Press "Enter" to skip to content

Sami Milloshi: Fitorja e fundit e humbësit

Impresion (Punë në akrilik nga Sami Milloshi)

Shtëpia e zotit Uorthen ishte më e vogla në lagjen tonë. I kishte a nuk i kishte gjithë-gjithë nja gjashtëqind square feet. Një dhomë gjumi, një korridor të ngushtë sa shpatullat e zotit Uorthen, një kuzhinë me tavolinë për dy vetë, banjën me dush dhe kaq. Por, brenda kishte aq shumë ngrohtësi sa nuk ta merrte mendja. Dialogjet e Alisias me Zimermanin ishin po ato të dyzetë vjetve më parë.
– Zemër, të ta qëroj një mollë?
– Rrofsh shpirt, por gjysmën mbaje për vete, se jam pak e rënduar nga dreka…
– A ma fërkon pak këtë shpatullën e majtë, se sikur më ka ngrirë fare?
Yes sweety, mos do një çaj me xhinxher?
– Çajin bëje për vete, se ke një kollë të thatë, që sikur më ther mua më tepër se ty në gjoks.

Në atë shtëpi të vogël u lindën tre djemtë e Uorthens. U lindën e u rriten jo si princa. Por, ama, patën fatin të dëgjojnë se si merreshin vesh mama Alisia me baba Zimermanin.
Të tre djemtë, Brajan, Skot dhe Aleks kishin dalë nga shtëpia vite më parë. Sekush ishte në punë të vet dhe rrallë takoheshin, e shumta për Thanksgiving ose për Krishtlindje. Por, ndonëse rrallë, shtëpia e tyre e vogël gumëzhinte nga të qeshurat gjer kur, nje ditë, Aleks, më i vogli prej tyre, ndërroi jetë prej një ataku në zemër.
Ikja e Aleksit i kishte pikëlluar të gjithë, por Uorthens e kishin ruajtur një rreze optimizmi në dritë të syve dhe, sa herë e ndjenin të nevojshme, e merrnin kutinë me hirin e Aleksit dhe luteshin për dy djemtë e mbetur dhe për veten.
Të tre djemtë ishin bij të borës, e donin borën kaq shumë dhe e përkëdhelnin sikur ta kishin jastëkun e gjumit. Për shkak të kësaj dashurie të pafundme për borën, ata u bënë të njohur si skiatorë të famshëm në gjithë Koloradon. Në lojërat olimpike të Soçit kishin konkuruar të shkonin të tre, por vetëm Skoti ia doli të futej në përbërjen e ekipit amerikan, pasi kishte shkëlqyer aty. Ai kishte marrë tri medalje të arta dhe ishte pritur si hero kur qe kthyer në aeroport. Tri medaljet e tij i kishin dhënë më shumë dritë shtëpisë së Uorthen, edhe pse, tashmë, më i vogli i djemve, Aleksi, i kishte shkuar parajsës, si thoshte mama Alisia…
Kur u nis për në lojërat olimpike më të fundit, në Korenë e Jugut, baba Zimermani shtroi një drekë për Skotin, sepse donte ta bekonte me lutjen e tij për suksese.
E mori kutinë e hirit të Aleksit, e vuri mbi tavolinën ku qe shtruar ushqimi, bëri kryqin dhe filloi lutjen:
– O zot, bekoje Skotin për sukses! Le të fluturojë si pëllumb, të nderojë veten dhe tokën ku u lind, malet e Kolorados.
– Zoti të bekoftë ty baba dhe ty mama!- tha Skoti me dorë në zemër. Pastaj shtoi diçka tjetër, krejt të papritur, që u duk sikur tronditi jo vetëm zemrën e plakut Zimerman, por edhe muret e shtëpisë.
– Baba,- tha Skoti. – Unë dua të marr pak pluhur nga hiri i Aleksit, ta mbaj në qafë si medalion kur të garoj në Kore… Dua të ma plotësosh këtë dëshirë.
Zonjës Uorthen i shpërthyen lotët dhe gati sa nuk iu këputën gjunjtë. Qe Brajan ai që i futi krahët poshtë sqetullave dhe nuk e la të shembej përdhe.
– Po,- tha zoti Zimerman.
Pas përgjigjes së babait, Skoti fluturoi drejt dëborës së Koresë, si askush tjetër, me medalionin më të çuditshëm që kishte mbajtur dikush që donte fat.
Mbrëmjeve, çifti Uorthen ulej përballë televizorit dhe shihnin garat olimpike.
– Të të qëroj një avokado, zemër?
– Po, por qëroje edhe një për vete se të bën mirë të ulësh kolesterolin.
– Rrofsh shpirt, hajde të ta mas një çikë tensionin, sa pa filluar gara e Skotit.
Garat e Skotit filluan dhe mbaruan.
Skoti i medaljeve të arit, e shumta, u ngjit në vendin e dytë…
– I rëndon medaljoni i hirit të vëllait,- tha zoti Zimerman. Dhe shtoi – Prandaj nuk po i ecën fati. Nuk desha t’ia thyej zemrën e t’i thosha “jo” kur u lut për ta marrë me vete hirin e Aleksit. Dhe nuk jam pishman që i thashë “po”.
Zonjës Alisia gati sa nuk po i binte të fikët dhe iu lut Zimermanit për një gotë ujë. Ai i dha ujë me limon dhe një tablet tylenol
Tri javë më vonë, Skoti u kthye nga Korea e Jugut. Në aeroport nuk ishte ajo atmosferë e hareshme si dikur kur qe kthyer nga lojërat e Socit. Asgjëkundi nuk dukeshin shenjat e gjurmëve të heroizmit.
Por kishte dalë ta priste mama Alisia, baba Zimermani dhe vëllai Brajan. Secili me nga një tufë lulesh në dorë.
Skoti përqafoi mamanë të parën, pastaj të atin dhe, më në fund, të vëllanë. Kur i hodhi duart në qafë babait, Skoti gati-gati i pëshpëriti në vesh: “Më fal baba!”. Por, zoti Zimerman e puthi në ballë dhe me qetësi olimpike i dha të kuptojë se nuk kishte ndodhur asgjë për t’u shqetësuar e ca më pak për të thënë “I am sorry!”
– Ti humbe se fluturove për dy vetë; për veten dhe për tët vëlla, i ndrittë shpirti! Unë shoh një medalje ari në gjoksin tënd, që të tjerët nuk e shohin…

Thank you sweetie!- tha zonja Alisia, ndërsa sytë i ndritën si perla në gropëzat e lodhura në ngjyrë të verdhë…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *