“Gurit të varrit ia rrëfej” roman, Agron Tufa, botimet “Onufri”, Tiranë 2015
Çdo vit përkujtohet përvjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore dhe në mediat evropiane shtrohet pyetja se deri kur është njerëzisht e arsyetueshme, politikisht e dobishme dhe nga ana etike e nevojshme të bëhen ceremoni të tilla. Ajo që vlerësohet njëzëri mbetet dobia politike, pasi kujtohen miliona viktima të pafajshme. Duke lexuar romanin e Agron Tufës, “Gurit të varrit ia rrëfej”, kuptova se pikërisht e kundërta është e vërtetë në vendin tonë: Në Shqipëri është politikisht e padobishme të kujtohen viktimat, tragjeditë e përjetuara nga qindra mijëra shqiptarë gjatë periudhës komuniste.
Romani s’ka në dorë demonstrime marciale, ushtrime force, uniforma, dekorata, lapidarë e monumente vezulluese: ka veç rrëfimin!
Te ky roman, një vajzë e vogël qan nën pemën e lulëzuar të bajames, jo krejt veç për fatin e vet, por për tragjedinë e një vendi që ia ka vrarë edhe Zotin. Ia kanë vrarë e s’ia kanë varrosur.
Rrëfyesi gjen një dorëshkrim tek tregu i librave mbi trotuar dhe niset në kërkim të autores. E kështu, faqe pas faqeje zbulohet drama, që mund të ishte lehtësisht e shmangshme, por diabolikisht e kurdisur për ta rrëzuar me fytyrë në baltë njeriun. Për ta bërë jo thjesht dhe’ e baltë; për ta bërë pleh. E, Agron Tufa, nuk bën shaka me personazhet e prozës së tij: “presor Maringleni”, shoku Hetem Gj., Dina, Besiana, janë gdhendur me aq përkujdesje saqë të mbeten në mendje për sa të jetë kujtesa. I njohim prej përvojave tona, i kemi pasur në çdo shkollë, në çdo rajon e qelizë të jetës sonë atëherë, ndërsa sot i kemi në çdo zyrë, në çdo redaksi, në të gjitha tribunat dhe delegacionet.
Romani këqyr për së afërmi zbritjen e detyruar, të programuar për në ferr të dy grave, Lirikës dhe zonjës O., (shënjimi i personazhit me këtë germë të sjell në mendje zeron dhe mundësinë e zgjatimit të saj deri në infinit, por edhe britmën). E nëse tek personazhi i parë, premisat për jetënxirje nisin që në periudhën e parë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra te fillimi i luftës civile ndërshqiptare, tek e dyta, te zonja Rita O, arsyet e rrënimit nisin nga brendia e zeros tek epshi i armatosur me pushtet. Domethënë askush nuk kursehet, as armiqtë e djeshëm, as komunistët e sotshëm: shtjella para gojës së lubisë nuk diskriminon askënd! Njeriu dhe zoti i këtij vendi duhen varrosur, për të krijuar këtë lëtyrë proteinike, të organizuar në tule, në bythë, në buzë, në pluhur, në lutje, në ofshamë, në kafshim. E në roman nuk ndodh hiç si te slogani politik “bashkëfajtorë e bashkëvuajtës”, aq më pak në jetë. Ata që u sharruan, nuk ngjiten më. Poshtëruesit i kanë veglat në dorë, sëpatat, pykat, sharrat e pushtetit, njëlloj si dikur. Të rrëzuarve u lejohet: nënshtrimi, poshtërimi, mohimi.
Nëse Lirika është e kufizuar vetëm brenda atdheut dhe i digjet edhe i vetmi shans që i jepet për të rrëfyer dramën e saj, zonja Rita O. i bie botës tanë e matanë, me fëmijë e burrë, me miq të burrit e me jetë të ringritur në pamje të parë, me psikologë, psikiatër, priftërinj e zot, por prapë, veç tek një e ngjashme, te Lirika arrin të rrëfehet e t’i besojë të fshehtën e thërrmimit të saj, aq sa duket sikur ka një komplot planetar, një front botëror për t’ua mbyllur gojën viktimave të pashoqe të kësaj ligësie.
Nga ana e shkrimit, drama e njërës hyn brenda dramës së tjetrës si një kukull matrioshkë, rrathët e të keqes shpalohen njëra pas tjetrës duke shkuar drejt thelbit që është aq i errët e shkëlqyes në veremin e vet dhe maja e konit të monumentit të përmbysur të së keqes zbret aq poshtë, sa që peshën e saj ndoshta as guri i varrit s’do jetë i zoti ta durojë.
I ndërtuar si rrëfim në vetën e dytë njëjës, romani merr frymë përmes intensitetit të kësaj forme të vështirë të narracionit, duke e mbajtur lexuesin të mbërthyer për fyti deri në faqen e fundit. Tragjeditë e personazheve të këtij libri mund t’u rrëfehen veç natës së errët dhe gurit të varrit, ndonëse në realitet shumë prej të ngjashmëve të tyre as varr nuk patën.
Agron Tufa, edhe me këtë roman dëshmohet si autor i pashmangshëm në letërsinë shqipe, si autoritet jo veç letrar, por edhe moral.

Arbër Ahmetaj
Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.