Press "Enter" to skip to content

Kliton NESTURI: Në Tiranë bie shi (fragment)

***

Rreth një vit a diçka më shumë, përpara se ajo të vinte përballë meje si eprore, isha kthyer nga pushimet në “Bregun e Kaltër” me miqtë e mi dhe pas një dite të lodhshme udhëtimi me tren, avion dhe makinë, po rrëkëlleja birra i vetëm në banakun e “Millenium”, lokalit tim të parapëlqyer. Gjatë verës, banaku ishte jashtë dhe unë pija cigare i qetë. Ndjesia se dikush më shikonte me ngulm, sa vinte e po më shtohej. Përtueshëm, ktheva kokën nga e majta, por nuk pashë askënd. “Alarm i rremë!”, – mendova duke buzëqeshur me vete dhe ngrita shishen e birrës. Ndërsa e ktheva paksa kokën djathtas, ndesha sytë e një vajze që më vështronin ngultas. I buzëqesha lehtë dhe më pas e përshëndeta me kokë. Ajo u ngrit dhe erdhi drejt meje. Ndjesia se e njihja, ishte e fortë, por pamja e saj më turbulloi.
Flokët e gjatë me onde i derdheshin bukur mbi supe, kurse fustani i ngushtë me një dekolte të lehtë nxirrte në pah linjat e hajthme dhe mjaft sensuale.
– Po pret njeri? – mu drejtua ajo sikur të më njihte prej kohësh.
– Jo. Madje kam përshtypjen se jam i padukshëm, – iu përgjigja i çuditur nga pyetja e saj dhe, duke buzëqeshur, e vështrova duke shtuar: – Po rri vetëm për t’i bërë qejfin vetes.
– Edhe unë, – tha ajo dhe pa e përfunduar mirë fjalën u afrua dhe u ul në krah tim. – Nuk paske më askënd që të të shoqërojë? – pyeti sërish dhe një buzëqeshje e ngrohtë ia mbushi fytyrën.
– Kam udhëtuar gjithë ditën dhe, para se të arrij në shtëpi, ndalova për të festuar kthimin, kështu që jam vetëm, – ia ktheva si me humor, por tashmë i bindur se diku e kisha njohur.
Ajo qeshi hareshëm.
– Dikur nuk rrije asnjë minutë vetëm, por duket se paske ndryshuar tip.
– Ela! – thuajse bërtita vrullshëm, njëlloj sikur të kisha shqiptuar “Eureka!”. E qeshura e saj kumboi sërish, shoqëruar me ndjenjën e kënaqësisë për befasinë që më kishte krijuar.
Takuam duart dhe u përqafuam lehtë.
– Sot u ktheva nga pushimet. Ishte ditë e gjatë dhe disi e lodhshme. As drekë nuk kam ngrënë, por kisha që nga mëngjesi që më pihej birrë, – vazhdova unë duke e ftuar të porosiste diçka edhe ajo.
– Kurse mua sot më dukej sikur, po të qëndroja edhe pak, do të më shtypte e më pas do më gëlltiste shtëpia. – ´tha ajo me një zë që kumtonte shfajësim. – Nuk jam mësuar të rri për shumë kohë brenda!
– Mirë bëre. Është bukur, kur del ndonjëherë pa plane e pa miq. – Dhe buzëqesha sërish.
– Një “Çinar” – i tha ajo ndërkohë baristit.
– Edhe një birrë tjetër, për mua!
Porositë erdhën menjëherë.
– Gëzuar!
– Gëzuar!
Në mëngjes, kur hapa sytë, vura re se isha në një dhomë të panjohur, shtrat i panjohur, orendi të panjohura,… Ajo hyri në dhomë duke buzëqeshur.
– U zgjove? Nuk e kisha menduar kurrë se ti ishe i tillë në shtrat, – tha ajo si gjysmë e druajtur.
– As unë për ty! – ia ktheva aty për aty dhe vura re se po flisja për gjëra që nuk i kisha menduar kurrë. Befas, vetja m’u duk sikur nuk isha unë, por dikush tjetër që aktronte në një ëndërr. Ndieva një bezdisje për veten.
Ela ngurroi për një çast, por pastaj m’u afrua dhe më puthi në buzë.
– Oh, këto buzë! Nuk mbaj mend të kem shijuar njëkohësisht ëmbëlsi dhe egërsi së bashku. Ke shumë pasion, kur puth. E dije? – pyeti ajo duhe u fërkuar pas trupit tim si një kotele që përkëdhelet pas zonjës së shtëpisë…
– E po… personi i duhur të jep ngacmimet e duhura, – ia ktheva përgjumshëm.
Ajo qeshi sërish.
– Të kam përgatitur kakao me briosh. Si thua, do të ngrihesh?
– Patjetër.
– Unë po të pres në sallon. Nuk më pëlqen të ha vetëm, kur jam me të tjerë.
– Erdha, – thashë dhe u ngrita ndenjur me çarçafin që më mbulonte deri në bel.
Ajo doli nga dhoma dhe unë lëviza për të zbritur nga shtrati. Atë çast nuk po më kujtohej saktësisht as koha dhe as shumë hollësi se si kisha përfunduar aty. Ca më pak se ç’kisha bërë, por, kur hyra në dush, rindërtova me sa munda, gjithçka që kishte ndodhur.

***

Nuk mbaj mend sa gjatë qëndrova në dush. Gjithsesi e mbylla rubinetin, mora peshqirin, u fshiva dhe dola nga banja. Me peshqirin hedhur krahëve, shkova drejt telefonit dhe kontrollova mesazhet. Asgjë e re.
Hapa televizorin. Një film me vrasje dhe skena të errëta. Ndërrova kanal. Po jepeshin lajmet. Diku, një njeri kishte bërë një heroizëm. Hëm! Heroi!… Këtu heronjtë vdesin më shpejt se fama që përmblidhet në pak rreshta letër ose në pak sekonda e minuta të fiksuara në kamerat televizive; pas një sekonde, shumë-shumë dy, askush nuk do t’ia dijë më për të. Heroi është thjesht një element spektakli për të zbavitur njerëzit, një objekt i përkohshëm thashethemesh. Kur dehja e suksesit të dalë dhe ai të zbresë me këmbë në tokë, do të vërejë se për të tjerët është po aq i parëndësishëm, njësoj si më parë. Në heshtje e me dhembje, do të shohë se edhe adhuruesit më të flaktë që do t’i shfaqen në fillim, dalëngadalë do t’i kthejnë shpinën. Interesi i tyre dhe komunikimi që shpërthen me vrull në minutat e para, gjithnjë tretet dhe humbet sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Adhuruesit kanë nevojë për heroin aq sa ata e ndiejnë të nevojshme, kur nevojat dhe kënaqësitë janë aq të forta, sa që për njëfarë kohe bëhen mënyrë jetese. Pikërisht në atë çast ai do të mallkojë veten dhe do ta urrejë pa ngurrim fatin e tij. Në kohët moderne, pavarësisht zhvillimit të industrisë së spektaklit dhe komunikimit masiv, njerëzit ndiejnë në hopet e sinqeritetit më shumë nevojë për veten tyre, sesa për heronj që prodhohen nga historia ditore dhe mas – media. Në fund të fundit, çdo njeri duhet ta kthejë vështrimin nga vetja dhe të bëhet heroi i jetës së vet.

 

(Fragment nga romani “Në Tiranë bie shi”.)

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *