Press "Enter" to skip to content

Miri DHRAMI: Divani i dajës

Miri DhramiBesoj ta ketë hedhur daja divanin e vjetër përgjatë kuzhinës së ngushtë, që në ditët me miq kthehej në shtrat. Format e sustave që shtynin lart damaskun e ronitur, shquheshin aq qartë, saqë kur doje të uleshe, ishte mirë që ndonjë nga ata rrathë ta llogarisje në qendër të të ndenjurave. Vetëm ashtu mund të qëndroje disi. Nga ana tjetër, kjo përpjekje kishte edhe dy anë të mira: njëra ishte ideja që të krijohej, se ndoshta susta do zbutej për gjumin e natës dhe, tjetra, kënaqësia që tregonte daja, kur fshihje poshtë vetes ndonjë ngërçosje të atyre telave. Ndryshe, ndjehej keq i gjori.
Megjithëse kjo e fundit diskutohet paksa. Se daja, edhe kur ishte në pikë të hallit, vetëm buzëqeshte. Dëftonte se rronte në një botë përrallore, pa turbullime e halle. Kështu që edhe përshkënditja e imagjinatave, që ndizeshin duke ndenjur mbi atë divan-krevat, nuk mbante gjatë. Porsa çoheshe, zhgënjeheshe për të dyja ato që thamë. Sustat kryeneçe zinin menjëherë vendin e mëparshëm dhe daja i vërente i prekur, sikur atë çast ato t’i shtoheshin numrit të të pabindurave, prej të ndenjurave të mikut… Pastaj, shikimi i lënduar i tij derdhej mbi “mysafirin” që as njërën dhe as tjetrën nga ç’pati imagjinuar, nuk mundi ta realizonte. E si të mos i mjaftonte kjo, të ndenjurat e tij përfitonin edhe një rreth të zi nga poshtë, ngaqë susta e fortë ta ndalonte krejt qarkullimin e gjakut. Por kjo ishte më e parëndësishmja. Se unë, sa herë që isha gjendur në atë rol, kisha parasysh vetëm merakun e dajës, ku mbas pritjes së parë, na përcillte duke na qëlluar lehtë në sup: “Ngado që të shkosh, o bir, në darkë këtu, ë, tek daja! More vesh?! Dhe mos u vono rrugëve!” Por në atë qytet ne për ato të shkreta rrugë shkonim. A kishte kuptim fjala“mos u vono rrugëve”? Mirë o dajë, mirë, ia ktheja duke fërkuar prapanicën e dilja në shkallë, ku dëgjoja shkarazi edhe dublimin për mosvonesën që bënte dajkesha.
Pasi endesha më kot disa orë nëpër qytetin që lyhej me aksion të dielave nga vetë qytetarët, aty afër mbrëmjes kthehesha “i ngopur” me shëtitje te daja. Porsa ma hapte derën, zgjasja kokën gjithë merak për të parë nëse kish bujtur dhe ndonjë tjetër. Sikur të kishte ardhur ndonjë djalë nga fisi ynë, daja na vinte të dyve bashkë në divanin krevat, njërin nga koka e tjetrin nga këmbët. “Edhe si vëllezër, alla! Mos u goditni në gjumë!”, thoshte gjithë mirësi e shkonte i kërrusur në dhomën e lyer me gurkali. Po të kishte ardhur ndonjë vajzë nga fisi i dajkeshës, atëherë si i bëhej hallit?! Apo nuk ishin dhe të gjata e të bukura si statuja mermeri. E si të mos u mjaftonte bukuria, dreqkat ishin edhe tepër të zgjuara. Ndaj, të gjitha sa kisha njohur rastësisht, vazhdonin shkollat e larta.
Në fakt, e dija mirë se po të kish ardhur ndonjëra nga ato, patjetër do të flija përtokë, diku pas derës në korridor. Por nuk zemërohesha. Në atë rast e pranoja me kënaqësi të fjeturin përtokë, se gjersa vinte ora për gjumë, flisnim e qeshnim bashkë aq shumë, sa i duhej dajkeshës të ndërhynte me një kollë si të hyzmeqareve, që të na kujtonte se nuk duhej të tregoheshim aq të afruar… Pastaj, si i zënë në faj, unë shikoja dajën, që ende nuk e kish kuptua, pse kollitej aq rëndë dajkesha. Të kam thënë kaq herë, moj e uruar, i kthehej asaj, pa të zënë kolla, të bësh një çaj! Dhe vazhdonte të na qeshte, që ta mbante në moto harenë e mbrëmjes. Do ta bëj nesër në mëngjes, i përgjigjej ajo me nënkuptim, ngaqë plaku nuk kish nuhatur asgjë, por vazhdonte të qeshte e të fliste me ne, si të ishim vogëlushë. Por kjo s’mbante gjatë, se kolla e dajkeshës bëhej aq e fortë, sa biseda jonë zbërthehej krejt. Pastaj ndërhynte përsëri daja dhe ne rifillonim humorin e ndërprerë, por, si te çdo gjë e këputur, edhe te humori ynë dallohej plaga e ngjitjes.

* * *
Vetëm në një çast, kur përmendëm në vija të përgjithshme se si mund të ishte demokracia, humori u rrafshua. Atij i iku goja pak shtrembër, thua e goditi ndonjë paralizë. Por nuk vonoi dhe u përmend, duke na këshilluar ta ndërronim bisedën. Diskutimi ynë kaloi te filmat, prej aty te librat, mandej te rrobat, e kush e kujton më sesi përfundoi biseda atë natë të gjatë dimri, mbi divan-krevatin e dajës, siç i thoshim ungjit të babait.
Ndërkohë që flisnim, vajza nga fisi i dajkeshës tregohej e pazonja të shtypte sustën poshtë vitheve. Ndaj lëvizte gjithmonë, sa pak majtas, sa djathtas. Unë, meqë isha burrë e pak më i rëndë, bëja më parë sustën e divanit “zap,” pastaj i qeshja asaj triumfator. Nganjëherë shtypja edhe dy susta njëherësh. Po gjer aty. Më tepër as unë nuk mund të zmbrapsja. Ndaj, për të përdredhurin mbi divan, mikeshës së dajës i jepja në heshtje gjithmonë të drejtë.
Edhe për të veshurin me shije i jepja të drejtë. Bile, dhe kur nganjëherë i derdhej mbi sobë çaji ose kafeja, i jepja të drejtë. Se doja që dajesha të mos e çonte më nga divani… Me pak fjalë, pranë mbesës nuk e kuptoja sa shpejt vinte ora për gjumë, që unë të largohesha për te korridori, i shoqëruar nga një “natën e mirë” e saj, gjithë ëmbëlsi. Kurse ajo kthehej mbrapsht mbas bufesë dhe vishte bizhamat.
Tek shtrihesha, shikoja mbi mur hijen e trupit të saj të bukur, që lëvizte aq hajthshëm. Por nuk më linte era, që fuste dera e korridorit nga poshtë, ta shijoja gjer në fund. Ajo gati më çonte me gjithë lecka, ndaj dhe vononte të më zinte gjumi. Por edhe vajza mbi divan sillej e përdridhej mbi susta, sikur flinte përsipër iriqëve. Teksa e dëgjoja që mundohej të shtypte sustat me pjesët delikate të trupit, më vinte aq keq, sa s’thuhet. Kështu që, isha gati t’i thosha të kthehej në brinjë, se ndoshta ashtu trupi i saj i hollë dhe i gjatë, gjente më mirë vend duke gjarpëruar midis sustave. Por nuk fola. Kisha hall mos më dëgjonte dajkesha nga dhoma tjetër dhe e mbyste kolla pastaj…
Për vete bëja një si mur mbrojtës nga mbrapa derës, me gjithë shapkat e këpucët që gjendeshin aty pranë. Pastaj, i mbrojtur prej murit me këpucë, nisja gjumin e natës i qetë. Jo, ju gënjeva. E bëja plot ëndrra. Njëherë m’u bë sikur sustat e divanit, natën, nxirrnin mbi damask disa gishta çeliku dhe përpiqeshin egërsisht të ledhatonin gjokset e bukur të vajzës nga fisi i dajkeshës. Por unë i kisha marrë masat. Duart e mia në ëndërr ktheheshin në dara të fuqishëm, që këpusnin çdo gisht metalik të sustave të pabindura. Për pak zgjohesha. Ai troku i darës, trak, trak, trak, që këpuste gishtat e sustave gjithandej, nuk ishte tjetër veçse goditja e portës mbrapa kurrizit, që përpiqej të më rrëzonte murin mbrojtës. Ndaj, porsa më ftohej shpina, prishej dhe ëndrra. Përgjumësh ngrihesha e nisja ta rindërtoja murin me këpucë. Një çast, tek punoja ashtu në errësirë, dëgjova të qeshurën e bukur të vajzës nga soji i dajkeshës.
– Të vjen për të qeshur? – e pyeta zëulët që nga korridori.
– Po, – ma kthehu e qetë, gjë që nuk përkonte fare me gjumin mbi susta…
-Çudi! – ia bëra për t’i treguar se unë mund të qeshja më shumë me të. Ajo e kuptoi dhe në çast më pëshpëriti se nuk qeshte me mua, por me sustat e divanit që e gudulisnin keq gjithandej. Atëherë mua më ikte fare gjumi. I imagjinoja sustat si duart e liliputëve, që mundoheshin të fërkonin trupin e një Gulivereje, për ta përmendur nga helmimi i shigjetave të veta.
– Ju po i bëni trupit një masazh të rrallë, – e ngacmova në errësirë.
– Ta tregoj nesër masazhin që po bëj! – ma ktheu ajo po me humor, dhe heshti për të kuptuar se duhej të flinte ato pak orë që kishin ngelur. Duke pritur një fjalë të saj, edhe mua më merrte gjumi.
Meqë korridori ku flija, ishte pika ku kryqëzoheshin hyrjet për në dhomë, në kuzhinë e në banjë, më duhej të çohesha më shpejt nga të tjerët, që të mos pengoja lëvizjen. Vesha teshat e ftohta pa zhurmë e dola në shkallë. Pak më tutje, hyra në kafenenë që pallati i dajës kishte përballë.
I turbulluar nga nata dhe mbesa e dajeshës, rrufisja me të dredhura çajin pa aromë, që gruaja e trashë e banakut e bënte gjithmonë si shurrë. Për pak, nga pallati doli mbesa e dajeshës. Prapa xhamit ia bëra me dorë. Ajo, duke qeshur nën buzë, mori fill rrugën për te kafeneja.
– Mirëmëngjesi, si u gdhive? – më pëshpëriti si të kishte frikë mos e dëgjonte dajesha.
– Mirë, po ti?
– Si mbi susta, – m’u përgjigj dhe u ul e këputur në karrigën pranë. Për pak, duke zbuluar lehtë këmbët e bukura, më tregoi dy të nxira nga rrathët e sustave, që i fitoi po atë natë te divani i dajës.
– Më vjen keq, -i thashë, pa guxuar t’ia ledhatoja për t’ia larguar sadopak dhimbjen.
Atë mbrëmje, mbas provimit tek ekonomiku, ajo mori trenin për në fshat. Unë u ktheva përsëri tek daja.

* * *
Kur erdhi ora për gjumë, dajesha u ngrit e filloi të më shtronte mbi divan. Po tregohej pak e prekur, ngaqë sa herë i vinin mbesat, ato pa diskutim flinin në divan. Ndaj merrte një çehre fajësie, si të rrëfehej: “Dajesha të gjithëve ju do njëlloj..!” Unë, tek kujtoja rrathët e zinj mbi kofshët e bardha të mbesës së saj, një herë më shkoi në mëndje t’i kërkoja të më shtronte përsëri në korridor. Por mendova lëndimin që do të pësonte daja dhe nuk bëra zë.
– Natën e mirë! – më tha pas pak e kënaqur, ngaqë që paktën nuk ia ktheja fjalën. E mirëkuptoja gjithmonë.
– Natën e mirë! – i u përgjigja të dyve në çast, që të lija të kuptonin se, vërtet kisha për të kaluar një natë të mirë.
Pasi u përdrodha disa herë në divan, i vendosa këmbët mbi ato dy susta që, një natë më parë, kishin nxirë vajzën nga fisi i dajeshës. Duke qëndruar në atë pozicion, një sustë tjetër më shtynte në vithe, dy në shpinë, një në shpatull dhe një në zverk. I shtyrë po nga të njëjtat susta, në të njëjtat pika kyçe të trupit, ku një natë më parë ishte shtyrë trupi i mbesës së dajeshës, më zuri gjumi. Kur u zgjova në mëngjes, m’u desh shumë të kthjellohesha. Kisha parë ëndrra me partizanë dhe gjermanë…

* * *
Pasi kaluan disa vite, e takova përsëri vajzën nga fisi i dajkës. Ishte martuar dhe kishte zënë punë zyre. I dhashë dorën ngrohtësisht, si në ditët që ishim ë rinj e qeshnim gjer vonë. E pyeta për familjen. Pastaj, duke ia mbajtur lehtë dorën, u zgjata dhe i pëshpërita në vesh, sekretin e rrathëve nga sustat, që më kish munduar gjithë ato vite: “Përveç atyre dy rrathëve në kofshë, që më treguat atë mëngjes, ju kishit edhe një në vithe, dy në shpinë, një në shpatull dhe një zverk.” Ajo nuk foli. As u tregua e befasuar.
– Atëherë kisha qejf të t’i tregoja të gjitha, – më tha e skuqur në fytyrë, duke nënkuptuar edhe gjinjtë, që i mbrojti nga sustat, duke fjetur gjithë natën me sytë në tavan.
– Edhe unë kisha qejf t’i shikoja mbi trupin tënd, para se t’i stampoja mbi timin, – iu përgjigja mekanikisht. Buzëqeshi pak si atëherë.
– Unë i kam ende në lëkurë ato vula të zeza, juve ju kanë ikur? – vazhdova për t’i kujtuar netët rinore, që të mos mendonte se ato kishin mbetur shumë pas. Më buzëqeshi ëmbëlsisht.
– Më kanë ikur! – belbëzoi si e dyshimtë për përgjigjen. Pastaj më tërhoqi drejt zyrës.
Vërtet, i kishin ikur krejt…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *