Press "Enter" to skip to content

Jaho MARGJEKA: Kortezhi i çuditshëm

1.
Sa çel e mbyll sytë, lajmi mori dhenë. Përbiroi rrugicave të qytetit, u ngjit e zbriti prej kalasë së moçme, përreth liqenit, kah stacioni i trenit, në vend e pavend, qëndrimin e sharabajkave, vesh më vesh e gojë më gojë, në bibliotekën e madhe, në nevojtoret publike, në çajtoren e madhe, pezull mbi kokat e kalimtarëve vendas e të atyre më pak vendas. Diku u ndie një kukamë… Një shoqeje i shpëtoi nga dora shandani i bukur i çmueshëm, i sapo blerë, e njerëzia aty afër thanë: “Gjynah, kaq e re e vuan prej ngërçit”. Ca të rinj shkollarë u shamatuan me një plakë tek e panë të bënte kryqin e ia krisën gazit me zellin e saj. Për më pak se një orë qyteti u tkurr, thuajse krejt qyteti, thuajse të gjithë banorët e atij nënqielli… Qytetin e pllakosi një çudi; pleqtë, plakat pa dallim intelektual, filluan të ngrihen prej stolave të lulishteve, prej kafeneve… Çajin e la përgjysmë në çajtoren e madhe xha Samiu, miku i studentëve të qytetit. Akademiku më në zë i qytetit me rrethinë u pa të dilte nga biblioteka e madhe i zymtë e kryeshtruar, e ashtu e bëri rrugën deri te hoteli i madh e po ashtu kryelluc do të mbërrinte në shtëpi po të mos vraponin pas tij dy studentesha me “republikën” e akademikut ndër duar.
Skenën e dorëzimit të kapelës e ndoqën edhe disa turistë nordikë, për të cilët pëshpëritej se ishin spiunë suedezo-anglo-amerikano-kinezë, bile më vonë thanë se turistët e paskëshin fotografuar akademikun më në zë të qytetit me rrethinë pa kapele, bile edhe çastin bamirës kur dy studentet ia dorëzuan kapelën… E, edhe pse nuk lejohej, turistët vrapuan pas studenteshave me aparate fotografike e blloqe shënimesh në duar, kinse për ndonjë intervistë a për t’ua marrë adresat për ndonjëfarë letërkëmbimi…

2.
Por m’u atë çast, në qoshen e hotelit të madh u dha, si të mbinte prej dheut, mbikëqyrësi i shtetit për mosndodhjen e ndodhive të tilla. Megjithatë mbikëqyrësi, sipas bejtexhiut apo barcaletaxhiut më të kripur të qytetit, një mesoburrë me syze miopi e fort babaxhan, nuk u hetua të ndërhynte me përkushtimin e përhershëm. Bile ai, mbikëqyrësi, sipas barcaletaxhiut, i paskërka parë studenteshat me një vështrim gati atëror, gjë që studenteshat i kish habitur e hutuar së tepërmi. Vështrimin e çuditshëm të mbikëqyrësit të shtetit për mosndodhjen e disa ndodhive të atilla-këtilla, e ndjeu thellë edhe barcaletaxhiu më i kripur i qytetit me rrethinë, mesoburri babaxhan me syze miopi, sa një fund kavanozi, por u qetësua aty për aty, se fundja barcaletat nuk i pati nxjerrë për të keqen e shtetit e fundi i krejt fundit tha vetëmevete barcaletaxhiu, qyfyre kam bërë, se… njeriu dreqi e mori, nuk është hu gardhi…
Me fillin e këtij mendimi të lidhur nyje, ai, barcaletaxhiu u dha në pragun e çajtores së madhe… Asnjë veteran. Kthina e pleqve bosh. Nja dy kasketa e nja tre a katër bastunë dergjeshin mbi tavolina e shpinoret e karrigeve… Barcaletaxhiu rrotulloi vështrimin andej nga cepi tjetër. As ai i përhershmi, adashi tjetër i mbikëqyrësit tjetër të shtetit… Vetëm dy djelmosha e përshëndetën mrrolshëm e rrëmbyeshëm në dalje e sipër si të mos qe ai, bejtexhiu e barcaletaxhiu më i kripur i qytetit.
O Zot, ia bëri barcaletaxhiu. Mendja i shkoi te i Gjithëfuqishmi, por veç për një çast… Në këtë botë s’po merret vesh cili është i Gjithëfuqishmi e cili i Plotfuqishmi, mendoi barcaletaxhiu, i zemëruar me veten, me dreqin e të birin e u grahi këmbëve rruginave të qytetit duke mërmëritur herë vetëmevete e herë me zë:
– Hair’ ishalla, luftë ishalla…!

3.
Këmbët e çuan në anën perëndimore të qytetit, prej kah vinte vilikama… Turma e madhe, i gjithë qyteti rendte në një drejtim të çuditshëm. Barcaletaxhiut, turma i ngjau me një kortezh, me një kortezh aq të çuditshëm, që të tillë ai kurrë në qytetin e tij s’kishte parë… Për më tepër edhe se varrezat e qytetit nuk ndodheshin andej nga shkonin njerëzia. Në atë anë të qytetit shtrihej butë-butë liqeni e më tej mali i lartë, gati pjesë e qytetit apo më saktë “Ora” e qytetit, sikurse edhe fatkeqësia e tij.
Në majën e atij mali qe vendosur sa herë fati i njerëzisë së këtij qyteti, pra edhe ngadhënjimi, por edhe nënshtrimi i tij. Barcaletaxhiut i feksi nëpër mend lajmi që pati përbiruar kohë më parë nëpër qytet… Turma rendte përpara, një grumbull gjindje e shqetësuar, ca të heshtur, ca të gëzuar… Barcaletaxhiu u ngrys, fytyra iu terrua. Ngrysjen e fytyrës së tij e hetoi plaka më e vjetër e qytetit me rrethinë, e cila mbante mend luftëra, rrënime, vrasje, përdhunime, lindje, martesa, vdekje e çfarë s’mbante mend; dasmën e saj, natën e parë të martesës, lindjen e shtatë djemve, vdekjen e të shtatëve, më i fundit lidhur këmbë e duar në hapsanën e qytetit.
Plaka më e vjetër e qytetit, me vështrimin e mbërthyer në mesin e ballit të barcaletaxhiut më të kripur të qytetit, bëri kryq…
Ai, më në fund, kish folur dhe e kishte pyetur plakën se ç’po ndodhte në qytetin e tyre, por ajo, pa i dhënë përgjigje, e kish pyetur pse ai qe aq i mërzitur, kur sipas saj s’kish ndonjë arsye…
Barcaletaxhiu kishte thënë se kishte një arsye për t’u mërzitur dhe e paska pyetur plakën, si më e vjetra e qytetit, se si bëheshin varrimet në kohën e saj të vashërisë…
Mu atë çast, plaka më e vjetër e kish hedhur vështrimin andej kah ish drejtuar “dylbia” e barcaletaxhiut dhe, jo pa habi, kish parë atë ç’ka e pat hutuar së tepërmi edhe bashkëqytetarin e saj.

4.
Në bishtin e turmës qindra-mijëshe, që me një regjistrim të saktë mund ta kalonte dhe dy a tre milionin, rendte çalë-çalë një makinë e zezë, që, o Zot, sa shumë i ngjante një makine varrimi…
Barcaletaxhiu më i kripur dhe plaka më e vjetër bënë të hiqeshin më një anë, por turma i rrëmbeu përpara.
Atij edhe një herë i shkoi në mendje ta pyeste se si bëheshin varrimet në kohën e saj të vashërisë, por aty për aty mendoi se në ato mote ndoshta nuk qe shpikur akoma automobili.
– Hej, dreq, – tha barcaletaxhiu, – varrimi, varrim është, me automobil e pa automobil. Xhenazja shkon përpara robëve të gjallë të Zotit që e përcjellin e jo ata para xhenazes…
Barcaletaxhiu ofshau thellë dhe ra shahadet e ndërkohë edhe plaka më e vjetër e qytetit u pa të bënte kryqin dhe të kthehej me vrik kah bashkëqytetari i saj, duke folur edhe disa fjalë të tjera. Bile ajo paskësh dashur t’ia thoshte disa konkluzione vetanake atij, barcaletaxhiut, por ai ish bashkuar me shumicën e turmës, që thërriste në një gjuhë të pakuptueshme deri atëherë për një pjesë të madhe të banoreve të atij nënqielli. Jo se ajo farë gjuhe nuk ishte folur ndonjëherë më parë, por atyre tani se pse po u dukej që e kishin harruar…

5.
Turma rendte përpara e ajo dreq makine e zezë e varrimit pas saj. Kureshtinë e qytetarëve e ndolli një zë i fortë burri, që, sipas tij, në makinë gjendej Bukuroshja e qytetit, për të cilën barcaletaxhiu pakësh thënë një herë: “Gjynah që nuk e lejojnë Bukuroshen të parakalojë në sfilatat e bukurisë, diku, hej dreq, diku larg, gjetiu…”.
Një gërthimë tjetër, në formë zëri a tingulli njerëzor, u dëgjua të thotë se brenda gjendej gjerë e gjatë i shtrirë kryeshtetari i qytetit, i cili, sipas plakës më të vjetër të qytetit, kish vrarë veten pas dyshimit se e shoqja e paskësh përfolur në një tubim familjar, duke e quajtur humbamen pa koqe.
Në gjithë atë vilikamë, barcaletaxhiu më i vjetër i qytetit e humbi sensin e kohës dhe të realitetit e i urdhëroi këmbët ta çonin diku, në oazin e shakave të tij të kripura, të përballej me Bukuroshen e qytetit, që dhëntë Zoti të mos i kish ndodhur gjë e ligë, t’i thoshte se, sido që të bëhej në qytetin e tyre, ajo duhej të jetonte, jo vetëm për veten e saj, por edhe për bashkëqytetarët e vet, t’ua hiqte atyre sado pak ngërçin e keq, mbledhur në vite.
Ndryshe mendoi për kryeshtetarin, se, fundi i fundit, do të gjendej një tjetër më i fisëm se ai, që dhëntë Zoti të mos ketë ndërruar jetë prej sikletit të keq, të mospaturit koqe sa duhet për të shoqen.
– Paj, fundi i fundit, – mendoi barcaletaxhiu, – njëherë vjen njeriu në këtë botë…!

6.
Turma shtohej e shtohej, rritej edhe zallamahia e m’u atë çast, si prej fundit të dheut një zë çau nënqiellin e asaj dite, asaj ore, asaj minute, atij çasti… Bubulloi, vringëlloi, vetëtiu…
Zëri si tingull, si profeci ogurbardhë, kumtoi se askush s’kishte ndërruar jetë, kurrkush nuk gjendej në makinën e zezë të varrimit, por qyteti me rrethinë… po bënte prova për një varrim të madh në të ardhmen…

Shkodër, 1988 – Tiranë, 1995