Shtëpia e saj ndodhej në njërën nga ato pak rrugica të Tiranës, që i kanë shpëtuar prishjes së pandalshme.Portën, një portë të madhe veshur me llamarina dhe të lyer me një gri të shpifur , ma hapi ajo, prostituta e kthyer. E kush mund të ma hapte tjetër, përderisa ma kishte thënë se jetonte vetëm. Por sa nuk më pëlqente ta quaja prostitutë !
Si je, më pyeti dhe buzëqeshja mezi ia çeli fytyrën e përfshirë nga një zbehtësi mërzie. E çfarë prostitute mund të ketë qenë kjo, arsyetova kur, edhe pse e grimuar me kujdes e shije , dallohet menjëherë që është rreth të pesëdhjetave. Po ku ta dish, merren vesh tani kërkesat e manitë erotike të klientëve të shumtë? Ka herontofilë, që nuk do ta ndërronin kurrë një fishkaraqe të mplakur me një femër gjithë freski.
Por kjo ishte ende tërheqëse ashtu e gjatë, fisnikërisht e gjatë, me flokë të verdha që i hidhte herë pas here prapa me një gjest prej mjellme, me belin e prerë e sytë e menduar. Madje, edhe zbehtësia e bënte më interesante. Një natë më parë, në kafene më ngjau pothuaj e shkalafitur, por siç duket shkaku paskesh qënë ndriçimi i pjerrët dhe i dobët, që formonte hije të rënda në portretin e saj.
“Vuajte për ta gjetur shtëpinë time? Unë ta përshkrova saktësisht vendndodhjen.” “Po, po, vërtet saktësisht, por u vërdallosa ca me dëshirë e me mall, se fëmijërinë e kam kaluar pikërisht në një rrugicë të tillë tiranase.” “Eh…” “Por po të vështroj pantallonat; edhe pse mbahen nga një rrip goxha i gjerë, të kanë rënë aq poshtë, sa duket sikur ke dashur t’i zhveshësh.” “Eh, e kanë shtratin me prerje të shkurtër; nuk e kupton?” Unë e kuptoja, doemos, siç e kuptonte edhe ajo se desha ta ngacmoja. Por lypsej kujdes, pasi njerëzit e sinqertë e të çiltër, siç dukej të ishte ajo, të bëjnë për vete pa e kuptuar, teksa qahen e rrëfejnë hallet e tyre, madje jo rrallë të skllavërojnë. Po ç’punë kisha unë të thellohesha, nuk më trembte gjë, jo!
Kur kaluam nëpër oborrin e shtruar me çimento (me siguri këto vitet e fundit, ashtu siç duhej të ishte montuar këto vite edhe porta me llamarina) më bëri përshtypje shtëpia përdhese me qerpiçë si bukë të stivosura, tjegullat e myshkëzuara mbi të cilat gugatnin disa pëllumba dhe dyert e dhomave, të gjitha nga jashtë, të rreshtuara si të ishin dyer dyqanesh. Pikërisht në këto aste pyeta veten se kush ishte në fund të fundit kjo femër, që më ftoi me aq lehtësi për një vizitë në shtëpinë e saj dhe ia doli mbanë që ta pranoja ftesën po me aq lehtësi.
“Sa të mëdhenj qenkan kyçet e dyerve”, iu iu drejtova sa për të larguar ndonjë përsiatje të panevojshme, kur ajo i nxori nga çanta dhe e futi njërin në bravë krap-krup gjithë zhurmë, thua se do të hapej një derë kështjelle. “Prindërit e mi, të vetmit që merreshin me rinovimin e shtëpisë, vdiqën shpejt, njëri pas tjetrit ja, para dy muajve. Por në fillim të vitit të ardhshëm të gjitha këto shtëpi që sheh përqark, duke përfshirë edhe timen, do të prishen. Pothuaj e kemi mbyllur kontratën me një firmë ndërtimi.” “Aha…” “M’u desh të merrem vetë me ato problemet e pambarueshme të trashëgimisë, ndryshe nuk kthehesha në Shqipëri, që të vuaja për bukën e gojës. Mirë isha në Gjermani, punë gjeja vazhdimisht dhe, veç kësaj, shumëkush merakosej pas bythëve të mia. Atje ku banoja unë femrat ishin, o Zot, si burra.” “E poshtër je.” “Kam dalë edhe në rrugë, në semafor, siç është bërë zakon të thuhet, por jo për shumë kohë. Eh, se mos këtu kurvërohet më pak, këtu fshihen e shtiren. Më beso, në atë kohë që dilja në rrugë, më qëllonte të mos bëja një orgazmë për të vërtetë për muaj të tërë, lere mos e pyet! U dogja për një çikë intimitet, jë çikë shtëpi dhe një çikë identitet.”
* * *
Dhoma ku hymë, pajisur me orendi të vjetra, ishte e errët pus, ndonëse e madhe dhe me tavan të lartë. Dritarja e vetme binte nga veriu dhe përmbi xhama ishin puthitur gjethet e verdha të pemëve ,si qëndizma perdesh. “Më vjen keq që do të prishen këto shtëpi, murmurita duke pulitur sytë që të forcoja vështrimin. “Juve që banoni nëpër shtëpi të reja, keq u vjen patjetër, por ne na mbyti lagështia dhe, po e zgjatëm ca si shumë, shih kur të na zënë brenda këto shkatërrina. Ah, sa mirë isha në atë të uruarën Gjermani, sa mirë!” “Me gjithë mend vuan për bukën e gojës, se aty më mbeti mendja? Po nuk u njohëm ne në kafene? Ata ditëzinj që vuajnë për bukën, nuk para kapardisen nëpër kafene; ti dukeshe si zonjë e madhe!” “Ç’e pyet! Por një minutë, një minutë, se ta sqaroj unë fare thjeshtë: shkëmbej herë pas here eurot që kam sjellë nga Gjermania me lekët e këtushëm dhe mbahem. Por edhe ato të shkretat do të firojnë shpejt a vonë, ngaqë tani për tani nuk po punoj gjëkundi. “E pronat apo trashëgimitë që të takojnë, ti vetë se çfarë më rrëfeve pak më parë. Ma the shkakun pse ishe kthyer. Nuk po të kërkoj llogari, hë; dhe as që dua të rrëmoj e të shuaj ndonjë kureshtje meskine. Thjesht po paraqes interes për hallet e tua.” “Rrofsh. Po ç’prona e ç’pasuri! Ja, kjo farë shtëpie dhe ai trualli përreth. Por duro, sepse jemi ende larg finales; kam ca vëllezër, që nuk më shohin dot me sy. Po të vdisja unë, do të organizonin me bujë një mbrëmje vallzimi!” “Për Zotin je e poshtër…” “Unë kam qenë mësuese këtu në Tiranë, mësuese matematike; kam dhënë algjebër, aritmetikë e gjeometri për pësembëdhjetë vite rresht, por pastaj ç’t’i bësh, m’u desh të largohem. E di? Këtu lashë veçse një miqësi të konsumuar…”
“Epo, ç’t’i bësh, m’u desh të iki, ç’t’i bësh, m’u desh të kthehem. Je kontradiktore, dakort? Mungon logjika në gjithçka që deklaron, për të mos shtuar edhe mungesën e seriozitetit.”
“O, e ke gabim, nuk ka më normalë sesa njerëzit kontradiktorë që japin e marrin, gjersa nxjerrin një përfundim. Pse po qesh? Po çfarë të të them, unë nuk e di ende se ku jam! Ku ta vë një pikë! Me që ra fjala, përse të mos kthehem përsëri në arsim? Çfarë më mungon, apo mund të revoltohet dikush e të ulërijë: kë keni vënë kështu të na edukojë brezin e ri?! Ah, ja që duhet një gojë ë madhe…”
“M’i the e m’i parashtrove të gjitha këto edhe në kafene, madje atje ndjeva keqardhje për ty, u preka. Dhe nuk po tallem, mos më shih ashtu! Nuk bëjmë shaka vend e pa vend.”
“Aq ishte, tashmë as që do t’ia dish.”
“Kush tha? Jo, jo, por pas keqardhjes e përmbledh veten zakonisht dhe priresh ta ndihmosh partnerin tënd. Por sa shpejt njihen njerëzit sot!”
“Shpejt njihen. Nuk pyet kush më se me çfarë merresh e çfarë bën; nga ana tjetër edhe opinioni nuk përbën më një institucion edukues, e kam gabim? Por ç’po këpusim edhe ne! Sot njerëzit e kanë mendjen keyekëput te paratë!”
“Uuu!”
“Shpejt njihen njerëzit sot, por po aq shpejt edhe ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Sot të injorojnë e të zëvendësojnë pa më të voglin tundim. Ah, sa herë më është dashur të përballoj shpërfillje të tilla ! Çfarë nuk kam njohur unë, burra të ndyrë e kriminelë, por njëherësh edhe zvaranikë e qesharakë, apo edhe burra lavire gjysmipotentë, cingunë e dredhsa… Por ti e kishe fjalën pikërisht për mënyrën se si u njohëm ne të dy?”
“Ndoshta andej e mora shtysën.”
“Me sa po shoh, ti ke përpunuar një taktikë që të ndihmon realisht kur dëshiron të lidhesh me një femër. Tregohesh i përkorë e sikur nuk ke pikësynime, tregohesh mbi të gjitha edhe flegmatik dhe intrigon…”
“Nëse do të të kërkonin të shpreheshe me një fjalë të vetme, me siguri do të më quaje marifetçi?”
“Aha, mua as që më shkoi ndër mend ta shqiptoja atë fjalë.”
“Faleminderit. Po psikologji a ke dhënë?”
“Jo, ta thashë çfarë kam dhënë.”
“Duke qënë e bukur, ti nuk mund të jesh veçse një njeri i mirë.”
“Të lutem! Më kanë fyer aq ligsht e aq dhunshëm kohët e fundit, sa miklimi yt më tingëlloi përsëri fyes dhe ironik, ah!”
“Atëherë po largohem.”
“Çfarë po të largon, fati im i keq? Dale, dale, sepse je ende herët. Kot u futëm te kjo dhomë; vemi më mirë te tjetra, në fund të oborrit. Rrihet më rehat. Atje edhe gatuaj. Se ç’kam një pulë në frigorifer, kam dhe ca shishe fantastike e me siguri do të kënaqemi. Apo nuk e shtroj tryezën gjithë fantazi!”
“E shoh, kam për të bujtur disa ditë këtu. Ne të pallateve jemi nostalgjikë të sëmurë pas këtyre shtëpive të qëmotshme, apo nuk është edhe britmi i dytë, domethënë tetor! Nuk ka vjeshtë që të mos më gjejë mua të motivuar.”
“O, sa më gëzove! Po a e di çfarë më premtove?”
“Si nuk e di ? Gjithnjë e di se çfarë them e çfarë premtoj”, iu ktheva me një solemnitet fals, por në fakt dija një mut.
* * *
Dolëm përsëri në oborr dhe ajo futi përsëri, krap e krup, një nga ato kyçet e mëdhenj në derën e dhomës, që shërbente edhe si kuzhinë. Kur dera u zbyll plotësisht duke gërvitur si me dhembje, ajo ktheu kryet nga unë e më tha me zë të ulët: “Ah, shtëpitë e zbrazura zënë fantazma.J am tallur dikur me të tilla bestytni, por tani nuk ma mban. Tani turbullohem e nervozohem, kur shtyj orët në vetmi. Më bëhet sikur më thërrasin të vdekurit. Ou, ti qesh…” U lëshova me aq vrull në një divan të butë, sa për pak rashë mbrapsht bashkë me të. Dhoma ishte po aq e madhe sa e para, por më e ndriçuar. Çudi, por nuk po ndjehesha aspak si në një shtëpi të huaj. Ndoshta ngaqë me atë punën time jam mësuar të hyj e të dal ngado, që nga shkollat e kopshtet, deri në kryeministri apo presidencë. “Më bën një kafe në fillim? Nuk mbahem dot në formë, po qe se nuk pi herë pas here kafe.” “Posi! Po bëj dy, ta pi dhe unë me ty. Mos pandeh se më pëlqejnë lokalet a çfardo mjedisesh të tjera publike. Përkundrazi, më janë pështirosur edhe ato sa nuk thuhet, megjithatë kam shkuar gjer dje sa për të takuar ndonjë të njohur, apo çka është më e rëndësishme, për të më parë ca e ca, që të mos kujtonin se kisha ngordhur.” Fillova ta këqyr tek lëvizte në dhomë, ndërkohë që gjerbja kafen nga një filxhan i bardhë dhe i thellë. Ajo u ngacmua nga vështrimi im, buzëqeshi djallëzisht e tha: “Ktheje po deshe filxhanin, ta lexon motra ty! Kot, kot , sa për atmosferë.” “Më lër, se po e pi gjithë lezet. Sa kafe të mirë bëke!” Erdhi e më puthi, duke më kafshuar rrëshqitshëm e duke m’i qullur buzët. Kur u shkëput dhe u kthye prapë te punët e veta, psherëtiu: “Ah, e shkreta unë, e shkreta unë!..” Nuk bëra zë. Por sakaq vuri një përparëse që të mbrohej gjatë pastrimit. E pra një grua, vetë e zonja e shtëpisë që po gatuante me shkathtësi, tërë sensualitet dhe që do të ulej më pas me mua ngushtë e ngushtë në një tryezë, për të ngrënë e për të pirë, të ndezulluar. Nuk ishte gjë fare zhveshja lakuriq në krahasim me vënien e asaj përparseje, që krijonte afrim e intimitet të vështirë për t’u përballuar. Vënia e asaj përparseje më bënte mua vend në atë shtëpi më shumë sesa e kundërta, zhveshja lakuriq. Po kushedi se si e ka përfytyruar jetën kur ka qenë, fjala vjen, tetëmbëshjetë vjeçe! Kushedi çfarë ka besuar e ka ëndërruar? Dhe, ja si i doli. Po se mos ne, të tjerëve, na doli ashtu siç patëm besuar e ëndërruar…
“Ah, shpirti i motrës! Po ç’më gjeti, vallë, që po të drejtohem kështu?! Sa do të dëshiroja të kthehesha në arsim! Do të ta kërkoj me ngulm, pa më ardhur asnjëherë turp, të ma bësh këtë nder. Ti mund të më ndihmosh. Oh, sikur të kthehesha edhe një herë mes fëmijëve…”






Be First to Comment