Press "Enter" to skip to content

Ylli JAHAJ: S’ke provuar

Ti s’ke provuar mik ç’është vetmia
atëherë kur njerëz ke plot përreth
e kurrë s’do ta dish ç’është dashuria
kur të përket e s’mund ta kesh.

Ti s’ke provuar mik sepse ke frikë,
një ditë të gjendesh veç me veten.
Të të kalojë në rrugë vetja jote
e të mos kesh guxim të ndjehesh!

Ti s’ke provuar o mik i bekuar
vetminë ta duash fort me shpirt
e ti lutesh atij që shpirtin të ka dhuruar
të mos tregohet aq katil.

S’ke provuar mik ta dashurosh vetminë,
se të dhemb në shpirt e në palcë të hyn
e të gjendesh fillikat me perëndinë
të diskutoni për këtë jetë.

Ti s’ke provuar mik e kurrë s’do e duash
veten që kërkon paqe nga bota.
Kështu kërkon veç të ndjehesh i pranuar
e lumturinë e kërkon në fjalë të kota.

Duaje mik veç njëherë veten, vetëm
mes një shkretëtire ku sheh veç horizont.
Kështu varësinë nga bota do e heqësh
e bota nga ti, s’do ta heqë dot!

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *