Press "Enter" to skip to content

Shkëlqime humaniste mes llumnajës bashkëkohore

“Paqja e përgjakur e Adamit”, Agron Tufa, roman, “Onufri”, Tiranë 2022

Rrëfimi i Agron Tufës në këtë roman merr një lartësi të re e shkakton drithërima sublime, por edhe rrëqethje tronditëse. Në këtë histori ndodhin edhe vrasje, por kjo s’është asgjë ose, më saktë, asgjë më dramatike apo alarmuese sesa “vrasja e planifikuar dhe e programuar me saktësi profesionistësh” e lumturisë, e shanseve për të qenë i ndershëm dhe i kënaqur me punën tënde.
Çartaqejf me familjen e vet në fillim të viteve 1990, personazhi kryesor, Adam Zaganjori, ia dath për Greqi e Itali. Autori sjell veç si oshtimë të largët vuajtjen, dramat, poshtërimin e emigrantëve të parë që e lanë Shqipërinë socialiste, atë kështjellë të patundshme. Pasi ato kanë ndodhur larg, në një tokë të huaj. Për ato poshtërime s’do të dijë kush në atdhe. Ose askush s’do pyesë për to. Mendoj se është i rëndësishëm ky detaj e nuk është sjellë padashje nga autori.
Personazhi kthehet në Shqipëri, në atdheun e tij të mijëra mundësive e do ndërtojë perandorinë e vogël me pak vetë, kopshtin e rrethuar të lumturisë së tij, të ujitur me djersë, të krijuar me mund. Mirëpo atdheu popullohet tashmë nga njerëz të metamorfizuar, monstra me çaponj të përgjakur, që duan të rrëmbejnë edhe centimetrin e fundit të atdheut, edhe belbëzimin më të pazëshëm të lumturisë së tjetrit. Ata janë të shpërndarë kudo. Nisin te vëllezërit e tij, te vjehrri, shokët e fëmijërisë, punonjësit e administratës, avokatët, gjyqtarët, oficerët e policë burgjesh. Në këtë botë merimangash do t’i merrej fryma edhe një trusti të fuqishëm çeliku, jo më ndërmarrjes së vogël të prodhimit të tapave “EOL”, të themeluar e drejtuar nga Adam Zaganjori.
Në garën rrënuese për të grabitur gjithçka, në atë periudhë të Shqipërisë, ku melankolia dhe drama më e madhe shprehej me fjalët: “Ishim të varfër, do bëhemi edhe më të varfër”, çeta e monstrave me çaponj nuk përqurret hijeve e klubeve, por hidhet në aksion. Të kontrollojë gjithçka: ekonominë, politikën, drejtësinë, tokën, detin, krejt aparatin shtetëror. Dhe respekt për këmbënguljen dhe efikasitetin e tyre: ia arritën plotësisht!
Romani përshkruan udhën e Adam Zaganjorit, si alternativë, si rrugë e mundshme me shenja të sigurta e të shëndetshme suksesi, e cila, për nga ndershmëria dhe mënyra se si krijon pasurinë, nuk duhej të takohej kurrë me udhën e personazheve të tjerë. E nuk është veç lakmia për pasuri, por ka një nyjëzim më të thellë, një defekt në vetë ADN-në e atyre njerëzve, e asaj shoqërie, që i vlerëson e i zgjedh, që i ngre e i mban mbi krye. Kontrasti dramatik mes së mirës dhe së keqes, pandershmërisë dhe nderit, në shoqëri të tilla bëhet gati karikatural.
Brenda familjes së personazhit është fermentuar e keqja, ndarja e pasurisë së dikurshme; hilet, poshtërsia sjellin në spikamë një bërthamë familjare të dekompozuar. I vetmi gëzim aty është fakti se nëna e Adamit, “rahmetlija”, siç e thërret i shoqi, nuk ishte gjallë për të parë se në çfarë dite ka degraduar pjella e saj. Por, po të ishte kaq e thjeshtë, do shkruanin romane të mrekullueshëm të gjithë. Në mes të kësaj llumnaje ka shkëlqime brilante humanizmi. Adami e shpëton të atin duke i falur veshkën, ani pse rrokullisja e programuar s’mund të ndalet më, për të sjellë në fund të romanit një panoramë të një realizmi të pashpirt mbi shoqërinë shqiptare, natyrën e saj, një lloj diagnoze me pronostike të frikshme, por të paktën si hap të parë drejt shërimit, si përpjekje humaniste e një autori shqiptar, zërin e të cilit zor se e dëgjojnë ata që i shurdhon çdo ditë gumëzhitja e urisë në vesh ose zhurma e fanfarave të sukseseve në paradat e fitimtarëve.
Edhe pse i kufizuar si numër, personazhet që ruajnë akoma njëfarë shkëlqimi njerëzor, pavarësisht dritëhijeve, si Katrina Katuni, Alma, motra e saj mjeke, mjekët e spitalit, disa bashkëpunëtorë vendas e italianë të Adamit, profesor Zaharia Ristani, deri edhe kuzhinier Saraçi i burgut të Rrogozhinës, dëshmojnë se ajo batërdi, që u derdh si llavë e pistë mbi këta njerëz, nuk ka arritur të zhdukë krejtësisht sythet e të njerëzishmes.
Ky është aspekti sociologjik i leximit, ndërsa ravijëzimi i personazheve, linjave, konfliktit, individualizimit përmes gjuhës e strukturës së brendshme të mendimit, aludimet me mitet zanafillore të krijimit, parajsës dhe dëbimit, semantikës eoliane të tapës, përdorimit bujar të kurtheve të vogla ngazëlluese, si përdorimi i një fraze këtu, thënia e një fjale atje, të cilat, më vonë shërbejnë si “lidhëza” për t’i dhënë substancë veprimit të personazheve, e bëjnë romanin jo vetëm sintezë që kullon dhimbje për fatin e një shoqërie, por edhe një vepër të shkruar me shumë klas.
“Paqja e përgjakur e Adamit” është një roman kyç në shkrimin shqip të këtij fillimshekulli.

2 janar 2023

Autori
Arbër Ahmetaj
Kryeredaktor   | [email protected] | Website

Arbër Ahmetaj lindi në Tropojë në vitin 1965. Është diplomuar për farmaci në universitetin e Tiranës dhe atë të Gjenevës. Në vitin 1986 filloi bashkëpunimin me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punoi si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në vitin 1993 iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe u specializua për diplomaci në Oksford, Uashington, Gjenevë dhe Maltë. Pas detyrave të ndryshme në këtë ministri u emërua Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 jeton në Sion të Zvicrës, ku ushtron punën si farmacist. Disa nga veprat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr", "Varri i braktisur", "I huaji, ai kosovari", "Një natë te Luiza", "69 gra", "Procesi 3K", si dhe librat me poezi "Më mori malli e dashur" dhe "Poezi". Nga viti 2020 është Kryeredaktor i Revistës Letrare.