“Pa fjalën e fundit” është libri im me tregime që do botohet së shpejti, nga i cili është shkëputur edhe tregimi i mëposhtëm.
Nga fundi i prillit dhe fillimi i majit të këtij viti, e gjeta veten duke renditur disa tituj, të cilëve u shtoja pastaj paragrafë, si kate ndërtesash. Një shtysë e pavetëdijshme më kishte yshtur drejt idesë së tekstit si qytet. Biografizmi i përpunuar thellësisht, fakti që e kam kaluar fëmijërinë duke parë se si ndërtohej nga hiçi një qytet, kishte vepruar brenda meje.
Libri lexohet lirshëm, si çdo vëllim me tregime, duke ia vënë gishtin titullit që ju ngacmon, por rrjeta ndërtekstore e kallur në secilin prej tyre, ju sugjeron edhe një lexim tjetër, si kronologji e përmbysur. Nga e tashmja në të shkuarën, me ndalesa të ndryshme të njëpasnjëshme të kaheve, me sfidën e vrasjes së suspansës për ta rikrijuar përsëri pambarimisht.
Mos u habisni nëse në fund do krijoni idenë se keni të bëni me një roman atipik, shkruar me kapituj-tregime.
Durim Taçi
∗∗∗
Vetë pranove të shkoje në shtëpinë e saj. Në fillim mendove se kishte qenë ky gabim taktik, arsyeja e asaj që ndodhi më vonë. Ishe i bindur se po të ishe në shtëpinë tënde, gjërat me të do të shkonin krejt ndryshe. Megjithatë, duke e gjykuar tani, pas pesëdhjetë vjetësh, mëndje ftohtë, edhe pse shumë detaje të asaj periudhe të janë fshirë, je i bindur që gjërat do të zhvilloheshin njësoj, madje mund të ishin përkeqësuar ca më shumë, siç edhe ndodhi, në fakt, kur ajo zu të vinte rregullisht në shtëpinë tënde.
Do të duhet të lësh edhe një shënim për Enean. Nëse rastësisht do të ndalej te ky tekst, do ishte mirë të lexonte më parë edhe tregimin “Gurë dëbore”, pasi aty zbulohet një fakt i rëndësishëm që është edhe çelësi i interpretimit të këtij tregimi.
Shpejt do ta kuptoje që ti nuk mund të ishe patronazhisti ideal. Ky ishte problemi! Nuk të ishte kërkuar ta mbroje, ta përkrahje apo të tregoje kujdes për të, se nuk ishe as më i madh e as më i fortë. Ti ishe dhjetë vjeç, një çunak i imët e i ndrojtur, kurse ajo katërmbëdhjetë, një vajzë që kishin filluar ta shikonin me lakmi djem të rritur dhe, për fatin e saj të keq, edhe burra. Për ty, nga paraqitja ishte vetëm një qukëse flokëkuqe me qerpikë të verdhë. Ta kishin caktuar, se ishe më i aftë në mësime. Kaq. Ajo kishte mbetur në klasë katër vjet me radhë dhe ti ishe menduar si njeriu i duhur që do ta ndihmoje të kalonte, më në fund, filloren dhe të hidhej në ciklin tjetër, atë tetëvjeçar. Askush nuk parashikonte që patronazhisti duhet t’i kishte të gjitha.
Ishte tremujori i tretë, koha kur intensifikohej fushata e marrjes në patronazh të nxënësve më të dobët. Mësuesja kishte marrë urdhër të prerë. Duhej bërë ç’ishte e mundur që nxënësit të kalonin të gjithë drejt ciklit të atëhershëm tetëvjeçar. Nuk duhet të ngelte më askush, por ajo duhet edhe ta meritonte kalimin, se për këtë do të kishte kontrolle të rrepta nga drejtoria dhe nga inspektorët rajonalë të arsimit.
Ty, pra, të takoi në patronazh Ektibarja ose Ekti, siç ju kishte detyruar ta thërrisnit të gjithë, se nuk i pëlqente emri i saj i plotë. Shkak që ta caktuan ty, ishte bërë në fakt një keqkuptim. Mësuesja jote ishte e bindur se ti kishe po mbiemrin e saj Skura dhe jo Skora. Ashtu ta kishte shkruar edhe në regjistër. U përpoqe t’i shpjegoje se kjo ishte një ngatërresë e madhe. Nuk ishit fis. Nuk ishit asgjë, jo më kushërinj. Ajo ishte nga Skuraj i Kurbinit, ti nga Tomorrica, thellë në jug, edhe pse mbiemrat tuaj i dallonte një germë.
– Dakord! E kuptuam, nuk e ke kushërirë, – të tha mësuesja në fund. – Po ç’rëndësi ka kjo? Ti do të marrësh në patronazh Ektibaren dhe pikë!
– Po përse nuk më lë me Qemalin mësuese?
– Jo, Qemali të tërheq prej hunde ty. Do të bëhesh ngelës edhe ti?
Çfarë arsyetimi! Qemali, një spurdhjak i ligsht e më i dobët se ti, të tërhiqte prej hunde, kurse ndaj Ektibares, e cila të fuste në rrënjë katrore për trup e për forcë, i binte të ishe pikërisht ti ai tipi që do të ushtroje autoritet. Këtu ishte e gjithë zanafilla e këtij patronazhimi fatkeq. Ti do të duhej të ishe autoritari, ai maestroja i rreptë, personi i duhur që do t’ia dilte aty ku nuk kishte mundur askush: të ulte në tavolinë Ektibaren me një shenjë të kokës, t’i imponohej, pedant, në këmbë, me duart e lidhura mbrapa, për tri orë me radhë ose edhe me një pushim të shkurtër në mes, sa për të pirë një gotë ujë apo për të shijuar qershitë e para, që do t’jua sillte e ëma e Ektibares, teta Fitnetja, që të merrnit pak fuqi e të vazhdonit me pjesën tjetër.
Që ditën e parë e kuptove që gjërat nuk mund të shkonin kështu. Ishte periudha kur Ektibarja ishte në kulmin e shoqërisë me motrën tënde, Tanën. Dukej sikur kishin rënë në ujdi të dyja për të të trajtuar keq e më keq.
Ektibares i kishte ardhur gjuha. Kjo i kishte bërë të gjithë t’i kthenin edhe një herë sytë nga ajo. Po ti e kujtoje mirë, që kur vinte me motrën në shtëpinë tuaj, para një viti, nuk e hapte gojën. Kishte filluar të fliste vetëm nga fundit i tremujorit të dytë të klasës së katërt, kur pat ardhur në një klasë me ju, por vazhdonin ta tallnin të gjithë. Mësuesja ishte e vetmja që hidhej në zjarr për të. Edhe Ektibarja e donte dhe i bindej. Për hatër të saj e pranoi edhe patronazhimin.
Aleanca midis motrës tënde dhe Ektibares ishte një forcë që rrënonte gjithçka gjente përpara. Ditën e parë të patronazhimit, ishte Tana që të shoqëroi nga shtëpia deri në lagjen “Kamp”, në Laçin e vjetër, ku banonin Skurat.
Të detyroi në fillim të bëje të gjitha punët e shtëpisë, të laje, të fshije, të shkundje dhe pastaj iu afruat zyrës postare të lagjes. Shtyu para biçikletën e postierit, lënë në këmbalec aty pranë dhe, si ia hoqi gazetat e lidhura pas në samar, ia vari çantën plot me letra përpara në shalë, i kërceu përsipër e të tha:
– Hip mbrapa!
Gjatë atyre tre kilometrave mezi arrite të mbaje baraspeshën dhe nga troshitjet t’u vranë keq të ndenjurat.
Derën jua hapi axha Zekë.
Dridhesh tani që shkruan, se e di mirë kush është.
Ashtu i skuqur dhe i shpërfytyruar, hutimit tuaj kur e patë, iu përgjigj se kishte qenë turni i tretë.
Në tregimin “Gurë dëbore”, më lart në këtë libër, ti ke sqaruar një fakt tronditës, të cilin do ta rrëfente vetë Ektibarja, shumë vite më vonë.
– Kërkojmë Ektin, – tha motra jote. Ajo nuk e thërriste kurrë Ektibare.
Axha Zekë ju la të prisnit për minuta të tëra. Merrej vesh që në shtëpi nuk kishte të tjerë. Tatë Daliu ishte paralizuar dhe e kishin çuar në dhomën e sipërme.
Kur erdhi Ekti, dukej shumë nervoze. Tana e mori veç. I tregoi biçikletën me idenë e një xhiroje para qytetit. Asokohe në Laç ishin ndërtuar dy lagjet e para, si dhe një shëtitore. Ishin shfaqur edhe aty, si në të gjithë Evropën, djem kauboj dhe vajza me minifund. Tana dhe Ekti e kishin zakon të dilnin të veshura siç ua donin shtëpitë. Me ato fustanet e gjatë fanellatë, me rrudha, me jakë rrumbullake dhe tre komça përpara. Futeshin pastaj në banjat e qytetit, ndërroheshin dhe dilnin me minifund. Ndryshimi i fundit që kishin bërë, në një mënyrë gjoja të pafajshme, ishin flokët. Prerë shkurt, të fryra përpara dhe të krehura me një pikë në mes.
– Jo, – i tha Ekti. – Ik ti, unë nuk vij. I kam dhënë fjalën mësuese Kimetes.
Por, kur u gjendët bashkë në dhomën e saj dhe ti i the të hapte fletoret, ajo u rebelua keq. Të mbylli derën dhe i vuri shpatullat.
– Provo po ta mbajti të më japësh urdhra! – të bërtiti në fytyrë dhe ti pate frikë. Ajo kishte gjatësinë e një gruaje, njësoj si motra jote. Deshe të hapje derën e të dilje. Por, në këtë moment, nuk e kuptove se si u qetësua.
– Do të përjashtojmë lëndët e fizkulturës dhe të vizatimit, se me ato ia del vetë, besoj. Të përqendrohemi tek edukata morale, matematika, gjuha, historia, gjeografia dhe dituria e natyrës, dakord?
– Atë “edukatën” mbaje për vete, – ta preu shkurt dhe doli duke përplasur derën. Tana e priste jashtë në oborr me biçikletën gati.
Ike dhe i bëre ato tre kilometra rrugë deri në shtëpi në këmbë. Mund t’i ishe ngjitur mbrapa karrocës së bukës, por në dukje mbeteshe ai djali model, që zbatonte çdo normë të edukatës që bënit në shkollë.
Në darkë, ju erdhi postieri në shtëpi. Tana me Ektin, i kishin prishur biçikletës samarin dhe në momentin që do ta dorëzonin tek posta ishin kapur prej tij.
Të nesërmen, ato të dyja, secila në shtëpinë e vet, se i kishin ndarë nga njëra-tjetra si shoqe, do të të urrenin edhe më shumë, pavarësisht se nuk ishe ti shkaktari.
Tani do të bëje jo vetëm punët në shtëpinë tënde, por edhe në të sajën. Ekti të detyroi të uleshe në vendin e saj, për t’i bërë detyrat e shtëpisë. Vetë kishte marrë pozicionin tënd, të sillej rrotull me duart e lidhura pas, derisa të mbaroje.
Nuk the asgjë për gjendjen në të cilën ndodheshe. Në shtëpinë tënde, Tana nuk fliste, ndërsa në shkollë, mësuese Kimetja u duk e kënaqur kur e çoi Ektin në gjeografi.
Edhe ti u habite. Ku kishte mësuar?!
Kurse të nesërmen, u tregua për herë të parë e vëmendshme. Zgjidhi vetë edhe një problem aritmetike.
Matej të fliste me ty gjithë kohës, por e bëri vetëm kur ti do ikje. Ishte e gëzuar. Mendove, me habi, se do ta linin, më në fund, të takonte Tanën. Këtë lajm prisje dhe u çudite se si nuk ta kishte thënë më parë motra.
– Iku axha Zekë! – të tha me një ndjesi çlirimi dhe hareje, që ty të befasoi. Edhe ti nuk e kishe qejf atë tip, kështu që e pate krejt të lehtë t’i bashkoheshe gëzimit të saj. Nga ajo ditë, filloi të përmirësohej shumë edhe me të folurën, sigurisht jo thjesht për shkak të leximeve letrare.
Ekti dhe Tana sapo kishin rifituar të drejtën për të ndenjur sërish bashkë. Dukeshin më të kuruara. Nuk kishin më nevojë të ndërronin rrobat në banjat publike për t’u veshur sipas modës. Dilnin para qytetit dhe bënin xhiro bashkë vetëm për t’u rënë në sy djemve. Një të drejtë që dukej se e kishin fituar.
Atë ditë, pasi kishe bërë punët në shtëpinë tënde, kishe mbaruar edhe me ato të shtëpisë së Ektit, nxitove të dilje jashtë për të takuar Qemalin. Vetëm shthurja ju argëtonte. Edhe ty që ishe nxënës i mirë. Kishte mbledhur bishta cigaresh, kishte sajuar dy çibukë me shegë të pabëra, në të cilat kishte futur nga një gyp dhe po të priste të ngjiteshit lart nga kisha.
Qemali të priti gjatë. Kur u takuat, ia plase të qarit. Askujt nuk i tregove se çfarë të kishin bërë, as vetes tënde, për një kohë të gjatë. Ishte dita e fundit e patronazhimit.