Çdo të premte pasdite, zonja Van Song, pasi mbaronte turnin e saj të punës, ndalej te marketi i pijeve “Rose’s Liquor”, pak pasi kalon urën mbi lumin Misuri, në Counsel Bluff. Aty e kishte zakon të blinte biletat e llotarisë, për të cilat shpresonte dhe ëndërronte se një ditë do ta bënin milionere.
Kur zgjidhte biletat, merrte dy ose tri nga lotaria “Megamillion”, një nga lotaria e shtetit Iwoa dhe, kohët e fundit, për ta ndërruar pak gjellën, kishte filluar të merrte edhe biletat e lotarisë “Diamant Dazzler”.
Mbrëmjeve, kur kontrollonte në kompjuter nëse kishte fituar ndonjë dyshkë apo jo, para se ta ndizte kompjuterin bënte deklaratat se çfarë do të bënte me milionat.
– Djalit do t’i blej një shtëpi të madhe dhe ca hektarë pyll përrreth, që të rrisë bletë. Ndërsa vajzës, edhe asaj do t’i blej shtëpi, por do t’i paguaj edhe paratë që të mbarojë universitetin e Harvardit.
– Po mua, aman, zemër, çfarë do të më japësh?- e pyeste me të qeshur i shoqi, zoti Tran.
– Ti nuk do shkosh më në punë, në atë punën e qelbur ku zhgërryen duart të zhbllokosh kanalet e ujërave të zeza të qytetit. Dhe, kam edhe një surprizë tjetër, por nuk ta them…
– Aman, ma thuaj, shpirt të kam, se nuk më zë as gjumi dhe ti e di pastaj që jo vetëm unë që do mbytem nga kolla gjithë natën, por edhe ti do të mbetesh pa gjumë prej saj.
– Ty do të të gjej doktorin më të mirë në gjithë Miduestin dhe do ta paguaj sa frëngu pulën që të bëhesh si kokrra e mollës…
E gjithë atmosfera e premtimeve nuk mbaronte me aq. Zonja Song, nga fitimet e mundshme, premtonte nga pak edhe për motrat, vëllezërit, nja dy shoqe të ngushta, për një plakë me të cilën kishte udhëtuar me avion nga Saigoni në Chicago, madje, edhe për parukieren ku shkonte të priste flokët një herë në muaj.
Këto premtime përsëriteshin çdo javë si psallm, të premte për të premte, në darkë. Por kur dilte që ekranit të kompjuterit i vrenjtej fytyra dhe i thoshte zonjës Song “As këtë herë nuk ke fituar” , asaj sikur i priteshin krahët dhe kujtohej se duhej të gatuante diçka për ta marrë në kutinë e ushqimit me vete për të nesërmen në punë. Dhe gjithashtu ndërmendej se duhej të zgjohej që në pesë të mëngjesit.
Të enjten e fundit, zoti Tran kishte vajtur tek doktori dhe ai e kishte diagnostikuar me një sëmundje, që, ai, ngaqë ishte shokuar aq shumë, nuk ia mbante mend mirë as emrin. Kujtonte vetëm se doktori i kishte kërkuar të zhvishte gjithçka kishte në trup dhe të shfaqej si e kishte bërë nëna. E kishte prekur te topet, i kishte futur gishtat nga pas për të provuar nëse kishte shenja të prostates dhe në fund i kishte thënë:
– Njerëzit me sëmundjen tënde kanë dhjetë ose e shumta pesëmbëdhjetë vjet jetë. Më vjen keq që ta them, por jam i shtrënguar të ta bëj të ditur.
Zoti Tran qe bërë dyllë i verdhë dhe mezi e kishte ngarë makinën në kthim, një Ford rangall, nga klinika “Good Samaritan” deri te shtëpia në Bellevue. Kur hyri brenda, zonja Song po nxirrte nga furra picën që kishte vënë të piqej. Ajo e vuri re që Tran qe bërë si meit në fytyrë:
– Honey, why are you so mad?*
– Sepse doktori më tha se kam edhe dhjetë ose e shumta pesëmbëdhjetë vjet jetë…
Atë natë, Song dhe Tran pothuajse nuk vunë gjumë në sy. E premtja zbardhi me një diell të ftohtë, rrezet e të cilit shkonin përskaj çatisë së pjerrët me katrama të zezë dhe binin mbi larat e borës së fundit, që kishte dy javë që ishte bërë kallkan prej temperaturave nën zero.
Të nesërmen, kur Song mbërriti te marketi i pijeve “Rose’s Liquor”, të blinte biletat e lotarisë, pronari, një burrë indian, që e njihte gjithë lagjja Cunsel Bluff si “Fytyrë qeshuri Mupana”, i tha:
– Zonja Song, kam dy lajme për ty. Një lajm të keq dhe një lajm të mirë.
– Lajmin e keq mos ma thuaj, se kam unë vetë një; më të keqin që mund të ketë ndokush në qytet. E kam burrin të sëmurë. Por, ma thuaj të mirin.
– Më vjen keq për ty! – tha Mupana. Epo, mirë atëherë. Javën që shkoi, ti bleve edhe një biletë të lotarisë “Diamant Dazzler”. Ajo të ra në dysheme dhe ti nuk e vure re. E gjeti pastruesja e marketit, Laura, e cila ma dha mua. Unë e mbajta mend se ti e bleve atë biletë. E ruajta, madje e skanova edhe në kompjuter të shihja nëse kishe fituar apo jo…
– Dhe…? – pyeti me habi zonja Song.
– Dhe pashë që ke fituar plot dy milionë dollarë.
Zonja Song nuk po u besonte veshëve. Një pah drite sikur ia zbardhi fyryrën dhe thellë në sy i përshkënditi një gacë prej një zjarri të pashuar, që shfaqej herë pas here kur ajo as që e priste.
Kur mbërriti në shtëpi qe muzg. Qe ndalur të blinte limona për Tran, prandaj qe vonuar. Tran e priste tek porta si gjithnjë, sapo dëgjonte makinën të hynte në rrugicë.
– Honey, kam fituar lotarinë “Diamant Dazzler”. – I tha dhe e puthi në buzë.
– I love you honey – ia ktheu Tran. – Tani ti ke mundësi t’i mbash premtimet.
Vërtet ke pesëmbëdhjetë vjet që i blen këto bileta. Vërtet më shumë je dëshpëruar sesa je gezuar, ama Zoti të pa dhe ta dha një fitore më në fund.
– Në fillim, Zoti ia dha fitoren Mupanës. Ai mund ta mbante edhe për vete, se nuk janë pak, por dy milionë dollarë. Por ai na e dhuroi ne, ty dhe mua, fitoren e tij. – tha Song dhe ia sqaroi fill e për pe se çfarë ndodhi me biletën e humbur.
– Jepja atij gjysmën e fitores – tha Tran, pa kurrfarë mëdyshjeje, a thua se po ndante më dysh një tortë për dikë që e kishte kapërcyer një shekull jete.
– Do të mbaj premtimet, ato të ëndrrës, atë do të bëj – tha Song prerazi.
Zonja Song nxorri një shishe verë të vjetër, që e ruante prej njëzet vjetësh në komodinë. I mbushi dy gota dhe tha se donte të bënte një urim; shenjë kjo e dëshirës për të festuar fitoren. Por, ende pa e ngritur dollinë, ende pa i trokitur gotat, Tran iu lut që më përpara t’i dëgjonte një lutje.
– Honey – tha ai me një zë të butë, a thua se po këndonte ndonjë këngë në korin e kishës – Dua që gjysmën e fitores t’ia japësh doktorit tim.
– Oh, no – tha zonja Song – ta ndaj fitoren me atë që të tha edhe sa vjet jetë ke? Kurrën e kurrës!
– Honey – tha Tran – bëhu e arsyeshme. Kjo fitore u përket dy njerëzve që thanë të vërtetën: Mupanës, që nuk e futi në xhep biletën e lotarisë që ti bleve, dhe doktorit tim, që tha të vërtetën se edhe sa vjet jetë kam unë tash e tutje.
– Por ai nuk është doktori që pata ëndërruar unë të të gjej. E mban mend? Unë të pata premtuar se do të të gjej doktorin më të mirë në Midwest.
– Honey, ashtu më premtove, është e vërtetë. Doktori im, zoti Watson, mund të mos jetë më i miri, por, ama, më tha të vërtetën, edhe pse të hidhur. Dhe, më tha se dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet jetë nuk janë shumë. Por, ti mund t’i jetosh sikur do të jetosh njëqind e pesëdhjetë vjet më shumë. A më premton ti, se ne të dy bashkë do t’i jetojmë ashtu siç tha Watson?
Zonjës Song i rrodhi një rrëke loti në formën e fjalës “Po”.
____________
* Shpirt, (mjalti im) pse je kaq e mërzitur?







Be First to Comment