Press "Enter" to skip to content

Ramiz GJINI: Një vend i qetë dhe i sigurt

Italiani Mario Bazini erdhi nga Nju Xhersi të jetonte në Bruklin, Nju Jork.
Mori me qira njërin nga katër apartamentet e katit të tretë, në pallatin nr.7315, që gjendej në avenunë e njëzetë. Edhe pse ende nuk i kishte mbushur tridhjetë vjeç, fytyra e lodhur dhe sytë gjysmë të mbyllur, e tregonin më të moshuar. Dukej i çoroditur e i zhytur në vramendje, sepse jeta i kish dhënë goditje të njëpasnjëshme, pa e lënë të merrte veten. Megjithatë, qe shtatlartë e me tipare të plota burrërore.
Zezaku David, kujdestari i pallatit, u tregua i gatshëm ta ndihmonte për të ngjitur lart në apartament mobiliet bashkë me plaçkat.
Gjatë gjithë kohës, italiani e ndoqi zezakun me vështrimin e tij shpërfillës e të përhumbur, teksa i jepte udhëzimet e duhura e duke ndërhyrë nganjëherë vend e pa vend.
David e kreu punën e tij me vullnet të paepur dhe pa çelur gojë.
– Sa ju detyrohem zotëri? – pyeti i sapoardhuri.
– Me pesëdhjetë dollarë do të mbetesha i kënaqur, – tha zezaku.
Teksa i la kartëmonedhën në dorë, italiani deshi të dinte çfarë njerëzish ishin komshinjtë.
– Njerëz të mirë, – u përgjigj zezaku. Dhe nisi të shpjegonte: – Përballë keni një çift pleqsh nga Ukraina. Nga e djathta jeton një pensionist filipinas, i cili para një viti u kthye nga shërbimi ushtarak pa këmbën e djathtë. Kurse nga e majta keni zonjushën Tamara, një ruse e bukur, që jeton e vetme.
– Domethënë është një vend i qetë dhe i sigurt, – tha ai.
– Ashtu është, zotëri. Një vend i qetë dhe i sigurt.
Dhe u largua duke fshirë djersët me peshqirin që mbante varur në xhepin e pasmë të pantallonave.
Mario Bazini u plandos sipër krevatit pa u zhveshur, me mendimin që të flinte pak kohë; pastaj do të ngrihej të sistemonte sendet.
Për gati dyzetë minuta, sido që u përpoq, nuk mbylli dot sy, sepse nga apartamenti ngjitur iu shpif lehja e një qeni; në fillim monotone, por më pas u bë më alarmante, derisa pushoi. Atëherë falënderoi zotin, sepse, më në fund, gjeti prehjen e duhur, që po e shkartiste ngadalë në krahët e një gjumi të ëmbël.
Pikërisht ato çaste ra zilja e derës.
– Djalli ta marrë! – mërmëriti me vete. Dhe u ngrit ta hapte.
Ishte Davidi.
– Më falni, zotëri, nëse ju shqetësova! Ju solla çelësin e kutisë postare.
Teksa merrte çelësin, Mario Bazini foli përtueshëm e me një ton zhgënjyes nën zë:
– Desha të marr një sy gjumë, sepse ndjehem shumë i lodhur, por nuk më la një e lehur qeni, që vinte nga apartamenti ngjitur. Lavdi zotit, tani pushoi.
– Është Maja, qeni i komshies tuaj, bukuroshes Tamara, – tha David. – Por do të mësoheni, sepse ai leh në orare të caktuara.
Qiraxhiut të ri iu duk qesharak fakti që qeni i komshies na paskësh një orar të caktuar lehjeje.
– A mund të më thoni në çfarë oraresh leh? – pyeti duke fërkuar sytë e me një buzëqeshje të lehtë në buzë.
Vështirë të kuptohej nëse e tha për humor apo e kishte seriozisht.
– Nuk di ç’tju them, zotëri… – ngriti supet Davidi. – Varet si do t’I ketë vendosur oraret zonjusha Tamara.
Të nesërmen, Mario Bazini e nisi ditën duke sistemuar në apartament gjithçka kishte sjellë me vete. Ndërsa maturonte shtëpinë, qeni lehu gjithsej katër herë me intervale të zgjatura.
Herën e parë ai filloi në orën njëmbëdhjetë të paradites dhe pushoi në dymbëdhjetë e një çerek.
Bazini shënoi në letër kohën kur filluan lehjet dhe kur pushuan. Pastaj kaloi një orë në qetësi të plotë.
Në orën një e një çerek, qeni Maja lehu përsëri dhe pushoi në orën dy e njëzetë.
Bazini rroku sërish lapsin dhe shënoi kohëzgjatjen e dytë.
Herën e tretë qeni lehu nga ora tre e njëzetë, deri në katër e gjysmë të pasdites. Kurse herën e katërt, lehjet u dëgjuan në orë shumë të vonë; filluan në njëmbëdhjetë dhe zgjatën deri në orën dymbëdhjetë pa dhjetë të natës.
Mario Bazini u tregua i vëmendshëm t’i shënonte ekzakt në letër të gjitha segmentet kohore të lehjeve të qenit të zonjushës Tamara, ndërsa në krye shkruajti: Oraret në të cilat leh qeni i zonjushës Tamara.
Siç e thamë, Mario Bazini i kish pasur të vështira rrethanat e jetës, ndaj qe bërë me stres. Nëse dëgjonte zhurma e kishte të pamundur të flinte, por edhe gjatë ditës, nëse ndodhej në shtëpi, shqetësohej e bëhej nervoz. Prandaj donte të dinte në cilat orare apartamenti i tij do të binte në qetësi prej lehjeve të qenit të zonjushës Tamara.
Ai mund të ndërtonte edhe një orar për ta administruar e mbajtur nën kontroll kohën e tij, duke i koordinuar veprimet në atë mënyrë që t’u shmangej përplasjeve me kohën kur nga apartamenti ngjitur dëgjoheshin lehjet. Nëse në këto orare ai ishte në shtëpi, mund të dilte për të shpenzuar ca kohë jashtë. Të bënte, le të themi, një pazar të vogël, të pinte diku ndonjë kafe ose të shëtiste rrugicave të parkut, që gjendej fare pranë pallatit të tij.
Atë natë, ai hyri në shtrat me mendimin se i qenë dashur shumë vite për të mësuar një të vërtetë të madhe: jeta, sido që të vinte, duhej përballuar me maturi e durim. Ndërkohë, mbylli sytë dhe fjeti i zhytur në ca ëndrra copë-copë, të përçudnuara e pa as një lloj logjike.
Mëngjesin e ditës tjetër, italiani e vari orarin e lehjeve të qenit në një gozhdë të ngulur në njërin nga muret e dhomës së ndenjes, që i binte të ishte pikërisht muri që ndante apartamentin e tij me atë të zonjushës Tamara.
I ulur në një karrige përkundëse, ndërsa gjerbte kafen e mëngjesit, Mario Bazini ia nguli vështrimin letrës së varur në mur dhe nisi të hetonte me shumë vëmendje oraret e lehjeve.
I bënë përshtypje tre fakte sa interesante, aq edhe të çuditshme. E para: koha e pushimit mes intervaleve të lehjeve zgjaste një orë. As më shumë, as më pak.
Një tjetër fakt, që e futi në mendime, ishte se lehjet, në fillim, nisnin ngadalë e në mënyrë monotone, pastaj bëheshin alarmante, a thua se ato qenë të ndërvarura nga zhvillimet e ndonjë situate në apartamentin ngjitur, të ndonjë situate, që sipas logjikës së qenit – nëse qentë përdorin logjikë – niste dhe vinte duke u përkeqësuar gjithnjë e më tepër.
Kurse e treta: lehjet fillonin me hapjen dhe mbylljen e derës së apartamentit të saj dhe, gjithashtu, përfundonin po me hapjen dhe mbylljen e derës.
Për oraret e lehjeve të qenit gjatë ditës nuk ishte problem, pasi gjatë asaj kohe Bazini do të ishte në punë. Atij i binte të kthehej me tren nga puna andej nga ora gjashtë e pasdites. Problem mbeteshin vetëm lehjet e natës, pasi qe mësuar të flinte herët.
Për tri ditë rresht, ai vuri re që lehjet e qenit nisnin dhe pushonin ekzakt sipas orarit, që tashmë ai e kishte ngjitur në murin e dhomës së ndenjes. Pastaj mbërriti e shtuna, ditë pushimi për të gjithë. Korridoreve të pallatit lëvizjet u bënë të shpeshta, sepse banorët hynin e dilnin.
Pikërisht të shtunën pati rastin të njihej edhe me zonjushën Tamara.
Ishte ora dhjetë e paradites kur ra zilja e derës.
Kur e hapi, para tij u shfaq një vajzë e re, e brishtë, me sytë bojëqielli, flokët e verdhë e me një fytyrë të pastër engjëllore. Kurrë në jetën e tij Mario Bazini nuk kishte mundur as ta përfytyronte një krijesë të tillë. Ajo shfaqje e saj qe si një llamburitje e një drite hyjnore, që i lëbyri shikimin dhe i ngjalli një ndjesi të paprovuar ndonjëherë. Iu bë sikur mjaftonte vetëm ta prekte dhe atëherë, bashkë me të, do të ngrihej pezull në ajër për të fluturuar.
– Zonjusha Tamara…? – belbëzoi.
– Ekzakt, – tha ajo dhe buzëqeshi ëmbël me buzët gjithë tul. Dhëmbët i kish të rregullt e të bardhë, si bora.
– Për atë Zot…! Kur shfaqeni para meshkujve, që nuk ju kanë parë, duhet t’u jepni kohë të mbledhin veten.
– Oh! Ju keni kohën tuaj… – tha ajo, duke buzëqeshur sërish, tashmë me një llastim provokues prej kokete. – Megjithatë, në një farë mënyre, e pranoj që keni të drejtë, sepse njerëzit, japin dhe marrin shumë gjëra mes njëri-tjetrit.
– Unë quhem Mario Bazini, – tha ai dhe i zgjati dorën.
– Ema, – u prezantua ajo. – Ema Tamara. Dhe mirë se erdhët në pallatin tonë!
– Kujdestari i pallatit më tha që ky është një vend i qetë dhe i sigurt, – tha ai.
– Po, është e vërtetë.
Rusja e bukur kishte trokitur të kërkonte ndihmë, pasi një pëllumb pat rënë në çarkun që ajo kish ngrehur për minjtë. Ajo i shpjegoi që para disa javësh, një mi i madh ishte futur në apartament nga dritarja e kuzhinës, të cilën, për shkak të frikës nga ndonjë rrjedhje gazi, kishte bërë zakon ta linte hapur. Pas kësaj ndodhie, ajo kishte blerë një çark, që e kishte vendosur në sheshpushimin e shkallëve të emergjencës në rast zjarri, që gjendej ngjitur me dritaren e kuzhinës. Mirëpo kishte ndodhur që, në vend të minjve, njëri pas tjetrit, kishin filluar të binin në çark pëllumba. Ngase bukuroshja Ema kish zemër të dobët, për çdo herë që ndodhte, thërriste të tjerët ta ndihmonin për të hequr prenë nga çarku i shkrehur.
Kur Mario Bazini hyri në apartamentin e saj, u përball me qenin Maja, një bulldog i vogël, turizi dhe larosh, i cili, me ta parë, u acarua dhe nisi të grindej duke skërmitur dhëmbët.
– Mos kini frikë, – tha Ema. – Maja nuk kafshon. Ai më do shumë, prandaj gjithnjë bëhet xheloz e fillon të lehë kur pranë meje shikon ndonjë mashkull.
– Ka të drejtë, – tha ai. – Tani edhe unë po bëhem xheloz kur e shikoj atë pranë teje.
– Vërtet? – pyeti ajo buzagaz, duke e vështruar drejt e në ninëz të syrit.
– Vërtet, – tha ai.
Edhe pse Ema i foli qenit në rusisht dhe e urdhëroi të heshte, ai nuk iu bind aspak; përkundrazi, vazhdoi të lehte në mënyrë monotone.
Mario Bazini e hoqi pëllumbin nga çarku, që i kishte zënë qafën dhe vuri re se trupi i tij i ngrohtë ende pulsonte. Me një lëvizje të shpejtë ia përdrodhi qafën e tha:
– Ishte e sigurt që do të ngordhte. Më mirë kështu sesa të vuajë përgjatë gjithë ditës.
Rusja e bukur kish ngrirë në këmbë me krahët e përthyer në bërryla e pëllëmbët të ngritura lart. Sytë e kaltër i qenë hapur tej mase dhe kish përveshur buzët.
– Iiiii…! Ju qenkeni i pashpirt, zoti Bazini!
– Mos u ligështoni, – u përpoq ta qetësonte ai. – Ishte vetëm një pëllumb rrugësh, një pëllumb që ka humbur çdo instinkt prej shpendi të fisëm. A dëshironi ta ngreh sërish çarkun?
– Po, sepse e dua për minjtë. – tha ajo.
Në këmbë, ashtu siç ishin, ndërsa qeni lehte, ata folën për gjëra të zakonshme.
Ajo i tha se kishte ardhur në Amerikë para dy vjetësh. Prindërit e saj qenë divorcuar dhe martuar sërish; i ati me një grua tjetër dhe e ëma me një tjetër burrë. Kurse asaj i duhej të punonte për të paguar qiranë e banesës, si dhe të mblidhte para për t’u shkolluar.
Ai e pyeti se çfarë pune bënte.
Tamara i tha se kishte punuar si kërcimtare në një klub nate, por një muaji më parë klubi qe mbyllur nga policia për shkak se atje kishte ndodhur një vrasje.
– Do të dëshiroja shumë t’ju shihja si kërceni, – tha ai.
– Oh… – ia bëri Ema, duke perënduar sytë e saj të kaltër. – Kam frikë se do t’ju kushtojë…
– Hapeni gojën dhe flisni. Dua patjetër t’ju shikoj si kërceni, – e nxiti ai.
– Përse me kaq ngulm? – pyeti me të qeshur ajo, duke shtrembëruar kokën e duke larguar me dorë një cullufe flokësh, që i pati rrëshqitur mbi sy.
– Sepse më është mërzitur jeta, – tha ai. – Dhe se do të më torturojë fakti që ne të dyve na ndan vetëm një mur.
– Unë kurrë nuk e çel gojën për të folur për gjëra të tilla, – tha Ema. – Megjithatë, ka një mënyrë për t’a shembur atë mur. Hapi një sirtar, nxori prej aty një laps të zi, i mori dorën, i vizatoi në pëllëmbë shenjën e dollarit dhe shkruajti pas saj shifrën 100.
– Dakord, – tha ai, teksa mblodhi dorën grusht si të donte të mbyllte aty një kontratë, tashmë të nënshkruar.
– Ju jeni një femër seksi, e mrekullueshme.
Gjatë gjithë asaj kohe, qeni Maja nuk pushoi së lehuri. Edhe pse disa herë, bukuroshja ruse u përpoq ta qetësonte, ai për asnjë çast nuk ia ndau vështrimin burrit të huaj, që fliste me zonjën e tij.
Mario Bazini u nis të dilte. Pranë derës ndaloi, u kthye dhe pyeti:
– A nuk më thoni kur do ta kem fatin ta shoh kërcimin tuaj?
Ema Tamara u step në vramendjen e saj; pastaj hodhi sytë mbi kalendarin e varur në mur e, duke ulur zërin si të kish frikë se mos e dëgjonin, tha:
– Të dielën pasdite, nga ora katër deri në pesë e gjysmë.
– Dakord. – tha ai. – Jam i sigurt që do të jetë një kërcim i mrekullueshëm.
Teksa dilte se pse iu bë sikur çarku, që rusja e bukur kish vendosur për minjtë, u shkreh; dhe se një tjetër pëllumb rrugësh kish rënë në të.