Ngriti kryet lart e teshtiu. Ajo kokё e rёndё, me thinja tё dendura e borё tё bardha, me onde tё çrregullta nё fund, qё i futeshin gjithkund, nё veshё, nё jakё, shall, kapele, u ngrit si flamur vetmitar e teshtiu me sa fuqi kishte. Unё e dija, pёr dreq. E prisja, si gjithmonё, pёr dreq. Ja, e kisha parasysh edhe atё veprimin e mёparshёm, kur ai ngrinte sytё drejt dritёs. Mbante pezull pёr njё çast kokën, qё vazhdonte tё dukej po aq e rёndё, dhe çlironte njё ‘apshuuuu’ tё stёrgjatur, qё pёrplasej duke u gajasur nё duart e tij tё fuqishme. I vinte gjithmonё pёrpara pёr tё mbuluar gjёmёn qё i bёnte hunda. Ajo hundё me njё formё tё çuditshme, e bёrё posaçёrisht pёr tё qenё ashtu, e zhurmshme, acaruese, gricёse. Hundё e madhe, e gjerё, me pore tё thella e tё dukshme, e vendosur si dhunshёm nё atё fytyrё tё gdhendur butё nga dhembshuria, nё mes tё tipareve tё vogla, tё atyre syve bojёqielli, pёrjetёsisht gjysmё tё mbyllur, qё edhe kur mundohej t’i hapte, nuk i hapte dot; “pa prit”, thoshte dhe shtrёngohej i tёri pёr tё mbledhur forcat e pёr t’i hapur ata sy, qё mbeteshin deri nё fund midhje dhёmbёmbёrthyer. Forcat e mbledhura nga stёrmundimi i shpёrthente herё nё tё qeshur, herё nё teshtimё. I dridhej trupi nga teshtima. Kёmbёt i ngrinte paksa nga toka, pёr t’i rezistuar tkurrjes sё mёparshme. Ajo tkurrje e pёrhershme, qё t’i grinte nervat. Prej një jete e dёgjoja atё ‘apshunё’ e tij, rёnien e lirё tё kёmbёve me bum-bumin e zhurmshёm, çjerrjen e fytit, qё gërvishte si njё saksofon nё ditё tё fundit. Tashmё i njihja çdo lёvizje. Nё fillim mё zbaviste ai kanal i ndёrmjetёm, hapur mes tij dhe dritёs, ndёrsa tani mё çmendte. Mё ish kthyer nё njё farё rituali, qё ndante ditёn nga nata, jetёn nga vdekja.
“U bёftё dreq kjo punё!”, mёrmёriti. Kruajti sёrish fytin si tё ishte nё njё thertore derrash, pёshtyu tёrё shije dhe ia futi si gjithmonё njё fraze gjysmake, qё s’dihej nё ia drejtonte vetes a dikujt tjetёr. Se ç’kishte me kёtё qytet qё thoshte se do ia merrte frymёn. Era e rёndё e ajrit, ndoshta, mbytёse. Ose zagushia, ose e kaluara e njё kёnete, ose e kaluara jonё. Unё e dija qё do e pёrmendte edhe atё punёn e frёngjyzës, qё tё zё pa u ndier, pastaj pluhurin qё duhej fshirё shpesh, se mblidhej mbi orendi si tё jetonim nё njё fabrikё çimentoje. Bёra sikur nuk e dёgjova. E shihja me bisht tё syrit, po mendjen e kisha tek Ana qё kishte ardhur pёr vizitё. Ai e mori me mend dhe dhembshuria iu shpёrbё nё fytyrё si plastelinё e mbajtur prej kohёsh nё duar.
Ana ishte ulur nё sallon e hidhte sytё sa majtas, sa djathtas. Kёrkonte me ngulm njё pikё mbёshtetёse pёr atё hije tё fshehtё padurimi qё i lexohej nё fytyrё e qё, herё- herё, i kthehej nё njё brengё tё vogёl. Ai e kishte pёrshёndetur me dorё dhe me buzёqeshjen e njё njeriu pёrjetёsisht tё pavёmendshёm e kishte çarmatosur gruan qё shkёlqente nga kёndi tjetёr. Kisha vёnё kafenё nё zjarr e prisja. Isha aty, nё kёmbё, pranё saj, pranё tij, larg tyre, me mishin e trupit tim nё mendje. Dukej sikur po mё braktiste – trupi – dukej sikur po e braktisja. Ana donte tё cyste bisedёn qё, nё njё çast tё caktuar, tё pathёnё, nё mendjen e tё gjithёve, merrte njё tjetёr shteg tё nёndheshёm. A kishim folur ndonjёherё pёr atё shteg, qё gёrryen atje poshtё, dalёngadalё, si njё krimb i butё, i vogёl, i parёndёsishёm, qё asgjё, pёrveç natyrёs sё tij tё zellshme, nuk e ngarkon me njё barrё kaq tё madhe, siç ёshtё shembja e tokёs?! Sigurisht qё jo. Pёrpiqeshim t’i mёnjanonim biseda tё tilla, qё kishin tё bёnin me gёrryerje toke, tёrmete, vullkane apo breje ndёrgjegjeje. Thellёsia kёrkon kёllqe, ndёrsa ne pёrgatiteshim çdo ditё tё luanim me lehtёsinё. Ishim vёnё aty, cekёt e shtrembёr, mbi njёri-tjetrin e jetёt tona na dilnin shpeshherё tepёr. Ngjisheshim e shtyheshim pa kokёçarje e brinjёt i ndienim copё. Kёrkonim atё pak hapёsirё qё duhet pёr tё mos u mbytur nga mungesa e ajrit e ditёt na ndiqnin si karvan i lodhur, qё vonon tё mbёrrijё.
Nga kolltuku, Ana mёrmёriste pёr pushimet qё do bёnin me Marion. Mё vinin kalimthi fjalё tёrё entuziazёm. Ishuj ekzotikё, ishuj tё nxehtё. “Tё virgjёr”, shton e shikon nga dritarja lulёzimin e akacies. “Mos u kacavirr jashtё, ne jemi kёtu”, tundohem t’i them. Po ja qё ajo jetё e shpenguar e dikurshme kishte marrё fund. Sa gjёra thuheshin mё parё, qё tani nuk thuhen! Dikur luanim, tani hetojmё, dikur qeshnim, tani pozojmё. Fjala llastik. Ajo ma lexon mendimin dhe hedh vёshtrimin te duart, pastaj tek thonjtё, pastaj askund. Seç rendit ca ngjyra pёr tё shitur kontrastin si magji. Rёrё e bardhё, det blu, afrikanё tё zinj. Kujtohem qё, si pёr çdo vit, duhet tё presim degёt e akacias qё i zёnё dritёn dhomёs.
Pёrpiqem tё ndjek fillin e fjalёve. Humbas. Pres tё ndihet zhurma e kafesё sё bёrё. Ana flet e me çdo kusht kёrkon ta zgjasё bisedёn. “E ke vёnё re qё atje edhe dielli ёshtё ndryshe? Ёshtё ndryshe dhe i kuq”, thotё e ngre sytё tё shohё nёse po e ndjek nё udhёtimin e saj. Kafeja derdhet, unё pёrmendem. “Mё more mendtё”, i them e mbledh forcat t’i buzёqesh. E hedh nё filxhanё kafenё e mbetur. Dje do tё kisha nxituar ta bёja nga e para. Nga e para do e zbёrtheja aparatin mbushur plot me llum tё zi e tё ngjeshur. Pa pёrtuar do hidhja, si gjithmonё, njё lugё kafeje elbi e dy lugё kafeje tё hidhur, tё bluar ngeshёm e imёt, si kujtime tё hershme, tё harruara, tё fshehta. Sot, mendimet bёhen rroba tё lagura, tё shtrydhura keq e tё veshura nxitueshёm. Ngulen si pyka, pёrpёliten, turbullohen e derdhen si kjo kafe e domosdoshme. Dje do ta laja mirё e mirё makinёn e kafesё dhe, nga zhurma e ujit tё bollshёm, e qeshura e Anёs do mё vinte si freski ujёvarash tё largёta. Ato ujёvara qё unë e ai i kishim parё e qё na bёnin tё tkurreshim pёrherё, se, fshehtas, mendonim se ç’trishtim na sillte madhёshtia e tyre. Të dy u ndiem tё vegjёl pёrballё tyre dikur, dy pika qё avulluan sa hap e mbyll sytё nga ajo masё e frikshme uji qё rrёmbente çdo gjё, edhe entuziazmin tonё. Kёtё kujtoj sot. Ndёrsa dje do ta prisja kafenё me durim, siç pret ai qumёshtin nё zjarr. I derdhet sa herё. E nuk ngutet. Unё vёshtroj, fryhem, nxehem, zverdhem, firohem, hedh flokёt majtas, pastaj djathtas e nё fund plas. Se qumështi i tij derdhet, se kafeja ime derdhet, sikur tё mos mbanin dot atё pikёn e brishtё tё kujtesёs sonё tё pёrbashkёt. Nё kёtё çast, kujtesa derdhet e unё e shoh si tё ishte e tjetёrkujt. Njё kujtesё qё s’e njoh, s’e marr dot mё pёrsipёr. Peshon, rёndon si tё ish njё thes. Tё zhyt e nё zhytje e sipёr kujtohesh se dikur e ke sjell ndёr mend kёtё çast, qё atёherё tё dukej aq i kobshёm, kёtё çast qё gёrryen, qё zbraz muskujt, qё thith palcёn nga kockat. Atёherё dhembte zemra, tani kockat. Duhet kohё tё mёsohesh me kockat, qё tashmё tё lipsen pёr tё matur lagёshtinё e ajrit, pёr tё matur trysninё e ankesёs sime, qё mezi pret tё mbysё ankesёn tёnde. Po ne jemi kthyer nё britma tё heshtura, ankesa jote lind e mbytur e shkon pёrzihet pёrzishёm me frymёn e ndenjur tё dhomёs.
Filxhanёt janё mbushur pёrgjysmё. Ana qesh me tё madhe, bёn ca shenja me duar si pёr tё hequr njё çikёrrimё nga ajri e mё fton t’i ulem pranё. Hedh sheqerin, njё lugё, dy. “I kam thёnё edhe Marios”, vazhdon, “ato vende janё si kartolina. Dielli ёshtё sa gjysma e qiellit, hёna sa njё saç i madh, deti mendim i kulluar. Mezi po pres tё shkoj sёrish”. Hesht. Afron filxhanin, mbledh buzёt e fryn lehtshёm. Kafeja nuk i bindet, pёrvёlon. Mbi tryezёn e vogёl, pёrbri, qёndron e paprekur gota e ujit, qё ia kam nxjerrё pёr tё shoqёruar kafenё. Ia kisha ngulur sytё gotёs dhe po mendoja se ishte hera e parё qё e vёzhgoja Anёn me aq vёmendje dhe kёmbёngulje. Vёmendja e fshehur, kёmbёngulja e dukshme, Ana aty, nё mes, si lozonjare, qё pёrpiqet me sa fuqi qё ka tё mos zhytet nё renё e mendimeve tё mia. U zhytёn, apo i zhyta, mё nё fund?!
I shoh tё dy, Anёn dhe Marion si atёherё, atje, mbi rёrёn e bardhё, nё Afrikёn e zezё. E pashё Marion si i kalёroi vitet nё njё çast tё vetёm, teksa ndiqnim shfaqjen e masaive nё restorantin tonё. Ishte bёrё tёrё sy e vesh pёr tё prekur nga afёr atё magji qё përcillnin trupat e gjatё e tё hollё tё atyre luftёtarёve tё savanave. Luftonin duke kёrcyer masait. Ishin vёnё tё gjithё nё njё vijё tё drejtё, sikur tё ishin mёsuar prej kohёsh me kёtё konkurs bukurie qё s’u pёrkiste e pozonin ashtu, tё palёvizur, me ata trupa qё i ngjasonin kujtesёs sё gёzueshme tё njё palme tё re. Me njё rend, pёr ne tё panjohur, ata hidheshin lart, hop-hop, tё gjithё nё tё njёjtёn kohё, herё-herё njёri pas tjetrit dhe ushtat e tyre takoheshin kanosёse, diku andej nga qielli. Tё rrëqethnin; edhe luani mposhtej nё pёrfytyrim nga britmat e tyre. Flokёt e lyer me baltё, vathёt e mёdhenj, varёset qё tundeshin me ritёm tё rёndё, mburojat qё dukeshin si pjesё e hijshme trupi, fustanet e kuqe tё atyre burrave, qё s’dihej nё vinin nga malet apo legjendat, e kishin gozhduar Marion, qё ndoshta, atё çast, duke u ndjerё copё toke, copё qielli, duke u ndjerё pjesё tregimi i papёrfunduar, kishte vendosur tё harronte. Nata nuk arriti të maskonte çdo pёrpёlitje, çdo dhembje. Nёn dritёn e mbytur tё qiririt i shihej nervi qё i rrihte në tёmtha. I ndihej kёrcitja e dhёmbёve. Mё dhembi edhe mua ai shtrёngim nofullash, qё e kujtova pёr vite tё tёra, ashtu siç kujtoja shijen e ushqimit tё asaj nate. Çudi! Mbes pёr njё çast kur kuptoj se edhe tё ngrёnёt kthehet nё kujtim tё sё kaluarёs. Si ishte ajo salca nё atё restorantin malezian, qё ndodhej aty, mu nё zemёr tё Afrikёs?! Njё salcё e kuqërreme, e trashё, damarё tё fryrё, e mpiksur, sfond i pёrgjakshёm mbi tё bardhёn e brishtё tё pjatёs. Atёherё mё kishte bёrё pёrshtypje ajo salcё qё mbulonte pa mёshirё delikatesёn e karkalecave tё detit. Habia ishte shtuar me kafshatёn e parё, kur tё dukej sikur sapo kishe ngrёnё piper djegёs, me tё dytёn, qё e zbuste tё parёn e kёshtu me radhё, deri te kafshata e fundit, qё ёmbёlsonte gjithё djegёsirёn e dukej se zjarri i mёparshёm s’ekzistonte mё, ishte fashitur, por mё vonё ndihej qё vatra kishte mbetur tinёzisht brenda teje, nё kraharor. Ndёrsa nё gojё tё mbetej shija e mrekullueshme e njё karkaleci deti tё sapodalё nga oqeani. Ti u marrose pas asaj kuzhine qё s’e njihje. Ana e harroi sqimёn e kёrkoi sёrish e sёrish. Fytyra i shkёlqente nga entuziazmi, nga dёshira, nga ai i nxehtё qё, o zot, s’dihej si tё ngjitej gjithkund nёpёr duar, faqe, trup, nё kofshёt e saj mbuluar me njё pёlhurё tё hollё, nё ata flokё tё zinj, qё era e djersёs i kthente nё litarё tundimi. Ishte ajo, jeta e dikurshme, e çlirёt, e shpenguar, çakёrdisje pushimesh, qё na kishte bёrё bashkё tё katёrt. Ishin ato pushime, ajo salcё. Ai ajёr i nxehtё mbushur me grimca pasioni tё shpejtё, pa peshёn e njё toke tё njohur, tё njё jete qё tё pёrket, qё e ke marrё pёrsipёr, qё tё merr pёrsipёr. Ishte nata e lehtё e njё tundimi qё s’harrohet, qё preket pёrciptas, po qё mbetet aty, thellё. Njё natё e mbushur plot, po qё s’rritet, as nuk vdes, vetёm kujtohet, nё heshtje, nё vetmi. Ishte i Anёs ai çast. Mua mё mbeti kujtimi i dy hijeve qё zhdukeshin nё errёsirё, mёrmёritja e valёve qё lёpiheshin vazhdimisht dhe adhurimi i Marios pёr masait. Ai pret duke i rёnё tryezёs lehtё me gishta. Pёrpiqet tё mbajё ritmin, tё mos humbasё asnjё britmё nё atё teatёr kanosjesh, qё trondit me mijёra grimca rёre tё ngritura nё ajёr. Ajo valle lufte nxit, zapton, thith nxitueshёm burrёrinё, mbush spektatorёt, shtresa-shtresa, me ndjenja primitive, qё flenё brenda teje, thellё-thellё, qё zhyten e vdesin, akoma mё thellё.
“Po vonohen. Mos janё ngatёrruar, ndoshta?!”, pyet ai pas pak dhe harron tё kontrollojё gishtat.
“Po vonohen, ndoshta janё ngatёrruar”, i pёrgjigjem.
Pёrpiqem tё mos e shoh nё sy. Mario kthehet nё pozicionin e mёparshёm. Kёrcimi mbaron, gishtat mbajnё ritmin e mendimeve. Masait janё djersitur, u merret paksa fryma, por hareja e tyre ёshtё e njёjtё si nё fillim, kur lёkura u lёshonte atё erёn e çuditshme tё natёs afrikane. I lё tё shuhen ato britma shpёrthyese. Tani mё duken si britma pafuqie. Mund edhe tё mos flisnim unё dhe Mario. Ritmi i shpejtё i kёrcimit tjetёr do na i mbyste fjalёt, do na copёtonte me pritjen. Arti i pritjes na mёsoi durimin, na bёri tё mençur e pikёrisht atё çast mёsuam se mençuria, shpeshherё, e mbyt pa tё drejtё primitiven, atё instikt prej njeriu tё gjakosur qё kёrkon tё ulёrijё, tё ndeshet dhёmbё pёr dhёmbё, tё gjakosё edhe ai, me sa fuqi qё ka, me ca thonj tё gjatё e tё pagdhendur, qё s’i pret qysh nga koha kur jetonte nёpёr shpella. Sa kohё kishte kaluar nga shpellari te njeriu i zhvilluar e i shushatur?! Dyzet mijё vjet, apo dyzet minuta?! E ç’rёndёsi ka?! Shpella jonё kishte rёnё, na kishte zёnё poshtё e ne s’e kishim ndier. Dhe kjo ndodhi sot.
Nё kthim, ata kishin pёrgatitur shpengimin. Njё dorё e shkujdesur qё prek si rastёsisht njё dorё tjetёr tё shkujdesur, njё vёshtrim i beftё, qё dёshiron, qё epet sёrish e sёrish nё fshehtёsi, atje nё breg tё detit ku strehohet nata. Para nesh, dy hije tё pёrpёlitura qё mishin e tyre e kishin lёnё gjetiu, atje, ndoshta ku rёra e bardhё i binte me turp nga flokёt dhe hiqte dorё e sfilitur nga rrobat e tij tё zhubrosura. Nё kёmbёt e saj djersinte epshi.
Ja, sёrish ajo. Po sot ndiej atё peshё pupёl mbi kolltukun tim. Nё kёtё çast, Ana hap krahun, lёviz dorёn nё drejtim tё gotёs me ujё. Mua mё duket njё lodhje e tёrё, pёrpjekje çnjerёzore pёr t’u dukur njerёzore. Merr gotёn dhe e rrok tё gjithёn me gishtat si tentakula elegante tё njё oktapodi tё mrekullueshёm, tё sapozgjuar nga gjumi. Sikur gota tё mos ishte e tejdukshme, ajo dridhje e lehtё e ujit nuk do dukej, nuk do tradhtonte, edhe pse ajo e mban me kujdes, sikur tё jetё hera e parё qё pi ujё nё jetёn e saj. E sheh, mendohet, e vendos sёrish mbi tryezё. Pёrpiqet tё lёvizё mendimet me duar. Pёrfytyroj qё, sikur ta pijë ujin, buzёkuqi i saj do tё lërë atё shenjёn e paqartё tё mёkatit nё buzёt e gotёs. E dija qё ajo gotё do tё bёhej mburoja e thyeshme, e brishtё e njё moskokёçarjeje tё qepur keq, ashtu, nё tё shkuar e sipёr.
Ana, dukshёm, kёrkon tё fillojë njё bisedё tjetёr. Flet pёr Marion, i cili, qё kur ёshtё kthyer, nga stresi i punёs, ka filluar tё flasё duke zёvendёsuar tё gjitha zanoret me ё-nё. “Se si flet”, thotё, “çuditshёm”. Imiton: “’Tё prёmtёn tё lёmё tёkim pёr ёnёlizёt. Vёksinё ё ёthёve tё vёrdha dё kёhё. S’dёhёt tё hёrrёsh ёdhё vёksinёn ё mёlёrjёs’ – dhe ec e merre vesh se flet pёr vaksinёn e etheve tё verdha dhe tё malarjes”, ia bёn duke qeshur. Duket e argёtuar, edhe pse nё fillim kishte menduar se, kёtё devijim gjuhёsor, Mario e kishte nga ndikimi i gjuhёs sё atij vendi tё largёt ku punonte prej disa vitesh. Mё vonё e kishte kuptuar se shkakun duhet ta kёrkonte shumё mё pranё, si aty, pёr shembull, nёn lёkurё. Ajo pёrçartje, ajo gjuhё, nё dukje e çoroditur, ishte shenja e parё e kthimit nё fёmijёri tё njё burri. Ёshtё rikthim tek ajo gjuhё nёne, qё pёr ne mbetet aq e çuditshme, shpesh e padeshifrueshme, pёrfundimisht e padepёrtueshme. Ndёrsa, atij, burrit, i duket si kodi i vjetёr, aq i njohur, i njё dashurie tё thjeshtё, i njё dashurie tё madhe, pёrjetёsisht tё humbur.
“U plak dhe Mario”, thotё. Keqardhja e bёn tё largёt. Pёrmendet, kthehet. Merr gotёn e ujit me vёrtik dhe e kthen me fund. Nga njё çast nё tjetrin ka fituar pёrvojёn e njё luftёtari qё mposht.
Unё kam kohё tё adhuroj gjithçka tё sajёn: buzёt e plota, sytё e perёnduar si nё joshje e sipёr, buzёkuqin flakёrimё, qё duket sikur nuk e fshin kurrё. Flet. “Sikur tё vinit edhe ju! Pas asaj qё ndodhi, do tё na bёnte mirё njё udhёtim tjetёr. Ёshtё thjesht njё mendim…”, thotё dhe e zvarrit fjalinё si apatia qё mё ka kapluar mua.
“Ti e di qё s’mund tё vijmё, s’mund tё lёvizim”, i them pak e prerё, pёr tё mos i thёnё troç qё po e tepronte. Pashё se si u pёrthye keqardhja nё fytyrёn e bukur tё Anёs. Doja tё shtoja se ndiheshim mё tё rёndё se toka dhe dielli ynё kishte marrё pёrmasat e vogla tё njё dielli cinik. “Pastaj, kemi qenё njё herё andej”, mё del thjesht, si pёr ta mbyllur me nder bisedёn.
Hedh sytё nga ana tjetёr e sallonit. Shoh qё ai ngre kryet dhe kёrkon sёrish dritёn. Por e ul shpejt dhe nuk i jep kohё tё shpёrthejё asaj “pauzёs sё tij filozofike”, siç i quan ai, ato minuta qё s’mbarojnё kurrё. Nё pёrfytyrimin tim, “pauza” merr trajtat e njё njeriu prej mishi e gjaku, qё s’di si e qysh ta kapёsh prej veshi e ta hedhёsh nga shkallёt me shkelma. E njihja edhe kёtё lёvizje. Bёnte kёshtu sa herё qё nuk teshtinte dot lirshёm. Njё herё, nё fillimet tona, e pyeta se ç’lidhje kishte teshtima me dritёn. Ai mbeti ashtu, i palёvizur, i shashtisur, si njё statujё turpi. Me sytё lart e duart gati pёr t’i bёrё barrikadё hundёs, teshtiu si i zёnё nё faj. Atёherё, unё ende shihja tek ai njё burrё tё pambrojtur e tё zёnё nё grackёn e ndriçimit. “Çdo gjё ka lidhje me dritёn”, më tha dikur dhe u kthye nga unё. “Edhe gёzimi, edhe zemёrimi yt”, shtoi e mё pёrkёdheli me vёshtrim. U pёrpoq tё mos pёrplaste kёmbёt, por unё, ende pa e ditur ritualin, e pёrfytyrova atё rrahje toke “bum-bum”. Ky ishte njё nga ato rastet kur gjesti i mirё i njё njeriu tё mirё nuk ngjiti, nuk bёri bujё. Kёshtu mendova atёherё, ndёrsa tani, nё grackёn e ndriçimit, mё fut kjo grua e ardhur si pulёbardhё e vonё, e butё, qё, herё pas here, cimbit jetёt tona.
Dёgjohet zёri i pakët i televizorit. Figura shkon, figura vjen. Ndёrrohen kanalet nё kotёsinё e tyre. Me siguri ai e ka marrё pultin nё dorё, si gjithmonё. Numrat nuk shihen mё nga pёrdorimi. Me gishtin e tij tё madh, qё ende ruan forcёn pёr tё thyer njё arrё, e shtyp aq shumё, derisa goma e vockёl e numrit tre çahet mё dysh dhe s’pёrgjigjet. Është ndarje e dhunshme, mendim patetik pёr njё gjysmё ore gjumё, si vdekje e papritur, pa ringjallje tё zёshme, tё zhurmshme, qё tё mbush mendjen me figura tё shpejta, nga kanali dy te kanali tre, me brenga tё shkuara, qё tё futen tinёzisht, nga kanali katёr te kanali pesё, derisa i jap rrugёzgjidhje atij çasti nervoz dhe ndalem. Mendoj. “Po unё?! Po kujtimi im?!”. E mbyll televizorin. Kujtimi im ёshtё i pandier, njё gjurmё e njohur, heshtje. Kujtimi qё lё unё ёshtё ajo pecetё e bardhё, e palosur me kujdes mbi tryezё, qё shёrben si vendpushim i pastёr i pultit.
Ai ngrihet duke tёrhequr kёmbёt zvarrё. Shapkat i ngatёrrohen e hapi tjetёr i rrezikshёm ёshtё tё kapёrcejё shёndoshё e mirё rrugicёn, pa thyer ndonjё gjymtyrё. Me dorёn e djathtё rregullon pantallonat tёrё rrudha. Mё kujtohet majmuni ynё i dikurshёm. Zёrit tim qortues, majmuni i pёrgjigjej me njё kapje tё shpejtё e nervoze tё bishtit dhe aq shumё e kruante sa njё metёr bisht dukej sikur ishte dy. Dhe kёtё e bёnte me dorёn e djathtё. Me tё majtёn, tё pёrthyer paksa nga brenda, prekte faqet e mbushura me ushqimin qё e mblidhte dhe e hante ngadalё orё e orё tё tёra. Kujtime tё ngulshme, tё bluara si ushqim i ndenjur nё gojёn e njё majmuni, kujtime qё i pёrtyp tёrё ditёn, njё jetё.
Majmuni kthente kokёn mёnjanё kur bezdisej nga humori im i prishur. Vёshtrimin e ngulte nё njё pikё tё murit tё bardhё e unё e dija, majmuni dёshpёrohej. Atёherё ulte bishtin e gjatё, ulte kokёn e vogёl dhe strukej nё njё kёnd çfarёdo tё dhomёs, si nё njё degё tё parehatshme peme.
S’di pse ky burrё mё jep tё njёjtёn pёrshtypje. Ul kёmbёn e majtё, ngre tё djathtёn, kruhet nga pas, si tё ketë bisht, tёrhiqet zvarrё nёpёr korridor dhe zhduket pёr tё gjetur njё kёnd tё çfarёdoshёm nё mёshirёn time.
“Iku?”, pyet Ana. “Mund tё qёndronte… pёr hir tё sё kaluarёs…”, thotё dhe ul filxhanin. Nё mendje mё pёrqaset tisi i trishtimit tё syve tё saj me tё zezёn e kafesё sё mbetur.
“Mos ia vёr re! Ti e njeh”, i them. Grimcё e panevojshme dobёsie, apo pabesie, justifikimi?! “Iku tё teshtijё nё dhomёn tjetёr. Atje ka mё shumё dritё”, shtoj dhe pres qё Ana tё çlirohet. Nё qafё i mbetet, si rruazё e çmuar, tundimi pёr tё kthyer kryet pas.
(Shkёputur nga Revista Letrare – Vjeshtë 2021. E gjeni në Amazon)










