Press "Enter" to skip to content

Miranda HAXHIA: Alberto Bevilacqua – Ndjesi të yshtura

Ky roman ngacmon sot zemrën dhe fantazinë e njeriut bashkëkohor. Tema e magjisë e ka përshkuar gati të gjithë veprën e Bevilacqua-s, duke i joshur lexuesit e tij në shumë vende të botës. Por, këtu, tema ngjiz një ngjarje që të bën për vete si me magjinë dhe suspansin që ruhen nga fillimi në fund, por edhe me fillin e qartë të së vërtetës: ndodhia është përjetuar realisht nga autori, i lidhur vetë fort me përmasën magjike që në fëmijëri.
Pra, lexuesi, nga njëra anë, kënaq nevojën e yshtjes nga magjia e mrekullia dhe, nga ana tjetër, fiton njohuri të çmuara. Një roman mbi të drejtën për të qenë i lumtur.
Kumtet e magjisë narrative të Alberto Bevilacqua-s

***
Nuk është më mister eksperienca e jetës së tij: një fëmijëri “e veçantë” sëmundja e nënës së tij, babai një aviator. Ai është rritur nga një gjyshe – një grua jo aq e zakonshme. Dhe pas një martese, një divorc i dhimbshëm, të gjitha ngjarjet që vetë ai tregon në letërsinë e tij. Gjatë gjithë jetës ka njohur shkrimtarë të mëdhenj dhe personazhe që kanë bërë epokë me veprën e tyre si Totò, Karen Blixen, Gabriel Garcìa Màrquez, Romy Schneider, Chaplin, regjisorët e mëdhenj: Rossellini, Visconti, De Sica. Mbi të gjitha, për shkrimtarin vlen të përmendet dhe të kujtohet gjithmonë takimi me Cèline që me romanin e tij “Udhëtim në qendër të natës” i ka ndryshuar jetën.

***
Mund të ngjasë që njeriut t’i vijnë disa kumte apo zbulesa të asaj që pritet të ndodhë, fill nga thellësia e errët e gjithësisë. Këto janë frazat e para me të cilat fillon magjia e leximit të romanit “Ndjesi të yshtura” të Alberto Bevilacqua-s. Është një portë e mistershme ku njeriu lexon një zemër burri që përkundet në fantazinë e përkthyer prej pikëvështrimit të gruas së pasqyruar në thelb të ekzistencës së tij – jetës.
Leximi im ka kapërcyer shpejt mbi veprën e autorit. Nga “Kalifja” te “Ndjesitë e yshtura”, natyrisht që e kupton menjëherë se ky i fundit është një roman i vështirë. I vështirë, por i qartë për sa kohë dalloj vazhdimësinë e mbajtur në peizazhet shpirtërore e filozofike të së shkuarës dhe përvijimin drejt së ardhmes, përmes personazheve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën e autorit. Romani duket i copëzuar duke krijuar ndjesinë se i mungon ritmi. Ndonjëherë të duket se gjithë kjo narrativë i ngjan kursit të një biçiklete në rrugë të vështirë, malore, me gropa e të papritura dhe nga kjo përqendrohesh vetëm te dihatja e njeriut që pedalon. Kjo lloj “dihatjeje” është mistike, jashtëtokësore për artin e krijimtarisë së A. Bevilacqua-s. Autori nuk lodhet së derdhuri dashuri, sentenca të gjata poetike e një qetësi të mrekullueshme me mënyrën e tij të të shkruarit, të thellë dhe të gjerë, një atmosferë e rrethuar nga magjikja e dashurisë për jetën, nga përpjekjet për të gjetur paqe.
Tema e magjikes nuk është vetëm në këtë roman, pothuaj gjithë vepra e autorit është një lloj filli magjik në perceptimin e realitetit dhe personazheve që kanë fatin të magjepsin apo të jenë të magjepsur.
Po të vërejmë librat më të lexuar në historinë e letërsisë botërore, janë ndërtuar mbi bazën e udhëtimit. Kujtojmë udhëtimin e Odisesë nga Homeri, udhëtimin e Ulisse të James Joyce, “Udhëtim në cep të natës” të Cèline, etj., etj. Koncepti i udhëtimit mbart në vetvete misionin e letërsisë së vështirë dhe të madhe. Fundi i këtyre lloj udhëtimeve është një mbërritje e lavdishme, e kurorëzuar me suksesin dhe magjinë e papërsëritshme.
Romani “Ndjesi të yshtura” është një udhëtim. Por ndryshe nga shembujt që përmenda më sipër, ky është udhëtim drejt thelbit të psikikës sonë, drejt mistereve që përfshihen në sjelljen, në dukjen, në formën se si veprojnë receptorët që dalin dhe ata që hyjnë në vëmendjen njerëzore. Është udhëtim në pushtetin e ndjenjës, të dashurisë, të urrejtjes, të mëshirës, të vullnetit dhe të frikës. Eksplorimi që autori fillon të bëjë ka një përvetësim magjik të kohës, të personazheve, të shoqërisë e botëkuptimit rreth mistikës në sfondin e një realizmi të kthjellët. Roman anormal, është pak të thuash. Po ta shikojmë këtë vepër në vijim të gjithë krijimtarisë, kuptojmë kulmin e udhëtimit, thelbin e magjepsjes letrare e filozofike, dallojmë konturet paranormale të botës, të padukshme për syrin e zakonshëm.
Për ta realizuar këtë udhëtim, autori thërret në ndihmë gratë, pika më e fortë e krijimtarisë së tij janë prezantimet e personazheve femërore, të brishta, të bukura, të dëshpëruara dhe ndonjëherë kaq shumë të forta sa të lënë me gojë hapur. Miriami e Marta, vizioni i së tashmes dhe i së shkuarës, i së ardhmes mes këtyre të dyjave. Ato vijnë në konceptin e së shkuarës, të së tashmes dhe së ardhmes, e cila, në një formë apo tjetër, rishfaqet me formatin e kohës së pajetuar, duke ngatërruar kështu udhën drejtvizore të romanit, duke e rindërtuar me një logjistikë pothuaj të jashtëzakonshme e duke e prezantuar si një traktat filozofik me elemente të prozës letrare për puset e jetës, për ndjenjat dhe për gjithë pjesën e padukshme e të pashfaqshme qartë të njeriut. Femra udhëheq udhëtimin e tij në një realitet që përmban shumë fantazi, në botën e misterit, e cila nuk është e vogël, ajo shtrihet në një gjerësi e hapësirë të pamasë, realizohet nga receptorë, apo ndijues të mëdhenj, të cilët janë të verifikuar si njerëz me prirje paranormale. Miriami është një ndijore e pajisur me fuqi të jashtëzakonshme, por të josh edhe natyrshmëria me të cilën shprehet ajo për gjërat e vogla, zakonet, për atë bashkësi emocionesh të ndryshme që krijon magjia e ditëve që shkojnë. Faqe pas faqeje, njohja bëhet emocion, emocioni imazh dhe imazhi saktësi e detajeve më të imëta. Për të realizuar gjithë këtë roman ndjesish magjepsëse, autori thërret për ndihmë e vendos në qendër të romanit figurën femërore për arsyen e thjeshtë se e keqja e kësaj bote di të fshihet mirë nën bukuritë e krijimit, duke na lënë në një vështirësi dallimi.
Ndjesorët e kujdesshëm të autorit shkojnë deri te njolla e vetme e varur në mur, si një pikë referimi ku përplaset joshja dhe zhytja në veprim. Ideja e thithjes së një fluture nga llamba zgjon filozofinë, apo sjell përplasjen e mënyrës se si ithtarët e mëdhenj këmbëngulin për gjurmët që lënë kujtimet në një “zonë psikike universale” me përvojën e nënës së tij e prej kësaj përplasjeje konceptesh, autori tregon se të gjitha energjitë e mendimeve përbëjnë historinë e vetë racës njerëzore. Depresioni dhe dy botët që e mbajnë mbërthyer këtë univers gri apo blu, femrat, ekzistenca e narratorit mes simbolikës së lules dhe simbolikës së zogut, vlera e peshës së një femre në ikje dhe një tjetre në konturim e sipër, akti seksual, që përpara se depresioni t’i ndryshonte gjërat, ishte materializuar duke marrë formën e trupit, si një portë e mistershme në të cilën hyn përgjatë një labirinti dëshirash të nxehta e të papërmbajtura, janë disa nga dritat që të fusin pas autorit në udhëtimin e mistershëm e magjik drejt zemrës së errët të ndjenjave, të asaj çka fshihet mjeshtërisht prej normales së dallueshme e të materializuar në formë e individualitet njerëzor.
Tema e këtij romani është një lloj sugjestioni mes realitetit të pastër dhe sugjestionit hiperbolik që autori e ka në vetë “mjetet” e skriturës së tij, ajo që ai prek, ajo që ai shkruan është magji, provokon magji. Pa e lexuar deri në fund romanin, nuk e kapërcen vështirësinë e brendshme, thuajse organike që provon lexuesi, që për krejt këtë veçanti mund të quhet një krijimtari “anormale” me fuqi shprehëse paranormale. Madhështia e jetës është tekanjoze dhe rrallë ajo na jepet në trajtat e një dashurie supreme. Kur kjo ndodh, është diçka sublime. Në këtë rast ka ndodhur, magjishëm. Tashmë jemi të magjepsur.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *