
– Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto, – i tha kamerieres. Pastaj na u drejtua ne: – Tani këtu më keni çdo ditë. Të vonohet djali sa të dojë… Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën. Po këto televizorët e dinë shqipen?
– Kemi edhe video, edhe program direkt.
– Po çfarë kanë vidiot? Humor me Koço Devolen?
Kamarierja mori një kasetë, që ia zuri dora dhe telekomandën.
– Shihe, more, po sikur e njoh këtë… A mos është ky Brahim Brahushi, berberi i Selvisë? Po ç’e paska këtë kollare të madhe si ministër. Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
Kamarierja dukej shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xha Mustafës.
– E ç’është ministri para Brahushit? Asgjë. Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve të tjerë në këtë zonë. Në një shtet tjetër ka blerë një pikë karburanti… Brahushi është dhe babai i ushtarit, – nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja, sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
– Allah! Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë, – foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me sytë nga televizori. – Pa prit, prit çfarë thotë? Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë! Zot na ruaj kaploqen, se po na bie ta shkelim me këmbë! Mirë për tregëti, po paska patur edhe shkollë?!
Në vidio një gazetar i televizionit lokal po intervistonte Brahushin, pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve. Dhe Brahusha po thoshte: ”Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut. Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura! Amerika, vendi kampion i demokracisë…”
Xha Mustafa kroi kokën me shejtani. E njihte mirë Brahushin…

* * *
Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber te Selvia. E njihnin të gjithë edhe për gërshërën, edhe për muhabetin e embël që të bënte gjatë shërbimit. Kur dilje nga berberhania e tij, e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash apo kare, por dhe ishe rruar nga xhepi. Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile, por se si qe, aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet.
Ta shihje në rrugë Brahushin, nuk e ndërroje me ndonjë drejtor a minister: i rruar taze, i kollarisur, syzet me skelet të verdhë, si të ishin larë me flori. Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash, Brahushi gjente bojë për vete, sepse kurrë nuk e kam parë të thinjur.
Sa për zanatçi, jepi hakun, qe mjeshtër. Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur. Zyrtarët e ministrive, drejtorët, shefat, kë nuk ka patur klient Brahushi! Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin. Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje, e morën vesh të gjithë. Tjetri zgjaste t’i jepte edhe pesë lekë të tjera, po mezallah se pranonte Brahushi. ”Ik dhe mirëardhsh prapë! Unë e mora hakun tim, – i tha me zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët, – se kaq do të marr përherë…” Paloka kishte dalë dhe Brahushi po u shpjegonte klientëve të tjerë: ”I bëra 50% zbritje, se ai njerën faqe e ka të djegur…”
Gazin s’e kish mbajtur asnjëri dhe, për dy-tre ditë, tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës. Kurse Paloka s’u duk më te Brahushi…

* * *
Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor. Kishte shumë për të thënë. Teksa fliste, sytë i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës.
E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë, se dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
– Vetëm një herë e takova. U poqëm si miq të vjetër. Më tha se s’po ia kalonte keq në Amerikë. Por ke par ti, Mustafë, shtoi pastaj, mua më djeg malli për Selvinë, për vendin tim. Sa kthehem në Amerikë, më vjen të vij prapë në Tiranë. Po të mos lëvizja, me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s’do të thonit më “te selvia”, por “te Brahushi”. Nuk e kuptoi njeri përse lokalit, që e kish privatizuar, ia ndërroi emrin. Madje, kur e pamë, u habitëm. Në ballë të tij shkroi ”BERBER ME POROSI”. Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber, dreqi e mori!
– Po me porosi ka punuar gjithjë Brahim Brahushi, o xha Mustafë, – desha ta sqaroja unë.
Dhe i tregova se, pasi pa që nuk e hante punën, vrau mendjen si të nxirrte lekun. Se edhe kur punonte berber i thjeshte, gjithjë plot e pati kuletë ai. Merrej me shoferat e “Albanieve”, me kontrabandë floriri. Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje, që kur erdhën, edhe e shoqja, edhe të dy djemtë punonin. Më beso, të gjithë thonin ”s’ka çuna si të Brahushit”. Në punë përditë, në shkollë të parët. Por ç’e do, i mori vetë në qafë. Ta dëgjosh djalin, të këputet shpirti. Nejse, tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmirin, njërin nga djemtë, e bëri budalla me pangopësinë e tij. Mirëpo, I sheh këta njerëz në kafe? E di si thonë? Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar…
Xha Mustafa po më shikonte i habitur. Ai s’dinte gjë ç’i kishte ngjarë Brahushit. Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat për prakticitetin e tij.
-Pa më fol më shkoqur, se më hutove krejt, – m’u drejtua si I shushatur.

* * *
Po, Brahushin e kapën në Kanada teksa shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria… E arrestuan. Zuri një avokat të mirë. E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që, për gjithë jetën, të mos shkelte në Kanada… Edhe atë “Berber me porosi” Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit, për t’i përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë. Dhe mua ma ka kërkuar, se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s’paska ç’të hajë në Shqipëri.
Xha Mustafa ende kishte ngelur i shtangur.
– Po çfarë ngjau më pas?
– Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat. Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane. Dhe e gjeti zgjidhjen: nisi lufta në Irak, aihoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë. Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe, ku shkel dhe për çfarë bën, e ndjek pas kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë. Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka ,që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan…
– Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t’i them nja dy fjalë, – xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
-Aaa, s’e sheh lehtë këtu! Tani është në Shqipëri. Përsëri me refugjatët, që duan të shkojnë në Evropë. Megjithëse dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë. S’e di në merret me tregtinë e kukullave “Barbie” që dolën me kimikate, s’e di nëse po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike. S’është çudi t’I thotë mendja se mund të zgjidhet shef i organizimit…
Qeshëm të dy për një çast. Po pinim kafe te “Tavolina e ushtarit” në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *