Press "Enter" to skip to content

Kur ti të jesh prapë vogëlushe – cikël poetik

Kohë me një aneks të madh

Kohë me një aneks të madh
Aty lëshuar gjithë e papritura
Vazhdojmë përtej këtij deformimi
Me një ide për veten, që e kemi.

Po ndërkaq kurba po kthehet
Ndodh një realitet pak nga pak
Dhe pritja bëhet jetë
Jetë në një aneks të madh.

Shpresojmë që ky aneks mos zërë vendin e dhomës
Ku jetuam e gatuam shpresën…
Mbahemi fort në këtë ndërmjetësim
Mes të vjetrës si të re dhe të resë…

 

Kur ti të jesh prapë vogëlushe

Kur ti të jesh prapë vogëlushe
Mami do të blejë lodra
Të rriturit do të jenë të bukur
Shtëpia do të jetë e ngrohtë
Dhe rrugët veshur me lule
Për ty do presin
fjongon tënde…

Dhe bota do të bëhet botë
Kur ti të kesh gjithë çfarë nuk pate
Kur ti të jesh prapë
Krejt do t’i kesh
Kur ti të jesh prapë vogëlushe…

 

Dua një mërzi

Dua një mërzi mirëfilli,
një mërzi që nuk ngjan me tjetër,
dua të jetë e qashtër,
e ngrohtë si kraharor fëmije.

Dua një mërzi
të pastër, të pambrojtur,
si ajo e fëmijërisë sime,
me gjithë universin kundër
dhe refuzimin e përshtatjes…

Dua pikërisht atë mërzi,
që nuk i njihte fjalët
dhe vuante rrënjët nëpër sëmundje trupi
e ligështime,
pa më lënë të rritem.

Dua atë mërzi,
që e mallkonte nëna ime,
që e kujdeste im atë të mos më merrte,
që e shikonin vëngër perënditë,
që e ushtronin engjëjt
me shpëtimin.
Për Shpëtimin!

Shumë do të premtohet

Shumë do të premtohet në tokë,
mos e lër qiellin.
Do të joshin idhuj, shkrime, buzë…
Autorësia e tij është qiellit..
Shikimi nuk rrok dot gjithë horizontet.
Ai i ka, i di, i përmban, i rrok të gjitha. Qielli
Mos u tremb nga nëmi i tokës
Në qiell nuk ka emra
Ka shpirtëra që shkojnë e vijnë me një përçim tejçimi…

(Shkëputur nga cikli i plotë botuar në Revista Letrare – Pranverë 2022. E gjeni në “Art’s Librari”, Tiranë, në Amazon e në çdo librari online të botës)

Autori
Mimoza Ahmeti