Press "Enter" to skip to content

Anrila Spahia: Aforizma shkrimtarësh gjermanë mbi artin e të shkruarit

http://tbn2.google.com/images?q=tbn:EfAGyct_xmwbKM:http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/0/0e/Goethe_(Stieler_1828).jpg/250px-Goethe_(Stieler_1828).jpgJohann Wolfgang von Goethe

Letërsia është fragment i  fragmenteve; është shkruar më e pakta nga gjithë ç’ndodh e ç’flitet, dhe nga  ç’është shkruar ka mbetur po më e pakta.

Ka libra, në të cilët merr vesh gjithë ç’thuhet, dhe në fund nuk mund të kuptosh thelbin e çështjes.

Arti është si natyra, me të fshehta, por më të kuptueshme, sepse ai buron nga mendja.

Botës nuk mund t’i shmangesh më mirë se përmes artit, por dhe nuk mund t’i bashkohesh asaj më mirë se përmes artit.

Publiku, don të trajtohet si një mendje gruaje: atij nuk duhet t’i thuash ç’ka nuk dëshiron të dëgjojë.

Letërsia prishet në një farë mase, kur edhe njerëzit prishen.

Një autor, që i ngjan një enciklopedie, nuk vlen për asgjë.

Georg Christof Lichtenberg

Tek disa libra të një shkrimtari të përmendur, unë do dëshiroja të lexoja më mirë ç’ka hequr, se sa ç’ka lënë.
Më mirë se sa të shkruante tetë vëllime, të kishte mbjellë tetë pemë ose të kishte rritur tetë fëmijë.
Libri është si një pasqyrë, nëse  aty brënda shihet një majmun, ajo padyshim nuk mund të japë shembëlltyrën e një apostulli.
Kur një libër përplaset pas koke dhe kumbon si në boshllëk, a e ka fajin gjithmonë nga libri?

Jean Paul

Shkrimtarët e dobët duhen njohur para botimit  të tyre, të mëdhenjtë mbas. Të parëve t’u japësh libra, ndërsa librave  të dytëve, t’u jepesh.

Heinrich Heine

Një libër ka nevojë për kohën e tij, si dhe fëmija. Librat e shkruar shpejt e në pak javë, më detyrojnë të paragjykoj shkruesit e tyre. Një nënë nuk e sjell dot fëmijën në jetë para nëntë muajsh.

Fridrich Hebel

Çdo shkrimtar titullar duhet ta lexosh patjetër një herë, që të bësh të mundur leximin e tij të mëvonshëm.

Një çudi është më e lehtë të përsëritet, se sa të shpjegohet. Kështu  vijon artisti aktin e  krijimit në kuptimin më të epërm, pa mundur ta shpjegojë atë.

Arti është vetëdija e njerzimit.

A do të rrëmbente puthjen e të dashurës së tij çdo dashnor i flaktë, kur ajo do t’i thoshte: Pritë!, dhe do shfrynte hundët? Megjithatë, artistit i ndodh e njëjta gjë ditë për ditë në kumtimet e tij.

Marie von Ebner- Eschenbach

Artistët zakonisht kanë mendimin tonë, të cilin ne e kemi nga veprat e tyre.

Artisti nuk duhet të bëhet merak, a do të bëhet e njohur vepra e tij, por a e meriton ajo njohjen.

Karakteri i artistit e ushqen ose e mpak talentin e tij.

Ekziston një afërsi më e ngushtë se ajo mes nënës dhe fëmijës: Afërsia mes artistit dhe veprës së tij.

Në një libër të mirë gjen më shumë të vërteta, se sa ka menduar shkrimtari i tij.

Autorët, që vidhen, nuk duhet të ankohen për këtë, përkundrazi duhet të gëzohen. Pylli, në të cilin s’ndodh asnjë mëkat, nuk ka vlerë.

Një poet, kur e njeh mirë një njeri, mund të skicojë njëqind.

Fridrich Nietzsche

Autori e mban gojën mbyllur, kur flet vepra e tij .

Arthur Schnitzler

Të jesh artist do të thotë: të kuptosh, të lëmosh sipërfaqet e ashpra të së vërtetës, që mbrrin të pasqyrojë gjithë pafundësinë, nga lartësitë e qiellit gjer te thellësitë e ferrit.  

Georg Kaiser

Ata, që njohin panikun më të thellë, janë artistët e mëdhenj.

Të jesh poet do të thotë: Të jesh njeri dhe të përcjellësh nga  vetja.

Kurt Tucholsky

Lexuesi e ka të lehtë: ai mund ta zgjedhë shkrimtarin e tij.

Karl Kraus

Arti ta bën jetën rrëmujë.

Të gjithë shkrimtarët duhen lexuar dy herë, të mirët dhe të këqinjtë. Të parët për t’i njohur, të dytët për t’i demaskuar.

Përktheu nga gjermanishtja
Anrila SPAHIJA

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *