Në mbrëmje vonë na mori në telefon nga Florida për të na thënë se kishte mbërritur shëndoshë e mirë.
– Jam e lodhur. Sonte do fle dhe nesër do të shkoj në spital, – tha.
Të nesërmen në mëngjes na telefonoi përsëri.
– Kam harruar vitaminat në shtëpi. A mund të m’i postoni via-ekspres? S’mund të rri një javë pa to.
Majku ia kreu porosinë brenda një ore.
Kur u kthye nga Florida një javë më vonë, me një sens të lehtë humori na tregoi se Toti i kishte thënë: “Sigurohuni mirë që kam vdekur, para se të më varrosni.”
Ditët vazhduan ashtu si më parë, pa atë tronditjen që tezja ishte me kancer.
– Kësaj sëmundjeje s’i dihet, – tha vjehrra. – Nuk mund ta ndalim jetën tonë për të.
* * *
Lajmi i vdekjes së Totit, edhe pse ishte diçka që pritej, na erdhi papritur.
– U bë shumë nervoze, kur mjekët i vunë oksigjenin, – shpjegonte në telefon gruaja që kujdesej për të. “Tani, me sa duket, po vdes, – tha, – prandaj dhe po më vënë oksigjen. Por, në qoftë se po vdes, atëherë ç’kuptim ka oksigjeni?! Kjo është qesharake!” – Dhe nuk e shtyu dot as edhe një ditë. Kështu që s’patëm kohë që t’ju lajmëronim, – justifikohej ajo me një zë të ngashëryer. Linda – kështu quhej hauskiperja – kishte punuar dhjetë vjet për Totin, ditën dhe natën. Rroga që i kishte lidhur Toti, ishte e pabesueshme. Ajo grua merrte 1200 dollarë në javë, domethënë pothuaj 5000 dollarë në muaj. Sikur Toti të qe Revlon Company! Madje Toti kishte lënë porosi që pas vdekjes së saj Lindës t’i jepnin edhe një shumë prej 10 mijë dollarësh, derisa të gjente punë e shtëpi tjetër.
– Ka kohë që Linda na ka hyrë në pjesë në trashëgimi, – bënte humor im kunat.
Në fakt, kjo kishte një të vërtetë: Linda paguhej sa një programuese kompjuteri dhe kjo vetëm se bosja e saj ishte Toti.
Linda kërkoi të vinte për të marrë pjesë në varrimin e Totit.
– Të fluturosh nga Florida për në Nju-Jork?! Kjo nuk ka kuptim! – i tha ime vjehërr. – Varrimi do të zgjatë dy orë, i thjeshtë. Nuk ia vlen të vish në Nju-Jork e të kthehesh në Florida brenda ditës…
Pastaj ime vjehërr hapi bllokun e telefonave dhe nxitoi të bënte lajmërimet tek të afërmit dhe të njohurit. La porosi e dërgoi mesazhe. Më në fund, e vari receptorin në mur dhe tha:
– Të gjithë pyesnin sa vjeç ishte Toti. Kur u thosha që i kishte mbushur të nëntëdhjetat, ata pothuaj harronin edhe të ngushëllonin. Kështu që fillova t’u them se “ishte 5 vjet më e madhe se unë”, dhe atëherë tregoheshin më të kujdesshëm. Sidoqoftë, shoqëria e moshës së saj ka ikur me kohë. Ata që do të vijnë për ngushëllim, janë mosha ime ose më të reja se unë, po të kesh parasysh se unë shoqet i kam edhe më të reja se veten.
– Më të rinjtë, si mosha ime, duhet të marrin leje nga puna, po qe se do të vijnë në varrim, – s’iu ndenj Xhejmsit, tim kunati, pa ngacmuar.
– Oh, lëri këto, Xhejms! Ti e di që jot emtë nuk kishte shoqëri me dyzetvjeçarët.
Në mbrëmje zilja e telefonit ra përsëri dhe ajo po bisedonte me një të afërm të saj, duke e siguruar se të gjitha lajmërimet i kishte bërë në rregull.
– Me disa nuk arrita të flisja gojarisht, por lashë mesazhe. Për shembull, Lorit i lashë mesazh, Stivit i lashë mesazh…
– Stivi nuk e ka telefonin me mesazh, – erdhi përgjigjja.
– Oh, i paskam rënë numrit gabim atëherë! – tha vjehrra dhe kroi mjekrën. Në kuzhinë plasi e qeshura.
– Mama, – tha im kunat, – të hënën në varrim do të na vijnë njerëz të panjohur vetëm për drekën qyl.
Në mbrëmje vonë, kur u ndamë, vjehrra më porositi që ditën e varrimit të vishja fustanin bojë qielli me pika të bardha, se ai më shkonte shumë.
“Kjo do të thotë që njerëzit s’paskan për t’u veshur me të zeza”, – thashë unë me vete, disi e çuditur. Këtë ia thashë Majkut dhe ai m’u përgjigj se edhe vetë Toti nuk do të dëshironte që “ne të visheshim me të zeza”. Ajo e urrente trishtimin. Papritur m’u kujtua gjyshja ime. Edhe ajo e pati lënë një porosi të tillë.
* * *
Funerali i Totit ishte i qetë. Mendoja se do të rrinim me orë të tëra në shtëpinë funerale, duke pritur e përcjellë, pastaj varrimi e më vonë përsëri pritjet e përcjelljet në shtëpi, por jo. Atmosfera e vdekjes nuk ndihej ashtu siç e mendoja unë. Këtu biznesi bën punën e vet edhe me vdekjet. Shpenzi-met e funeralit, rreth 6000 dollarë, Toti i kishte paguar që kur ishte gjallë. Edhe arkivolin e kishte zgjedhur vetë. Kështu që për të afërmit s’kishte mbetur gjë për të bërë. Trupi i saj u soll nga Florida në Bruklin dhe ne vajtëm në shtëpinë funerale vetëm për dhjetë minuta, sa për ta parë (se mos kanë sjellë ndonjë tjetër në vend të saj, gabimisht, – bëri humor im kunat) dhe, pas kësaj, ne dhe bashkë me ne edhe motra e vogël e vjehrrës, Rozlina me të shoqin, që kishin ardhur nga Florida, u nisëm drejt e për në varreza. Aty nuk kishin ardhur shumë njerëz. (Siç tha ime vjehërr, Toti qe mbi nëntëdhjetë dhe e tërë shoqëria e saj e kishin lënë këtë botë me kohë.) Pas varrimit, dreka qe porositur në restorantin më të afërt. Njerëzit e ardhur në atë drekë kishin dy vjet pa u parë me njëri-tjetrin, që nga evenimenti i fundit familjar, kështu që u çmallën e patën rast të bisedonin për jetën e për bizneset e tyre. Kur u duk se të gjithë zunë vend, ime vjehërr pyeti:
– Janë të pranishëm të gjithë?
– Deri tani jemi tanët, mama, por, po qe se do të na vijnë dhe ata të mesazheve që ke lënë mbrëmë, do të na duhet të shtojmë edhe dy karrige.
Majku qeshi. Dikush desh të dinte se ç’ishin “ata të mesazheve” dhe Xhejmsi pati rast ta rifre-skonte episodin e mbrëmshëm, se si mamaja, e cila me vdekjen e motrës së madhe qe vetemëruar “gjeneral i përgjithshëm”, kishte lënë mesazhe te dy të panjohur, duke i ftuar në drekën e Totit. Ai shkriu tërë artin e tij për t’i bërë të tjerët të qeshnin.
Pas drekës, më të rinjtë thanë se qe një ditë tepër e nxehtë dhe i nganë makinat në drejtim të plazhit. Xhejmsi u printe.
(Vazhdon)







Be First to Comment