Qyteti
Qyteti po ikën,
ka ngarkuar gjithë natën
vagonë të mëdhenj me shtëpia, pallate,
rrugica, kështjella, male,
fusha të mbjella e të pambjella,
ka ngarkuar edhe palmat kokëprera
nga sëmundja që u ra,
ka ngarkuar edhe detin,
po, po, detin,
rërën, gurët, plazhet, pyjet,
gjithë ç’mban një qytet!
Veç të shohësh si rendin njerëzit si të marrë
dhe si luten:
Qytet na merr me vete,
mos na lër këtu.
E dimë, je mërzitur me ne
edhe ne me ty,
nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.
E pranojmë,
të kemi sharë,
pa edhe kemi ngarkuar valixhet,
me rroba të zbardhëllyera nga dielli,
me orendi nga ato që gjen në çdo shtëpi;
një copëz jetë kemi pasur aty!
Kemi ngarkuar edhe libra,
fotografi,
ku ke dalë edhe ti;
po, po, kemi dalë bashkë, qytet.
Mos ik qytet, mos na braktis!
Në fund të fundit ne kemi ngarkuar veç ca valixhe,
në cilin vend mund të shkosh ti pa ne?
Qytet i kujt mund të bëhesh,
nëse kërkon të ikësh nga ne?
Do qeshë bota me ne,
qytetarët që na braktisi qyteti.
Të ulemi në gjunjë qytet;
edhe ti, sado zemër të madhe të kesh,
di të nxehesh.
Mos ik, qytet!
Të gjithë të njëjtën diagnozë
Të gjithë të njëjtën diagnozë
Njëlloj sikur të ishin nxënës të një klase
Apo pasagjerë të të njëjtit udhëtim
Të gjithë heqin rrobat
Bluza
Këmisha
Triko
Xhaketa
Me kopsa
Zinxhirë
Shtrihen
Me radhë
Dhe presin
Të njëjtat pyetje
Të njëjtat përgjigje
Kur ka qenë hera e fundit
Që e ke bërë këtë analizë
Para tre vjetësh
Pra ti e di si është
Diku poshtë brinjës
Do të godas
Një herë
Dy
Tre
Derisa të mos ndjesh dhimbje
Thjesht pak
Një, dy, tre dhe kaq
Mbaroi, je mirë
Jo aq keq sa e mendoje
Ose sa kishe bindjen se
Ose sa ishe i trembur
Edhe pse thellë-thellë s’ke qenë kurrë i trembur
Tani ke kohë
Dhe pak
Dhe disa muaj
Deri sa klasa të mbyllet
Do mbyllet kjo klasë
Të gjithë do diplomoheni
Diploma do mbajë titullin:
I shëruar
Do përfundojë ky udhëtim
Të parët do zbresin
Ata që janë më keq
Të moshuarit kuptohet
Pastaj të tjerët
Ti nuk je ende i moshuar
Një arsye për t’u ndjerë i lehtësuar
Që je ai që je
Apo e kundërta?
Vizita mbaroi
Rrobat të presin
Këmisha me kopsa
Trikoja sipër saj
Me zinxhir
Dhe shalli i mëndafshtë
I habitur që e ke marrë me vete
Në një takim të tillë
Ai qëndron në qafë
Jo poshtë brinjëve
Aty ku ti nuk ndjeve dhimbje
Do t’i duhet ende të të bëjë shoqëri
Deri sa të vijë koha…
A e di?
A e di pse kaq fort të dua?
Se ti m’i njeh të gjitha
shtegtimet e shpirtit,
stinët e zemrës,
nisjet,
mbërritjet
dhe ikjet pa kthim.
Se ti,
më ke hyrë kaq thellë në mish,
në lëkurë,
je bërë njësh me mua
dhe sërish jam ndjerë
e lirë.
Dashuria jemi unë dhe ti
Dashuria është
si ti më sheh,
si më ndjen
më prek,
më flet,
më përpin,
më trullos,
më harron,
si më gjen përsëri.
Si unë të hyj në shpirt,
si bëhem një me ty,
si të jepem,
e butë dhe e egër,
e prekshme,
e paprekshme,
e dukshme
ose jo,
e afërt dhe e largët;
Dashuria jemi unë dhe ti!
Kohë të turbullta
Këto janë kohë të paqeta;
duhet të duhesh fort,
ndryshe nuk i mbyt dot turbullirat,
shqetësimet…
mund të zhytesh thellë
e rrezikon të ndotesh keq.
Nuk është e lehtë
të lundrosh ujërave të kthjellëta,
se
janë kohë të turbullta këto
e kohët e turbullta
duan dashuri të çmendura.
Në pritje të stinës së re
Befas nisa të zvogëlohesha,
t’i humbisja nga sytë vetes,
u paka,
u treta,
humba…
E aq sa mbeta
mora hov,
më çoi larg,
atje ku horizonti duket si teh i mprehtë.
Ndjeva hënën drapërushe të më qëndisej në sy
u bëra mbrëmja që i mbështillet liqenit,
vetë liqeni një pjatë e argjendtë e kthyer përmbys,
ku mjellmat elegante luajnë balet…
Në fund u shndërrova një pemëz e zhveshur
në breg,
në pritje të stinës së re.
(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2022. E gjeni në “Art’s Librari”, Tiranë, Amazon dhe nëpër libraritë online në gjithë botën)












