Press "Enter" to skip to content

Xhuljeta TENGU: KËPUCËZA E HUMBUR

http://tbn2.google.com/images?q=tbn:JtUqV2HMRIQoyM:http://www.shqiperia.com/foto/Image/Revista-Kulture/kepuce-cobra-1.jpgRrugë të njëpasnjëshme shiu të gjelbër
Ecje. Kthim. Shmangie. Kthimecje. Ecjekthim.
Përsëri shmangie. Prani. Mbërritje.
Rrugë kthesash brigjeerrët.
Hënë. Këpucë hëne.
Udhëkryqe
Sytë e tu me kolir
Prej nga erdhën këndet e përpikta
Simtritë e delirta
Të natës së shfiguruar
Mbrëmje e hënëzuar. Këpucë hëne.

Fshij veten
hijes gjeometrike
për të rigjetur vetminë e ëndërrt

Pritmë hënë. Këpucëza ime e humbur
Këmbën time fus tek ti
Në përtejlart lartuar
Qiejve duke qëndisur ecjen.

HIRUSHE e mbrëmësuar
E hënëzuar…
Hirushe

Fshehurazi në errësirë
vështrimet rrokullisen të passhqitshme
Rrugë të njëpasnjëshme. Mungesë
Etrokut kaltëror të princit të kaltër

Qëndis qiejt
Me kaltërimin mbrëmësor. Gjurmë hëne.

UNË

Mentessha e hënës së ndrydhur
Më nyjëzon me qiellin mbrëmësor.

Shumë qiell, pakëz unë.

E lodhur dëgjoj kozmosin e ujit
Në ankthimin papërmasor
Ku oqeanet dendësohen
Nënporeve të lëkurës
Qiell
Det
Njerëz
Ngjyra
Zogj…
Forma trupi
Në kufomën e ëndërrimit
UNË…
Pakëz unë
Shumë qiell

EROS

Mekanizma të çuditshme kureshtjesh
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë
Edhe të vdekurit u mpakërkan
Në të pafshehtën e fshehtë të dashurisë
Nga dallgë e fuqishme malli
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë
Malli i vdekjes së dytë
Në te pafshehtën e fshehtë të dashurisë
Që mbijeton brenda së parës
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë
Po aq e dhimbshme, ah sa e dhimbshme
Në të pafshehtën e fshehtë të dashurisë
Për të vdekurit e pavdekur
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë

SYRI BLU

Rrëzohet era
Nyja e shiut vranësohet
Madhësi rastesh
Që s’më lë të lëviz.
Paralizë ë dallgëzimit
Ndërkaq…
Syri blu
Modelim i imazhit në hapësirë
E mysët në të mysët
Galaktika e skajit
Fshehur në horizontin e përhimtë
Nga muri në mur
Djegur brenda vetes

As më pak as më shumë
Shenjtëri e labirintit brendësuar
Nga dikush që mund të jem Unë

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *