Press "Enter" to skip to content

Arianit Roshi: Engjëlli

Arianit RoshiAi formoi një numër telefoni dhe priti që nga ana tjetër të dëgjohej një zë gruaje. Pastaj shfletoi një katalog ku reklamoheshin foto femrash të zhveshura nga ato që mund t’i fusësh në shtrat me pagesë dhe pyeti për numrin 36. Ishte një bionde me sy të kaltër, me hundë e buzë fëmije. Kishte një mjekër të rrumbullakosur dhe dy gropëza gjithë lezet në faqe. Ishte e gjatë dhe kishte një lëkurë të bardhë e thithka si qershi.
Kjo ishte femra që i duhej.
Pastaj ai dha adresën e saktë dhe bëri një prenotim për gjithë natën.
U sigurua që gruaja nga ana tjetër e telefonit të ishte e qartë. E dua për gjithë natën ngrinte ai zërin për të saktësuar… po, po e dua deri në mëngjes, madje edhe gjatë mëngjesit do të qëndrojë këtu. Pastaj i kënaqur uli receptorin, u ngul pranë dritares dhe priti ardhjen e saj.
30 minuta më vonë, bardhoshja me flokë të verdhë, sy të kaltër plot shkëlqim dhe me një buzëqeshje rrëzëllitëse, pothuajse e zhveshur qëndronte në mes të apartamentit të tij, ndërsa ai nuk ngopej duke e parë.
Kaluan kështu disa minuta të heshtura, ku shqisat e tij shqyen lakuriqësinë e saj dhe vetëm kur ai ndjeu t’i digjnin sytë e ndërpreu zhbirimin, hapi kanatet e një dollapi të vjetër, të drunjtë dhe nxori prej andej një palë krahë engjëjsh.
Pastaj ia zgjati ato biondes dhe i kërkoi gjithë përgjërim që t’i vishte.
Ajo veshi gjithë delikatesë krahët, ndërsa ai i mahnitur sillej vërdallë saj, e shikonte i lumtur dhe thoshte nën dhëmbë: “Ajo është tamam si një engjëll, tamam si një engjëll, një engjëll.”
Pas minutave të adhurimit e mori për dore dhe e uli në një karrige në dhomën e gjumit, ngjitur me shtratin e tij, ndërsa vetë filloi të hiqte një nga një rrobat.
Iu drejtua një copë herë, ia nguli sytë dhe e pyeti me zë të dridhur.
-A nuk je ti një engjëll???
-Po,- u dëgjua zëri i saj.
Kërkoi që ajo ta përsëriste të plotë përgjigjen.
-Unë jam një engjëll,- tha ajo me një buzëqeshje vërtet engjëllore në fytyrë.
Atëherë ia nguli sërish vështrimin fytyrës së saj dhe plotë përgjërim e pyeti.
-I kujt je ti o engjëll???
Dhe ajo pa u menduar tha.
-Jam engjëlli yt.
Ai u ndje i lumtur, veshi pizhamet, u shtri në shtrat dhe i kërkoi engjëllit të tij që ta ruante natën ndërsa flinte.
Të nesërmen në mëngjes ajo ishte ende ulur pranë tij, me të njëjtën buzëqeshje engjëllore në fytyrë, ndërsa ai, pas një gjumi të lehtë, mendoi se kurrë nuk i kishte shpenzuar më mirë paratë e tij.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *