Je si shpirti im
E pakufi je
si shpirti im, e pakufi –
e unë pashë e m’pash
mundohem të të bi,
në grykë të shkëmbit
t’gurrëzohem,
në pishnaje të malit
të bëhem syri yt…
E pakufi je, e pakufi
si ime frymë.
Në udhëtim
Në buzë tua
sa herë vdiqa
prej mallit –
ti u betove
në kokën time
dhe zot tjetër s’njohe…
Nxora sy
majë kodre
kur zë më lëshove
e në udhëtim
të zbulova oj –
herë t’urtë, herë t’sertë.
Dua të jem
Nganjëherë dua të jem lumë –
të rrjedh nëpër damarët e tu,
gemb ëndrre dua të jem nganjëherë –
dita e nata jote të pushojë n’mua,
nganjëherë dua të jem ti oj –
heshtjet e shirat e kohërave t’i ndjej,
dua të jem etje nganjëherë –
ujërat e tua deri në pikë t’i pi.
Unë do të dua
Po të rrëzohet
edhe i mbrëmi i Kullës gur –
unë do të dua.
Po të shuhet
edhe i mbrëmi i Vatrës zjarr –
unë do të dua.
Në fushë të mejdanit
po të mbesë
edhe i fundit i Trollit burrë –
unë do të dua…
Nata
E lehtë dhe e butë
si hapi im
është nata në ty.
E dashur dhe e vrullshme
si kraharori i gruas
është nata në ty.
E qetë dhe e frikshme
si shikimi i vajzës së dashuruar
është nata në ty.
Lutje
Po të vdes i dashuruar
në zemër t’ulkojës
varrosmëni,
bir i saj thonë jam.
Po të vdes i urrejtur
në shkëmbin e nëmur
mbërthemëni,
vdekje të reja kurrë t’mos lindë
gjaku im
e i fisit.








