***
Ajo nuk e kupton
që unë e kaloj natën
duke numëruar të qeshurat e saj
teksa fle…
Ndërsa ajo zgjohet në mëngjes
dhe pyet fallxhoret
se cili është djaloshi
që e bën të qeshë në ëndërr.
***
Sa herë që vonohesh,
bëj gati shkopin, shpatën dhe trekëmbëshin,
por me të mbërritur,
më kujtohet vetëm
trëndafili, që e mbaj fshehur pas shpine.
***
Si çdo fshatar tjetër,
e kam të pamundur të them: Të dua…
Sa herë që dua ta thyej këtë traditë,
nga goja më del: Si je?
Prandaj, më fal, por unë ty (si je shumë)
***
Stuhia,
ajo e vërteta,
ndodh kur kalon ti.
Asgjë pas kalimit tënd
nuk është si më parë.
***
Tani,
e kemi të mundur t’i gëzohemi dashurisë.
Gjithçka që mund të bëjmë
është që t’i shkulim thikat,
ato që të dashurit tanë i harruan në zemrat tona,
dhe me thjeshtësinë më të madhe,
t’ua kthejmë,
si dhurata.
***
Edhe kur jemi fillikatë,
veç me veten tonë,
qëndrojmë me orë të tëra,
duke restauruar shpirtrat,
e lodhur nga malli.
***
Sa herë më mbyt malli,
nxjerr fotografinë tënde,
i marr erë,
pastaj e kthej sërish,
në vazo.
***
Ne bijtë e fshatit,
i frikësohemi rënies në dashuri,
njëlloj siç i frikësohen macet ujit,
ama, nëse dashurojmë,
bëjmë çmos
që të mbytemi në të.
***
Kaluan tre vjet,
pa lëvizur nga vendi,
pres me padurim,
të më thuash:
Mirëmëngjes!
duke i dhënë fund kësaj nate pafund.
***
Kur të them që jam mirë,
pa qenë ti pranë meje,
mos më beso,
sepse kur mungon ti,
gënjej.
***
Të jesh nga fshati,
do të thotë
që zemrën ta lësh te njeriu i dashur,
prandaj dhe,
për të huajt,
dukesh i ashpër,
pa zemër.
***
Si e kupton dikush
që ka ardhur mëngjesi,
nëse nuk ka një të dashur
që i thotë:
Mirëmëngjes?
Shqipëroi nga arabishtja: Elmaz Fida
Sejid El-Adisi (1973–2026) poet dhe gazetar me origjinë nga jugu i Egjiptit. Konsiderohet si një nga zërat poetikë të veçantë egjiptianë. Poezia e tij ndërthur gjuhën e përditshme me ndjeshmërinë poetike, duke trajtuar dashurinë, mallin, kujtimet dhe jetën njerëzore. Veçantia e tij qëndron në aftësinë për ta shndërruar të zakonshmen në poezi dhe heshtjen në rrëfim emocional. Ndër veprat e tij më të njohura janë: divani me poezi “Si je, shumë mirë?”, “Vdes që emri i saj të mbetet sekret” dhe “Mirëmëngjes, pothuajse”. Ka botuar gjithashtu romanin “Mullinjtë e pasionit”. U nda nga jeta më 3 maj 2026, në moshën 52-vjeçare, nga një atak në zemër.


