Press "Enter" to skip to content

Lufta e Tretë e Mamuthëve

Pëlhurë e skajshme endur me gishta dhe mendje të hollë është kjo mjegull që mbështjell fushnajën e paanë. Nëpër ajër ndihet ngazëllimi që buron nga zemrat e njerëzve. Kopeja e mamuthëve gjendet aty pranë. Jo shumë larg kafshëve shtrirë rrafsh me rrafshin, rrafshëtarët përgjojnë gjahun me heshtat e thepisura ndër duar.
U bë gjatë që mezi e mbushin barkun me vemje dhe rrënjë. Një fërshëllimë e përhumbur e zogut të paradoksit paralajmëron praninë e gjahut. Tingujt e vetmisë përzien me fëshfërimën e fijeve të barit, tiktakun e zemrave, zukatjen e insekteve, hungërimën e shtruar baritone të mamuthëve. Gjithçka është këtu. Pas gjithë atyre lutjeve, shpresat e tyre nuk kanë humbur. Të gjithë janë në pritje të sulmit të shumëpritur. I kanë ngulur sytë te Kryeshigjetari, si një mace e egër në gjunjë, i cili fërkon dy gurë stralli mbi një copë eshkë dhe çohet në këmbë. E vendos eshkën mbi shtëllungën e barit të thatë mbështjellë në majë. Një fjollë e hollë tymi fillon e lëngon. Shtrin krahun sa hapësira e heshtës dhe e lëshon vrullshëm mbi savanë, duke shpuar pëlhurën e bardhë të mjegullës.
Si të kishin mbirë nga dheu i fushtinës, qindra zëra, klithje e heshta u vërvitën me vërtik drejt e mbi kryet e mamuthëve. Fshikullim shigjetash. Mish i shpuar në zverk. Thirrje të uritura. Rënkime kafshërore. Maja shigjetash që ngulen në kockë. Era e bajgave të mamuthëve përzier me aromën e barit të porsadjegur. Aromë e freskët gjaku. Këmbë që përshpejtojnë hapat. Hapa që pengohen nën këmbë. Trupat e mamuthëve shemben mbi të pëgërat dhe gjakun që kullon çurg mbi llucë. Sërish klithje. Dhimbje kockash të çarfalitura. Brinjë të shkallmuara. Trokthe putrash që marrin arratinë. Tre mamuthë të shtrirë sa gjatë e gjerë.
Kryeshigjetari i çan gjoksin Kryemamuthit, që po jep lëngatën e fundit me një shtizë të ngulur në sy. Fytyrat ngadhënjimtare mbështjellin trupat ende të avullt të kafshëve, që janë duke dhënë shpirt nën dhëmbë. Kryeshigjetari shkul prej trupit të ngrohtë të kafshës zemrën që përpëlitet. Me atë masë muskujsh përpëlitës dhe gjaku bubrrues, e ngul organin vital mbi majën e heshtës dhe nis e i këlthet turmës me brohoritma triumfuese.
– Fitore! Fitore! Fitore!
Shpura e fisit ia kthen me uri.
– Lavdi! Lavdi! Lavdi!
Brohoritma e fisit të Petashuqëve jehon në hapësirën e madhërishme të asaj fushnaje, që në realitet është veçse një copë fushtinë e quajtur Liliko. Hareja e tyre nuk zgjati aq sa për t’ua shuar tërësisht urinë. Një shigjetë me kërbishte kockeje në majë, e lyer me helm, përshkon hapësirën e ndezur dhe ngulet mu në syrin e Kryeshigjetarit të Petashuqëve. Si të mbirë nga dheu, Petashuqit trupvegjël gjenden të rrethuar nga fisi i Sheshtaxhinjve, zbritur nga kanionet gjigande të luginave të thella të Çupetes.
Mjekroshë e vetullzinj, veshur me lëkurë mamuthësh, Sheshtaxhinjtë udhëhiqen në sulmet e tyre përherë nga ujqër të zbutur. Të hapërdarë dhe të çoroditur nga ky sulm i papritur, të mbetur pa prijës, Petashuqit zbythen. Braktisin gjahun dhe ia japin vrapit nga sytë këmbët nëpër savanë, sërish të uritur.
Kryemjekërtari i Sheshtaxhinjve i kërren syrin e ngelur Kryemamuthit. E gëlltit të gjallë. Vështron kundërshtarin, që është duke dhënë shpirt me shigjetën e helmatisur në njërin sy.
– Uhhhfff…! – hungërin dhe syri i dridhet nga kënaqësia e këtyre pamjeve me sy të shpuar.
– Jemi ushqyer me zvarranikë të pjekur dhe supë me lakuriqë nate mbërthyer shpellave të luginës së Çupetes. Tani… jaaa! Për të gjithë! Mish mamuthiii!
Sheshtaxhinjtë brohorasin. Ujqërit e zbutur shqyejnë zhapat e këllqeve të viktimave.
– Lavdi! Lavdi! Lavdi! – brohoret e uritur turma.
Kryemjekërtari kërpitet i krekosur, pa e ditur se pikërisht brenda atij çasti, fatlum a fatkeq, lumturia e Sheshtaxhinjve është e rrethuar nga uria e fisit të Tokësheshtëve. Tokësheshtët njihen si zbutës të kuajve të egër të racës së lëngatës. Sa hap e mbyll sytë, Sheshtaxhinjtë gjenden të kapur në befasi. Topuzi i rëndë i Kryekalorësit të Tokësheshtëve përplaset mbi një nga sytë e Kryemjekërtarit, që aq e pat. I ngelur tashmë edhe ky me një sy, kërkon syrin e shkalafitur mbi rrafshin e përbaltur, shkelur nga thundrat e kuajve të racës së lëngatës. Një goditje e dytë ia ndan kafkën më dysh!
Kur vunë re se ngelën pa prijës, Sheshtaxhinjtë ia japin vrapit nga sytë këmbët, andej nga erdhën. Futen thellë luginës së ngushtë të Çupetes, që në realitet nuk është aspak një kanion gjigand, si e glorifikojnë ata, por një vrimë diku mes malesh, sa për t’i mbijetuar sulmeve të armikut.
Tokësheshtët e lidhin gjahun pas kuajve. Përshkojnë si legjionarë të vërtetë fushën e Lilikos, marshojnë luginës së ngushtë të Çupetes e dalin mbi viset majëlarta në shpatin e përndritur të Marakuja Azedos. Drejt atyre majave kryelarta, Kryekalorësi po mendon lavdinë e fisit të tij. Sepse çdo fis jeton për lavdi. Midis kësaj përkundjeje gjumëvënëse, nga ritmi i trokthit të kuajve, Tokësheshtët gjenden të rrethuar jo nga një, por nga dy fise të bashkuara. Dystabanët dhe Tokëdystët.
Dystabanët kanë një shputë këmbe mu si trung peme. Vallahi, pëllëmbën e dorës sa një putër ariu. Arma e tyre vrastare janë trarët dhe gurët, që i lëshojnë nga largësi të paparashikuara me një lloj shpikjeje, sekretin e së cilës e zotërojnë vetëm ata.
Vijnë nga Marsiano, krahinë prej nga ku vijnë edhe Tokëdystët, që, në fakt, nga Dystabanët kanë dalë, po hajde mo, histori e gjatë kjo. Dy fiset po aq sa përzihen në dasma dhe varrime, aq edhe grinden midis tyre për shenjat e territorit, hartat topografike, gardhet, muret, pronat, eposin, varrezat, puset dhe depozitat e lotëve. Përplasje të forta kanë ndodhur rreth meselesë se kush e ka shpikur djathin kaçkavall. Kush e bën më të mirë kaçkavallin? Por në raste lufte, sulmesh hegjemonie, mbrojtje territori, e shmangin debatin e vjetër të djathit dhe dinë të bëhen një e të flasin gjuhën e përbashkët të triumfit.
Tokësheshtët e çoroditur nuk e kuptojnë se gjenden nën artilerinë vrastare të kundërshtarit. Gurë që vërshojnë si breshër nga qielli, nga të gjitha drejtimet. I goditur pas koke, Kryekalorësi, nga përgjumja e vogël nanuritëse, këputet si presh nga maja e kalit drejt e përdhe, me sy të perënduar drejt gjumit të madh pa kthim. Dystabanët dhe Tokëdystët sulmojnë ballas me çomange, me ç’të gjejnë përpara tashmë. Tokësheshtët braktisin gjahun dhe grahin kuajt nga sytë këmbët, me sa fuqi u ka ngelur, për nga rrafshnaltat e ulëta të Marakuja Azedos, të cilat, në realitet, nuk janë aspak majëlarta dhe përndritëse, ashtu si i glorifikojnë ata vetë. Tre mamuthët, ngarkuar në qerret e Dystabanëve dhe Tokëdystëve, marrin udhën epike drejt Marsianos.
Toka të bëshme dhe pjellore janë këto vise të shtruara si qilim drejt detit. Për të mbërritur gjer në kryeqendrën e tyre, duhet me doemos të kalosh nga gjinjtë e bëshëm të Mare Nostrum, ku i presin Pallapetsat dhe Dërrasëpesçat, dy fiset që popullojnë krahinën e Parçës. Këta jetojnë në bregdet. Janë zdrukthëtarë, peshkatarë dhe lundërtarë, nga më të zotët e Rrafshit. Kanë përshkuar pothuajse të gjitha brigjet e kripura të lotëve. Shpeshherë në grindje me njëri-tjetrin, megjithëse nuk ndryshojnë aspak nga sho-shoqi. Si të thuash, një dërrasë i ndan. Pallapetsat akuzojnë Dërrasëpesçat se kanë një dërrasë mangët dhe anasjelltas. Por nuk mendohet se është dërrasa arsyeja kryesore e grindjes. Grindja është thjesht për hegjemoni dhe mbizotërimin e Mare Nostrum. Për trafikun klandestin me bregun tjetër të detit, ku jeton fisi Terrapiatisti, që grumbullon miellin e fushave të Marsianos.
Në marrëveshje e sipër mbi një nga kuvertat e anijeve, fillon një grindje e pa parë. Pallapetsat kërkojnë si tarifë një mamuth e gjysmë që të kryejnë transportin drejt Marsianos.
– Pesëdhjetë për qind të gjahut!
Dystabanët e kundërshtojnë kategorikisht, duke e zbritur tarifën në gjysmë mamuthi dhe as një llokmë më tepër.
– Njëzetë për qind të gjahut!
Dërrasëpesçat negociojnë, duke e rritur tarifën e transportit në dy mamuthë.
– Shtatëdhjetë për qind të vlerës totale!
Tokëdystëve u lëviz kuverta e anijes nën këmbë, duke pretenduar:
– Veç një gjysmë mamuthi dhe as një dhëmbë ekstra. Pra, një pesë përqindësh të fitimit edhe ik pirdhuni!
Plas grushti! Dystabanët dhe Tokëdystët janë bujgër që lëvrojnë arat me elb. Tërheqin qerre me drithëra. Ngrehin thasë me miell. Kanë shpikur transportin tokësor dhe artilerinë e rëndë. E kanë grushtin gur. Shkelmat i kanë predhë. Por Pallapetsat dhe Dërrasëpesçat janë detarë, të hanë të gjallë në mundje klasike dhe mbajnë frymë në sherr. Të bluajnë si mielli që transportojnë ilegalisht. Asnjëra palë s’i lëshon rrugë tjetrës. Për një arsye thelbësore. Fushat e krahinës së Marsianos nuk janë edhe aq pjellore sa të hapin kokën duke të shitur mendtë me mburrje Dystabanët dhe Tokëdystët. Janë ca fushore gërmuqe, ku të përpijnë barërat e këqija dhe kunupi. Ujërat e Bregdetit të Lotëve nuk janë gjithmonë të lundrueshme. Në kohë thatësirash, kur mungojnë lotët, bregdeti thahet; tërhiqet i gjithi duke lënë një grusht dhe.
Grushti – grusht e gjaku çurg! U la kuverta e anijes në gjak dhe gjakrat nuk po shterin qëkur në bregun ku është ankoruar anija pllakosën Pllakatorët.
Me këta nuk bëhet shaka. Pllakatorët kontrollojnë Rrafshin nga kullat e kështjellë-shtetit të gurtë të Çinos. Janë arkitektë, inxhinierë, mekanikë, gurgdhendës të lindur. Kanë ndërtuar rrugë biznesi, ura manipuluese, mure izoluese, kështjella të mbushur dingas me qypa me flori, agoranë e shifrave dhe gjësë së gjallë, cisterna me ujë të pijshëm dhe një lloj lëngu bituminoz, statuja prej mermeri ku shfaqet lavdia dhe kulla prej fildishi ku përgjohet njerëzia. Kanë formuar një lloj organizmi të gjallë, që quhet shtet. Kanë ushtri të organizuar dhe armë bronzi. Rrasa guri, ku gdhendin ligje. Harta të vizatuara në lëkurë të regjur kafshësh. Dhe harpa ku i këndohet epopesë së lavdishme të fisit.
Me të mbërritur aty, Pllakatorët i vënë prangat kryesherrxhinjve dhe vendosin rregullin:
NENI 1. Dystabanët dhe Tokëdystët (secili fis) do të marrin me vete nga një mamuth të plotë, me kusht deklarimin e pasurisë dhe pagesën e taksës për gjënë e gjallë (d.m.th. të vrarë).
NENI 2. Pallapetsat dhe Dërrasëpesçat do të marrin një mamuth të vetëm, të cilin do e ndajnë gjysmë, duke kryer njëherazi transportin e detyruar kolektiv të gjahut dhe pagesën e taksës për transportin e gjësë së gjallë (d.m.th. të cofur).
NENI 3. Pllakatorët do konfiskojnë të gjashtë dhëmbët e fildishtë të mamuthëve si vënës të rregullit dhe ligjit edhe do gjobisin fiset që u bënë shkak për sa ndodhi më sipër.
Kështu përfundoi grindja që do të hynte më vonë në histori si Lufta e Tretë e Mamuthëve. Mjegulla në fushën e Lilikos është hapërdarë. Rrezet e dritës depërtojnë në grykat e Çupetes. Ndriçon rrafshnalta e ulët e Marakuja Azedos. Shkëlqejnë edhe tokat e vobekta të Marsianos. Vezullojnë ujërat e Mare Nostrum përgjatë Bregdetit të Lotëve, brigjeve të Parças. Për së largu feks si sfinks kështjella dhe muret misterioze të Çinos. Granadijo, kryeqendra e kryeqendrave të Rrafshit. Kreshta dhe metropoli i kësaj rrëfenje si qershia në degë. Të gjitha rrugët të shpien aty.

Montreal, 2020

Autori
Flurans Ilia