Press "Enter" to skip to content

Stefan Cvajg, rikthim në Paris

Stefan CvajgPrag Krishtlindjeje 2008! Një libër i ri në libraritë e Parisit, dhuratë biliofilëve dhe lexuesve të thjeshtë. Dhuratë edhe për mua nga im bir. Përsëri Cvajgu! S’është çudi, që një nga shkrimtarët më të njohur të fillimit të shekullit XX, i cili e përforconte hyrjen e shtëpisë së vet në Salcburg, për t’iu shmangur admiruesve të shumtë, të jetë po aq familjar në Francë sa edhe në Gjermani. Se Stefan Cvajg është një nga autorët më të lexuar në botë, përfshirë edhe Shqipërinë. Po interesante është se si paska pasur një novelë të bukur si kjo, me titull “Udhëtim në të shkuarën”, e panjohur deri tani për lexuesin francez. Zbulimi dhe sugjerimi i novelës në fjalë për përkthyesin i takon një studiueseje franceze të novelave të Cvajgut, që e ka gjetur në një përmbledhje novelash të autorit botuar vite pas vdekjes së tij.
“Udhëtim në të shkuarën” mund të futet në linjën e novelave të shkëlqyera të autorit si “Sekreti përvëlues” dhe “Frika” (botuar nga Grasset në kolanën “Cahier Rouge”). Për të rritur vlerat autentike të novelës premierë, Grasset, që është edhe botuesi i kësaj novele, e ka gjetur me vend që përkthimin frëngjisht ta shoqërojë me variantin origjinal në gjuhën gjermane.
Një lloj trishtimi e përshkon novelën e re të Cvajgut. Një shije e hidhur si ajo që i mbetet lexuesit kur ka lexuar “Histori të trishta me kurva” të Markesit. Në “Udhëtim në të kaluarën” ngjarjet zhvillohen gjatë luftës së parë Botërore. Po pyetjet që ngrihen janë të përjetshme: Sa e qëndrueshme është dashuria? Plaket ajo me kalimin e kohës, apo nga një tradhti ose tragjedi? Dhe ashtu si Markesi, mjeshtër gjenial i përshkrimit të ndjenjave të holla, edhe Cvajgu psikolog gjenial me artin që i buron edhe kur përshkruan një gjest apo një vështrim personazhi, hyn thellë në shpellat e nënndërgjegjes së njeriut duke e dhënë po vetë përgjigjen: është e pamundur të ripërtërihet e kaluara.
Duke pasur në dorë librin më të ri të Cvajgut “Udhëtim në të shkuarën”, botuar fundvitin e kaluar në Francë, solla në mend kujtimet e tij për Parisin1. Atë Paris që, “si asnjë tjetër kishte dhuntinë ta bënte të lumtur këdo që i afrohej… Parisin, qytetin e rinisë së përjetshme, ku çdo gur është një pjesë e historisë së Francës”, po që në kohën kur Cvajgu shkruante këto radhë ishte shkelur nga çizmja e rëndë e pushtuesve nazistë dhe flamuri me kryqin e thyer valëvitej mbi kullën Eifel. Kujtova edhe më fjalët e tij dyshuese: “A do ta fitojë sërish ky qytet mundësinë për t’u dhënë brezave të ardhshëm atë që na ka dhënë neve: mësimin më të urtë e shembullin më të mrekullueshëm për të qenë njëherazi i lirë e krijues, i hapur ndaj kujtdo dhe gjithnjë e më i pasuruar nga kjo shkapërderdhje e bukur?”. Cvajgu i dëshpëruar iku nga kjo botë me pezmin se horizonti dikur aq i ndritur i Evropës ishte i mbyllur, po me besimin që njerëzimi e ka trashëguar nga brezi në brez, se në të ardhmen ai do të ndryshojë. Profecia u realizua: Parisi u bë përsëri ashtu siç e kish njohur Cvajgu në fillim, plot dritë dhe jetë, “i hapur për këdo, por ku askush nuk arrin të hyjë në të gjitha të fshehtat e tij”. Dhe një nga të fshehtat e tij, që zbulohet herë pas here, është se ai di si të sjellë evenimente të reja për të mbetur i pavjetëruar kurrë.

1.Bota e djeshme, kujtimet e një evropiani
T. 2001. Bot. “E.Gj.”
Përktheu: A. Ristani

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *