Press "Enter" to skip to content

Albana M. LIFSCHIN: Basti i kuajve

Denisi është një burrë i shkurtër, qimebardhë, me një lëkurë të bardhë në të kuqe, rondokop, me një buzëqeshje më shumë si përveshje buzësh, që krijon një si noçkë, duke të dhënë ndjesinë se po sheh një gic. Pikërisht këtë ndjesi pati Ana kur e prezantuan me të. Kishte dëgjuar shumë për Denisin nga i shoqi. Kishin qenë shokë shkolle në të mesme, madje qenë rritur në një lagje. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Denisi nuk vazhdoi më tutje. U kishte thënë se e kishte zgjedhur profesionin e jetës: do të vinte baste në garat me kuaj! Atëherë gjithkush e kishte gjykuar thjesht si hobi, por Denisi e kishte seriozisht. Filloi të ndiqte çdo garë kuajsh, brenda edhe jashtë Nju Jorkut. Në shtëpi hynin vetëm gazetat që kishin seksionin e posaçëm për garat e kuajve dhe bastet për ta. Bibliotekën e mbushi me libra për kuajt. Ndërsa shokët mbaruan kolegjet, Denis kishte marrë “diplomën” e bastistit më të zotë. Thuhej se kishte një parashikim të jashtëzakonshëm. Nuk ishte gjë e rrallë që nga një bast kuajsh të fitonte njëzetë deri në tridhjetë mijë dollarë. Aq shokët e tij i bënin në një vit pune. Denisi vinte disa baste njëherësh, për disa kuajt në të njëjtën kohë e në disa gara që nga Nju Jorku, Los Anxheles e San Françisko. Natyrisht nuk i duhej të shkonte vetë atje. Vinte bast me telefon. U bë me para, u martua, bleu një shtëpi dhe u bë edhe me vajzë. Dhjetë vjetët e parë të martesës qenë të begatë, por me kohën marrëdhëniet me gruan erdhën drejt prishjes e, një ditë të bukur, kur Denisi ishte në ethet e një gare që mund t’i jepte pesëdhjetë mijë dollarë, e shoqja kërciti e iku me një tjetër. Kur i dhanë lajmin, Denisi u përgjigj: e ka të humbur bastin!
U divorcuan. Ajo nuk u martua me atë që “u rrëmbye”, ndërsa ai ndihesh më i lirë, më pa obligime për t’iu dhënë tërësisht kuajve. Njihte çdo lloj race. Vëzhgonte me kujdes kalin dhe kalorësin dhe i njihte imtësisht tiparet e tyre. Dinte historinë e fitimeve apo humbjeve të tyre. Jeta e tij qe kthyer në një qark të mbyllur, brenda të cilit Denisi ndihej shumë mirë. Vazhdonte të mbante po ata miq, pa e zgjeruar rrethin. Shkonte çdo të premte në të njëjtin bar.
Kaluan kështu njëzet vjet e Denisi nuk u martua për së dyti. Gjithkush betohej se ai e kishte mbyllur atë kapitull. Qe njohur nëpër bare e klube nate me shumë femra, por të gjitha ishin “one night stand” në motel apo edhe në sediljen e prapme të Mercedesit të tij. Të nesërmen nuk mbante mend asnjërën. Askush s’kishte mundur ta devijonte fokusin e jetës se tij: kuajt. Askujt s’i kishte dhënë një minutë më tepër seç i takonte. Kuajve u kishte dhënë gjithë jetën e tij.
Të premteve mbrëma hynte në bar, duke shtyrë derën me barkun e tij të kërcyer, me atë buzëqeshjen që herë dukej si ngërdheshje e herë si një buzëqeshje e një fëmije naiv. S’e shihje kurrë të nxehej, por ishte gjithnjë i paparashikur në veprimet e tij. Askujt s’i shkonte nëpër mend se Denisi do t’i surprizonte një ditë me një vendim shumë ”të çuditshëm”. Madje as të vëllait, Stivit. As nipërve e mbesave. As të bijës njëzetë e dy vjeçare, Suzit, që mbante emrin e gjyshes, nënës së Denisit, e cila kishte vdekur që prej dy vjetësh. Sa qe gjallë, plaka jetonte me Denisin. Qe një italiane e fortë e kursimtare; kishte blerë tri shtëpi, të cilat i kishte lëshuar me qira. Njëra ishte trashëgimi e Denisit. Denisi, nga ana e tij, kishte blerë një jaht ku mblidhte shoqërinë në fundjavë, në Long Island. Shpesh shkonin tek “Ishulli i Zjarrit”.
Shkurt, Denisi gëzonte jetën larg çdo obligimi apo kokëçarjeje. Dhe, për habinë e të gjithëve, Denisi shpalli fejesën dhe brenda tri javësh shpërndau ftesat e martesës me Enin.
Kush ishte Eni?
Unë nuk di shumë për Enin. Nuk di ç’magji i bëri ajo Denisit, që i trazoi trutë. Denis të martohej? Ai qe tallur me martesat e shokëve; ai i përfytyronte ata si kuaj në këtë garë të lodhshme, ku, për mendimin e tij, nuk kishte asnjë fitimtar përveç fëmijëve që sillnin në këtë botë. Kur i binte rasti të takonte çiftet pas disa vitesh, me atë buzëqeshjen e tij me noçka të fryra, pyeste: akoma bashkë ju?
Denisi e takoi Enin në një klub nate, një të premte. Të gjithë thoshin që Eni ishte e çuditshme. E çuditshme? Si, qysh? Askush nuk zgjatej për të dhënë shpjegime. Askush s’e kishte marrë seriozisht marrëdhënien e shkurtër të Denisit. Ata qenë parë në klub disa herë së bashku, por aq. Askush s’parashikoi që shumë shpejt do t’u vinte një ftesë dasme. Ndaj ishte një kureshtje e madhe për të parë të fejuarën e Denisit, një kureshtje që shtynte atë mbrëmje makinat të vraponin drejt “Leonard’s Palace”, tek “Great Neck” në Long Island.
Ndodheshin para të pabesueshmes.
Makina frenoi në oborrin e pasmë të hotelit. Qe një godinë madhështore, e denjë për dasma të pasurish…
Salla e ndriçuar dobët nga llampadarë ndezur në gjysmë drite dhe qirinjtë nëpër tavolina kishin krijuar një ambient romantik. Zonjat e ftuara kishin veshur fustane luksi, në ngjyrë të zezë me xixa argjendi rreth gjoksit, që u zbrisnin poshtë deri tek thembrat. Burrat me papione dhe disa prej tyre edhe me një trëndafil të vogël të kuq te jaka e xhaketës.
Orkestra e padukshme prapa një podiumi mbante në sfond një muzikë të lehtë. Një djalë i pashëm me mikrofon në dorë drejtonte ceremoninë e mbrëmjes, duke udhëzuar e informuar dasmorët.
Ai prezantoi hyrjen e protagonisteve sipas radhës të “shfaqjes”.
Në fillim fare hynë nipërit e mbesat e nuses. Dy vajza të vogla e një djalë rreth dymbëdhjetë vjeç, me fytyrë të rrumbullakët, veshur me një kostum te zi e me kapele. Ata vrapuan drejt tavolinës së qendrës duke qeshur. Ishin të ftuarit e parë në dasmën e gjyshes së tyre.
Pas tyre u prezantua nëna e tyre, domethënë vajza e e nuses, një brune e bukur, e cila ndoqi të vegjlit e u rehatua edhe ajo në qoshen e tavolinës ballore.
Dhe së fundi, në mes të duartrokitjeve, hyri në sallë çifti i porsamartuar, për të cilin ishin mbledhur të gjithë. Njerëzit mbajtën frymën për të parë nusen për të cilën qe folur aq shumë e nuk ishte mësuar asgjë. Ajo u shfaq me një shtat të lartë, por mjaft të hollë. Kishte veshur një fustan të bardhë mëndafshi, deri në fund të këmbëve. Mbi flokët bjonde onde-onde, lëshuar deri poshtë mbi vithe, mbante një kurorë “mbretërore”. Pamja e saj bëri efektin që pritej. Njerëzit zgjasnin kokat për ta parë më mirë. Ajo ngriti pakëz fustanin e bardhë nusëror, duke lënë t’i duken një palë këpucë ngjyrë argjendi me taka shumë të larta si gjilpërë. Parashikoheshin këmbë të bardha e të holla, si krahët e saj të bardhë e delikatë… Në duar mbante trëndafila të kuq. Denisi kishte veshur një kostum të zi me një jelek të bardhë mëndafshi nën të. I përshëndeti miqtë me atë buzëqeshjen e shpërveshur, që tashmë kishte mbërritur kufirin maksimal. Dukej i lumtur.
Drejtuesi i darkës ceremoniale lajmëroi që vallëzimi i parë i takonte çiftit.
Denisi e përfshiu për beli Enin dhe e rrotulloi në sallë. Ajo mjaft shkathtësisht evitoi shkeljen mbi fustanin e bardhë.
Pas vallëzimit të çiftit, vëllai i dhëndrit, Stivi, u afrua tek tavolina në ballë të sallës.
– Sidoqë mua ende s’më besohet, ky është fakt, fakt i prekshëm.. Denisi po martohet sonte. Paçi jetë të lumtur! Eni, mirë se erdhe në familjen tonë!
Të gjithë duartrokitën dhe iu kthyen pjatave. Muzika që vazhdonte prapa kurrizeve mbajti në këmbë shumë çifte. Ata ktheheshin tek tavolinat sa për të pirë një gllënjkë shampanjë. Pjatat mbeteshin pothuaj paprekur dhe çuditërisht kamerierët sikur të ishin porositur i rrëmbenin ato nga tavolina pa pyetur shumë.
Eni s’la asnjë radhë pa vallëzuar. Të ftuarit kishin filluar të diskutonin për moshën e saj. Sa ishte? Gjashtëdhjetë? Gjashtëdhjetë e pesë? Ishte gjyshe, kjo u kuptua , por çfarë sfide po u bënte të tërëve me atë vallëzim të pandërprerë! Më e çuditshmja qe se askush s’ishte në gjendje të përshkruante fytyrën e saj. Me shumë edukatë, njerëzit hidhnin nga një ide. Por s’dinin të thoshin nëse ishte e bukur, e rrënuar apo e shëmtuar. Fytyra ishte e mbuluar me një tualet të rëndë. Gjithçka që shihej ishte një fytyrë e hajthme, borë e bardhë, me dy gropa sysh të zinj me qerpikë tepër të gjatë dhe një hundë të mprehtë.

Gjatë një pushimi të shkurtër, drejtuesi i mbrëmjes tha:
– Të nderuar, Eni që patë deri tani ”nuk është Eni”. Fustani i bardhë i nuses tashmë është zhdukur. Eni e vërtetë është kjo.
Dera u hap me vrull dhe miqtë panë përsëri çiftin: Denis ishte po ai, por më i budallallepsur pas dy orë vallëzimi, ndërsa Eni… Ah, Eni! Dukej sikur papritur e kishte prerë fustanin e gjatë nusëror, duke e shndëruar në minifund e duke zbuluar kështu, në mënyrën më spektakolare, kofshët e saj. Nuk duhej të qe më shumë se dyzet kile grua, që përsillej mbi një palë këpucë argjendi me taka tepër të larta. Kurora e princeshës ndriste ende mbi flokët e saj onde-onde. Ra në sy që Eni e prekte me gishtërinj herë pas here kurorën, sikur të sigurohej që ishte ende aty.
– Ajo kurorë me gjemba, brenda me siguri duhet t’i mbajë parukën bjonde, – tha një zonjë në mënyrën më të pamëshirshme, duke u siguruar që e dëgjuan të gjithë sa ishin rreth asaj tavoline të rrumbullakët. Askush nuk dyshonte më se flokët bjonde të lëshuara deri mbi vithe nuk ishin të sajat, por, atë çast, e gjithë vëmendja e të ftuarve qe përqendruar te këmbët e Enit. Ishin të bukura dhe elegante, që dilnin nga minifundi i ngushtë si tub.Thonë se këmbët e gruas nuk plaken kurrë. Eni sikur desh të provonte pikërisht këtë. Një xhentëlmen tek të shtatëdhjetat, i gjatë dhe i pashëm, iu afrua e i zgjati dorën. Ajo iu përgjigj propozimit të dancimit gjithë hir. Për dy minuta të ftuarit shijuan fragmentin më të bukur të atij spektakli. U harrua që Eni ishte gjyshe, deri në momentin tjetër që ajo i zgjati duart nipçes së saj, suxhukut të vogël me kostum të zi, që kërkoi të vallëzonte me të.
Gotat e shampanjës qenë boshatisur krejt.
Denisi qe dehur. Ecte si i dalldisur rreth sallës e kërcente me këdo.
Së fundi, kur erdhi momenti kulminant i prerjes së tortës martesore në tavolinën qendrore, Eni dukej esëll. Denisi nuk ishte në gjendje të gjente gojën e nuses, tek i afronte një copë torte me një pirun të madh.
– Lermë të të ushqej unë, – tha Eni, duke shkaktuar të qeshura.
Në mesnatë, të ftuarit lanë sallën dhe u drejtuan tek makinat e tyre. Të nesërmen gdhihej e hënë dhe ata ishin për punë.
Rrugës për në shtëpi, kur Ana po dremiste e mbështetur në sediljen e makinës, ra zilja e telefonit. I shoqi lëshoi një thirrje habie. Ajo hapi sytë.
– Çfarë?!
– Dikush ka parë Denisin në makinë pa Enin, duke shkuar në shtëpinë e tij në Long Island. Thonë që Eni ka marrë rrugën për Bruklin, aty ku banon.
– Ç’do të thotë kjo?
– Thuhet se çifti ka vendosur të jetojë së bashku vetëm në fundjavë.
– Po ata sapo u martuan. Nuk do të flenë bashkë sonte?
– Ka kaluar ora dymbëdhjetë pas mesnate. Ka filluar e hëna…

Photo by Dallas Reedy on Unsplash

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *