Press "Enter" to skip to content

Sonila Meço: Deja vu

Sonila Meço“Ah, qetimi! Ngushëllimi i patreguar i sigurisë që jep një njeri, shpengimi që sjell panevojshmëria e peshës së mendimeve apo matjes së fjalëve, perkundrazi zbrazja e tyre, ashtu siç janë, pa kriter, kashtë e grurë bashkë; siguria se një dorë e besueshme do t’i shoshisë mirë ato, do të mbajë çka ia vlen të mbahet, e më pas me frymën e mirësisë do të shfryjë çka s’duhet, tutje-tëhu….”.
Kur mikja ime, rikthyer rishtaz tek unë ( megjithëse,ende si e ndehur në ajër) pas një arratie të zymtë në histori të çartura (po aq larg tokës edhe ato) me avokatë e konsulentë financiarë, dëgjoi e tretur t’i citoja me patos radhët idilikë, buzëqeshi plot cinizëm dhe me ngut shtyu prej qiellzës atë që s’e llogariste dot as softëare-i më I sofistikuar: “Boll dhe ti me qaravitjet e 1850!” Në fakt kish gabuar me 9 vite, bash në 1859 ishin krijuar nga një zonjë grua. Më iku shpejt trandja nga saktësia matematike dhe m’u zëvendësua atypari nga një tharje e beftë fyti, unë isha e dalë mode, demode, kot më kot, “hajt se folim” ( mu siç u përgjigjet fqinja e kolme 15 vjecare sharjeve të së ëmës për fundin e bluzën që “hyjnë në ujë” ende pa parë govatë me sy). Aty për aty vendosa ta kapitulloj me heronjtë e intimiteteve të saj “Më ndje që s’di të jem cool si zotëria i falimentimeve të suksesshme”. Hmmm… një gëzim i keq më pluskonte stomakut kur pashë t’i skuqeshin përvuajtshëm mollëzat, pak të ngritura sa herë paralajmeronin turrfullimë. Por në vend të shtrëngatës alpine, m’erdh një pëshpërimë si curril që kërkon rrjedhën: “Prandaj të kam mike, se di gjithcka për ty dhe ende më pëlqen shumë”. Për një dromcë të parëndësishme kohe i gjithë mllefi m’u shkri në një delir lozonjar, por po për atë sasi të papërfillshme kohe m’u ngri në një maraz edhe më të madh: “Aaaa, dmth unë që i përgjërohem miqësisë me ca radhë të ndjera, qenkam fatlume që me gjithë demodeizmin tim kam një të duruar që më pëlqen e që shyqyr Perëndisë nuk di ende pse më mban për mike”. Në vend që të mbillja farën e zemërimit tek ajo (gjendja e saj shpirtërore qe shumë më e cënueshme se imja asokohe), i shkaktova më herët një buzëqeshje e mandej të qeshura deri në gajasje, goja e saj u bë aq e madhe sa mund të sistemonte pa ngucje brenda inatin tim, zyra avokatie e bankomatë, fqinjën time alergjike ndaj rrobave, librin nga ku për dreq kisha mësuar ato radhë patetike (s’di pse më vinte më për mbarë t’i përveçoja si patologjike)….dhe në dalldinë e asaj skene, goja e mikes time mundi të shkërmoqë ndër dhëmbë me mundim ca fjalë (më shumë ngjante si frazë e teshtitur nga hundët): -Ku ishe në 3 të mëngjesit?.
-A?!!!! Sikur mos ia njihja ankthet nokturne do mendoja se qe çmendur, domosdo, nga avokatët tek financieret, rracë e pabesë. Por qe e vërtetë, ditët tona dorëzoheshin në atë orë të mëngjesit, ky gjysëm të ngrysyra e gjysëm të gdhira herë në celularë e herë në msn, qeshnim të përndezura teksa mallkonim të përzhiturit pas Bluetooth-eve dhe beqarët e verbër që hanin sapun në vend të djathit (natyrisht djathi qemë ne e sapuni notaret e palodhura të silikoneve ndër videoklipe). Po kur ajo e mori seriozisht lidhjen, e u përbetua se me çdo kusht do tranonte botën e intelektualëve, të atyre që mbajnë mbi skrivani Financial Times për të mahnitur sekretaret, apo që kafen tek Sheraton e shkarravisin fort në axhendën ditore për të shushatur po të njëjtën sekretare të re me atribute të konsiderueshme natyrisht, pashë se si më iku, cdo ditë me sms templates “See you”, po se kur?, ku? s’dija; se si bastiste dyqanet e Lingerie-ve për “tanga” si te Giselle Bundchen në reklamën e Victoria Secret, se si vraponte të zgjaste lesht e kokës e të rruante ato të vetullave për një hark tatuuar mbi sy…. E kqyrja nga larg teksa bëhej çdo ditë si protagoniste klipesh dhe mahnitej me veten sa shpejt arriti të bëhej siç donin “ata”, maniakët golfzinj të Financial Times dhe shtëpive në tarracat e 15 katësheve. Dhe sot, pa pikë turpi më akuzon se e gjithë çka iu përmbys më pas nga fjalët e ndarjeve standarte “Je shumë e mire për mua”, qe prej gjumit tim të thellë në 3 të mëngjesit. Po ç’t’i thoja më?! Druhesha në kish mësuar gjë nga e gjithë kjo. Herë pas here, në barin ku qëndronim, shoqëronte me kokë shkuarjet nga 30 herë në tualet të “zonjave” 18 vjeçare, si depozita silikoni e me albumin e radhës në duar. Isha e bindur se ende besonte në shijet e tipave “cool”, siç i quante ex-at e saj tashmë, se sërish do të bindte veten t’i nënshtrohej fizikut absolut për të qënë e sigurt kur ai ta mbante dritën ndezur gjatë seksit( si tja shpjegoja se ai e bënte për të mos i ngatërruar emrin), se sërish do t’a mbarste me një “See you” outbox-in për të ma dërguar nga parukeria tek blloku, se do ta shtynte edhe një vit masterin për ta bërë në një gjendje “më të qashtërt shpirtërore” sic thosh edhe vetë….. e gjitha për “nënshtrimin” e parfumit Fahrenheit të radhës…. e atij që e shihte si “tepër të mirë për të”. Qenë përpjekjet e përsëritura të saj apo trill i déjà-vu-se time?( i kisha rijetuar këto skena, patjetër). Nuk i mbajta inat, as atë ditë e as më pas. Nuk ia vlente. Veç desha t’i ulërisja një herë fort fytyrës (megjithëse do të më duheshin tonelata toniku për t’ia zhbërë levozhgen grimore deri në lëkurën biologjike): ” Mblidh mendtë e krisur, s’do gjesh më sy e vesh për ty në 3 të mëngjesit!”. Nuk e bëra, përpos guxova sërish të citoja zonjën fisnike të shekullit XIX. Mike, celulari e msn-ja u shpikën një shekull më vonë!

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *