Teh
Rrëshqasin
gjysmëshkallëve
gjysmëfytyra
të gjysmëndriçuara
nga gjysmëhëna
e këtij gjysmëmuaji
drejt një humnere
që mbetet në teh!
Motiv me borë
Bie borë në sytë e tu.
Një gjahtar
drerin gjurmon
nëpër qepalla.
Mbylli sytë, të lutem,
kjo borë të pushojë!
Ti je kaq larg
Nata dritëhënore
shtrihet gjithkund qetë,
te brigjet shkëmbore,
mall i largët flet.
Thinjet val’ e pritjes,
thërrmohet val’ e mallit,
vyshket faqja e vajzës,
rrudhet zemra e djalit.
Prit e prit te deti,
te pragu prit e prit,
një çast deti heshti
dhe hëna seç u mbyt…
Fokus
Ti vjen drejt meje duke ikur,
unë iki prej teje duke ardhur.
Kalojmë nëpër njëri-tjetrin,
si fjalë e pathënë!
Puthje
Ato buzë që puthin qiellin,
lulëzuar me ngjyra kënge,
m’i afro të prekim diellin,
mu në cep të kësaj hëne.
Që përtej nga parajsa,
zgjatet gjuh’ e bukurisë,
përpëlitet aty jashta,
pastaj hyn në çdo shqisë.
Ndaj dhe zemra s’di ç’të thojë:
A të rrojë, a të mos rrojë!…
