Letër në adresë të vjehrrës
Një herë në javë i shpiem vjehrrës një pjesë të postës së saj, që vjen gabimisht në adresën tonë. Nuk është postë e rëndësishme, zakonisht nga firma tregtare që ofrojnë mallra të reja, katalogë me veshje të stinës, letra nga organizata bamirëse, që i kërkojnë të japë ndihmesën e saj. Ndonjëherë i vijnë edhe kupona për t’i blerë mallrat me çmime më të ulëta. I mbledhim tërë këto zarfe dhe i vëmë diku në një qoshe pranë shkallëve, që të mos i harrojmë t’i marrim me vete, kur të shkojmë tek ajo. Zakonisht këtë postë ajo e quan xhank meill. U hedh një sy të shpejtë zarfeve dhe i flak në kosh, ndonjëherë edhe pa i hapur fare. Atë ditë zarfi me emrin e saj vinte nga Planned Parenthood, Margaret Sanger Square, që do të thoshte nga Planifikimi Familjar i Nju Jorkut.
Nuk ishte një gjë që të kalonte pa rënë në sy. Një gruaje që po mbushte 85-at, i vinte një letër nga Planifikimi Familjar.
– Ç’është kjo? – e pyeta unë Majkun, duke vënë buzën në gaz.
– Me siguri e mësojnë mamanë se si të mos mbetet shtatzënë. Mos e hap. T’ia çojmë nesër.
Të nesërmen shkova te vjehrra; vetëm. Majku tha se do të takoheshim atje nja dy orë më vonë, kur mamasë t’i vinte tekniku i televizorit. Që kur e kishte kthyer televizorin në Web TV, kishte probleme me të.
Vjehrrën e gjeta në kuzhinë. Po zbrazte supën e saj të parapëlqyer në supjerë. E prita sa të mbaronte e të kthehej në tryezë. Pastaj nxora nga çanta zarfin.
– Këtë ma dha Majku për ty.
Dhe prita se si do të reagonte. Ajo vuri syzet. E grisi me kujdes zarfin, e hapi letrën dhe nisi ta lexonte. Në fillim në heshtje, pastaj e ngriti zërin: “Sa herë që shoh një vajzë adoleshente me barrë, kam dëshirë ta ndihmoj. Dhe është pikërisht kjo çfarë bëjmë ne të Planifikimit Familjar të Nju Jorkut. Ne kujdesemi për vajza të reja si ju. Por me ritmin e madh të shtimit të shtatzënësisë tek adoleshentet, ka ende shumë për të bërë. Në Bronx ka mbi 100 workshope të edukimit seksual për të ulur ritmin e barrës së padëshiruar…”
Ajo ndaloi, më vështroi mbi syzet e lëshuara mbi hundë, dhe tha:
– Më ka ardhur tamam në kohë! – Unë po qeshja me të madhe, sa po më dilnin lot nga sytë. – Ku është im bir? – më pyeti.
– Më tha se do të takoheshim këtu, – u përgjigja unë, që ndieja se po më dhembte mesi nga të qeshurit. Ajo u ngrit dhe telefonoi.
– Majkëll, në telefon është nëna jote shtatzënë, ngrije telefonin… S’qenka! – tha dhe e vuri receptorin në vend.
Pastaj u ul, firmosi një çek 25-dollarësh dhe e futi në zarfin që i kishte dërguar Planifikimi Familjar i Nju Jorkut.
– Kjo është e gjitha çfarë duan këta, – tha duke më treguar zarfin, – pará. Të gjithë duan pará në këtë botë. Kur të dilni, hidheni këtë çek në postë.
Ditëlindja ime
Bashkë me Krishtlindjet po afrohej edhe ditëlindja ime. Kur erdha fillimisht në Amerikë, ditëlindja ime e parë në një vend të huaj qe një ditë e trishtuar për mua. Isha krejt vetëm dhe më vinte për të qarë. Një vit më pas as që më ra ndër mend për ditëlindjen, kurse atë vit që u fejova, në prag të Krishtlindjeve nisa ta mendoja përsëri. Këtë radhë duhet ta festoja patjetër. Tani s’isha më vetëm. Isha e fejuar dhe madje me një amerikan. Ishte edhe çështje kureshtjeje.
Pikërisht një ditë para ditëlindjes sime, kunati theu këmbën duke luajtur futboll. E shtruan urgjentisht në spital dhe mjeku tha se duhej operuar. Operacioni do të bëhej një ditë më pas në spital, në Menhet’n, domethënë pikërisht për ditëlindjen time. Nuk më erdhi aq keq për kunatin sesa për vjehrrën, si nënë. Ajo duhej të ishte e tronditur nga kjo që i ndodhi të birit. Të nesërmen, që në mëngjes, të tre shkuam në Menhet’n.
– Po qe se Xhejmsi do të operohet tani në mëngjes, do ta marrim në shtëpi në mbrëmje, – tha vjehrra.
– Kaq shpejt? – u çudita unë.
– Po, – tha ajo, sikur kjo të qe gjëja më e zakonshme në botë.
Xhejmsi nuk u operua në mëngjes, por rreth orës tre pasdite. E morëm në shtëpi tri orë pas operimit. Kështu, rreth orës tetë të mbrëmjes ne ndodheshim të katër në shtëpinë e vjehrrës. Im kunat rrinte shtrirë në divan me këmbën të mbështjellë në allçi. Kishte qenë një ditë e shqetësuar dhe e lodhshme për të gjithë.
– Do të shtrihesh pak, mama? – e pyeta unë.
– Të shtrihem? Jo, – tha ajo, – do të shtrihem kur të bie për të fjetur. Mos do që të pushosh ti? – më pyeti ajo. Unë u skuqa. U duk sikur e kisha bërë atë pyetje për t’i dhënë mundësi vetes sime që të çlodhesha. Në fakt ndihesha vërtet e lodhur dhe bëja çudi me të, që vërtitej nëpër kuzhinë. Gatuante veçanërisht për atë ditë, kur isha e bindur se e kishte frigoriferin plot.
– Të të ndihmoj? – pyeta që prapa kurrizit të saj.
– Jo, – tha. – S’ke ç’të më ndihmosh, gjeli po piqet vetë. Sallatën me fruta e bëra që në mëngjes. Është në frigorifer. Tortën me mollë e bëra që dje… Pastaj kuzhina është e vogël, s’ka vend për dy veta. Pse nuk shkon të pushosh pak?
I fejuari im vështroi nga ne dhe u afrua.
– Dukesh e lodhur, – më tha, – pse s’shkon të pushosh në dhomën e mamasë?
“Po kjo?, – po thosha me vete, – me tërë mend e kanë këta?!”
– Kjo është ide e mirë, – tha vjehrra ,- shko shtrihu në shtratin tim, çlodhu ose lexo diçka; kur darka të jetë gati, të thërrasim…
Vështroja nga të dy. Ata e kishin seriozisht.
I fejuari më shoqëroi deri në dhomën matanë.
– Ta hap televizorin apo do të flesh pak?
– Jo. Nuk do të fle, – i thashë, – nuk jam e lodhur. Po shoh pak televizor.
Ai e tërhoqi derën duke dalë. Mua po më mbylleshin sytë për gjumë.
Isha shtrirë në shtratin e vjehrrës dhe, të them të drejtën, më vinte turp kur mendoja se ajo vazhdonte të gatuante në kuzhinë, ndërsa unë çlodhesha. A do ta kisha lënë mamanë time të punonte tërë ditën ashtu? Jo, sigurisht që jo.
Nuk e kisha mendjen tek televizori. Pse ta fsheh? Kisha pritur me kureshtje se si do ta festoja këtë vit ditëlindjen dhe fare papritur ishte shndërruar në një iluzion. Mbylla sytë dhe kujtova se si mblidheshim të gjithë te mamaja, në Tiranë, si ngrinim gotën e parë bashkë me urimin për Vitin e Ri, por edhe për ditëlindjen time. Mamaja dhe vëllezërit më puthnin, duke më uruar jetë të gjatë e të lumtur. Dhe papritur kujtimet e ditëlindjes sime m’u bënë bashkë me ato të tezes së Majkut, Rozit, që i festuam 80-vjetorin. Kishte ardhur që nga Florida, ta bënte me të bijën, në Nju Xhërsi. E bija, Stejsi, ishte ekonomiste dhe punonte në shtëpi të vet. Banonte në Short-Hills, ku kanë vilat e tyre shumë pasanikë të Nju Xhërsit. Qe një vend i bukur, me pyll e lëndina, ku aty-këtu shihje shtëpi dykatëshe. Të gjitha me garazhe e me makina të shtrenjta përpara dyerve.
Në katin e parë të shtëpisë ndodhej ajo që vetëm emrin kishte kuzhinë, se me vështrim të parë nuk të zinte syri as sobë, as frigorifer, madje as lajtore. Çdo gjë ishte e maskuar, e veshur me mobilie. Në të djathtë të kuzhinës, një dhomë ngrënieje e veçantë për miqtë. Në mes qe vendosur një tryezë ngjyrë vishnje me bukuri të papërshkrueshme. Karriget përreth ishin të zeza.
– Këtë komplet e kemi sjellë nga Italia, – kishte thënë Stejsi, kushërira e parë e Majkut. Pastaj, po në katin e parë, ishte dhoma e ndenjjes, me kolltukë lëkure e televizor, dhe përbri saj, dhoma e televizorëve për fëmijët. Secili kishte televizorin e vet të mbyllur në një raft të madh në formën e shtëpizave-lodra. Njëra nga faqet e murit të dhomave të katit të parë ishte xhamllëk. Lart ishin dhomat e gjumit, si dhe zyra e Stejsit.
Para se të shkonim atje, vjehrra na përsëriti që të kishim parasysh se Rozlina nuk donte që ta dinte njeri se sa vjet mbushte. Rozlina na priti me një kostum ngjyrë trëndafili. I shoqi, Marti, 79 vjeç, vinte rotull si atlet dhe na tregonte se e kishte ulur barkun duke bërë disa ushtrime fizike që na i demonstroi aty, në sy tonë.
Darkën e ditëlindjes e hëngrëm në restorant. Rozi tregonte kujdes se mos pikohej, sidoqë në qafë kishte varur një grykashkë me xhixha argjendi. Stejsi s’e vrau mendjen që të ndërronte rrobat. Erdhi në restorant me tuta sportive. Fëmijët e saj bënë të njëj-tën gjë. Ishte e çuditshme se sa shumë kontrastonte me të ëmën. Edhe pse ishte 80 vjeçe, Rozi dukej ende si një plakë-fëmijë e përkëdhelur. “Ajo ka qenë gjithnjë bebja e familjes dhe gjithnjë është trajtuar si e tillë. Edhe i shoqi, gjithashtu, e ka llastuar shumë”, – më kishte thënë ime vjehërr për të. Dhe kjo qe mjaft e dukshme.
– Më ka rënë një tablo nga muri. Si ta vendos prapë në mur? Çfarë përdor ti në këto raste? – iu kthye ajo papritur vjehrrës sime.
– Gozhdë, e dashur, gozhdë! – iu përgjigj ime vjehërr.
– Ku gjenden këto?
– Lërja Martit këtë punë. S’është për ty!
Rozi rrufiti pak kafe, pastaj e vendosi me kujdes filxhanin në tryezë, që të ftohej.
– Gjyshe, po kur e pikon grykashkën, si ia bën? – e ngacmonte i nipi.
U kthyem përsëri, për ta mbyllur këtë mbrëmje duke ngrënë akullore me kek dhe aty filloi diskutimi për kompjuterat. Rozi tha se, meqë vjehrra ime (e motra) e kishte kthyer televizorin në WEB TV dhe jepte e merrte mesazhe me shoqërinë e të afërmit, atëherë pse të mos e bënte dhe ajo?! Përfundimi: Rozi vendosi të ndiqte një kurs për kompjuter, që të mos e zinte viti 2000 pa e mësuar!
…Atë mbrëmje patëm vërtet humor. Por kjo tani ishte ditëlindja ime dhe andej matanë kunati im ishte shtrirë në divan me këmbën futur në allçi. Natyrshëm, as që mund të bëhej fjalë për të festuar. Ime vjehërr vërtitej ende në kuzhinë. Ishte e çuditshme se ku e gjente atë energji pas asaj dite të lodhshme.
Kur ishim në Menhet’n duke pritur në hollin e spitalit, ndërkohë që i biri operohej, ajo kishte nxjerrë një gazetë dhe lexonte. Unë kisha mbledhur duart kryq dhe rrija e mendoja se po të na ndodhte kjo në Tiranë (larg qoftë!), në hollin e spitalit do të bëhej vetëm muhabeti për të sëmurin, qoftë edhe 14 orë rresht. Kur ime vjehërr e mbaroi së lexuari gazetën, ma pasoi mua dhe për vete hapi një libër. Mbaja gazetën në duar e thosha me vete: “Sa ters që jam! Ku vajti dhe e theu im kunat këmbën tamam tani!” Pastaj i largova tutje këto mendime gjimnazistësh, duke falënderuar Zotin që mendimet janë brenda në tru e jo të shkruara mbi ballë, se me siguri duhet të dukesha femra më egoiste në botë.
Nga ana tjetër, me çudiste ajo grua, vjehrra ime e ardhshme, sa e fortë ishte.
Ja, tani kishim ardhur të gjithë në shtëpi. Unë rrija shtrirë në dhomën e saj. Qepallat më rëndonin tmerrësisht, por përpiqesha të mos flija.
Rreth orës nëntë e gjysmë të mbrëmjes, i fejuari im hapi me kujdes derën e më pyeti :
– A u qetësove ndopak? Do të vish nga kuzhina?
– Sigurisht, – thashë unë duke kërcyer nga shtrati.
U vështrova në pasqyrë. Kisha një fytyrë të përgjumur dhe flokë të shpupurishur.
– Ja tek e ke krehrin, – më tha ai duke më zgjatur një krehër, që e mori pranë pasqyrës. – Rregullohu dhe eja në kuzhinë. – Dhe doli. Unë kreha flokët, rregullova bluzën dhe iu rashë lehtë faqeve, si për t’u zgjuar nga ajo gjendje plogështie që e ndieja në tërë trupin. Hapa me ngadalë derën që më çonte në kuzhinë dhe gjëja e parë që më ra në sy qe tryeza e rrumbullakët shtruar me një mbulesë të bardhë të qëndisur me trëndafila. Mbi të, një tortë e madhe e rrumbullakët me qirinj të ndezur. Shtanga. Hodha edhe dy hapa. Papritur, vjehrra dhe i fejuari më dolën përpara duke kënduar ato vargje që na ishin bërë aq të njohura nga filmat që kishim parë, por që kurrë s’kisha menduar se ndonjëherë do të më përkisnin mua:
“Happy Birthday to you!
Happy Birthday to you… “
Duetit të tyre iu bashkua një zë i tretë. Ishte zëri i kunatit tim, Xhejmsit, që e mbante këmbën e fashuar të shtrirë mbi tryezën e mesit në dhomën e ndenjjes. Unë u mallëngjeva. Ime vjehërr më përqafoi dhe më tha t’u fryja qirinjve, duke shprehur një dëshirë. Iu afrova tryezës e, duke i përmbajtur me zor lotët, u përpoqa t’i shuaja qirinjtë me frymën që më dridhej. M’u desh ta bëja disa herë, derisa u fikën të gjithë. Ata përplasën duart. Shikoja herë nga ime vjehërr e herë nga i fejuari. Fytyrat e tyre ishin të lumtura, si të ishte ditëlindja e tyre.







Be First to Comment