Rābiʿa al-ʿAdawiyya (Irak, 713-801)
Xheloze për një urë
Kur Zoti tha: “Duart e mia janë të tuat”,
pashë se mund të shëroja çdo krijesë të kësaj bote;
kundrova në çdo zemër bukurinë hyjnore,
që është rrënja e Kohës dhe Hapësirës.
Dikur isha një oqean i fjetur
dhe gjatë një ëndrre u bëra xheloze për një urë.
Një qindarkë të gjendet në udhë
dhe befas mund të plasë një luftë
mes të varfërve për të.
Derisa të mësojmë se Zoti banon te Ne
dhe mund ta takojmë aty,
do të vuajmë ende mes një mjerimi të madh.
Andal (Indi, Shek.IX)
Zotit Vishnu
Jeta ime do të kursehet
vetëm nëse Ai do të vijë
dhe do të rrijë me mua një natë.
Nëse do të hyjë brenda meje
dhe do të lërë
gjurmën e pastës së tij prej shafrani
mbi gjinjtë e mi,
duke më trazuar, drithëruar dhe
marrosur përbrenda.
Duke mbledhur pjekurinë time të fryrë,
duke derdhur nektar,
ndërsa trupi dhe gjaku im,
shpërthejnë në lule.
Hildegard von Bingen (Gjermani, 1098-1179)
Haleluja
Haleluja! Drita
shpërthen nga mitra jote e paprekur,
posi një lule në skajin më të largët
të Vdekjes. Pema e Botës
po çel tani. Dy mbretëritë
bëhen Një.
Chiara di Assisi (Itali, 1193-1254)
Tërhiqmë pas Vetes
Tërhiqmë pas Vetes!
Do të rend pas aromës së parfumit Tënd,
o bashkëshort hyjnor!
Do të rend dhe s’do të lodhem kurrë,
derisa Ti të më shpiesh në bodrumin e verës tënde.
Derisa dora jote e mëngjër të shkrifë flokun tim,
e djathta të më pushtojë me gëzim
dhe puthjen më të lumtur ta marr prej gojës sate.
Zeynep Hatun (Turqi, 1420-1474)
Unë jam burimi, Ti – uji im
Unë jam burimi, Ti – uji im.
Unë rrjedh nga Ty tek Ty.
Unë jam Syri, Ti – drita ime.
Unë shoh nga Ty tek Ty.
Ti s’je e djathta dhe as e majta.
Por krahë dhe këmbë – të dy.
Unë jam udhëtari, Ti – udha ime.
Unë shkoj nga Ty tek Ty.
Teresa de Ávila (Spanjë, 1515-1582)
I Dashuri është veç i imi
Veten ia dhashë Zjarrit Hyjnor,
Dhe oh, ç’shndërrim që kam!
I Dashuri është veç i imi
dhe unë e Tija jam.
Kur Gjahtari nga lart gatitur,
harkun shkrehu mbi mua,
në krahët e Dashurisë, goditur,
shpirti ç’mu lëshua.
Që atë çast jetën e fala
dhe oh, ç’shndërrim që kam!
I Dashuri është veç i imi
dhe unë e Tija jam.
Shqipëroi: Melsen Kafilaj