Harku i trupit të lavires
Ngjitet brezareve të kënaqësisë
drejt pikës më të lartë të rënies.
Duke përbuzur botën përbuzëse
deh shpirtin e vet ujkonjë e braktisur
me këlysh të vjedhur.
Drapër hënor trupi i saj
përtallës i tmerrshëm i lakmisë së burrave.
Bubullimat
Në Perëndim bubullimat janë
një shkarkim banal
i barkut të qiejve.
O vetëm t’i shohësh në Ballkan,
si të prerat e lindjes:
agresive, elegante, tragjike!
Në Perëndim…
Eh, bubullimat janë si gjithkund,
veç dioptria e mallit tim
hapet e ngryset
si vetëtimë në furtunë.
Kur të hyjmë në Bashkimin Evropian
do ta bëjmë një gjerdan
me bubullima të disiplinuara.
(Ciklin e plotë e gjeni te Revista Letrare – Dimër, 2021 në Amazon)
