Press "Enter" to skip to content

Rubajetet (Rubairat) e fundit të OMAR KHAJAM

RubairatPër Dashurinë

Një do flori dhe tjetri do pushtet,
Thesare jep e grada ky dovlet.
Sa kam një kupë verë e një sorkadhe,
I lumtur jam dhe mbret përmi çdo mbret.

***
Nuk blihet dashuria me flori,
Pse me pahir nuk paska dashuri.
Gjaku me gjak, ylli me yll kur piqet
Shkrihen dy veta më një perëndi. 2)

***
Nëpër harem sulltani mjekërosh
Zogë më zogë hidhet si kokosh.
Vetëm njëzë Hajami mban përqafe,
Po shpirtin si sulltani s’e ka bosh.

***
U plaka, mikja ime, moj meshollë;
Gjunjët më lanë dhe m’u qep një kollë
E di që nuk të ngroh, jo, diell’ i dimrit,
Po ç’t’i bëj zemrës sime si mënjollë.

***
U plaka, shokë: humba pasurinë
U plaka, shokë: humba mbretërinë
Ku ka thesar e mbret në këtë botë
Si koha e artë, të ritë, për njerinë?

***
Pashë në ëndërr miken te një gurrë
Dhe mi lëndinë aty bëhem për burrë
Në gjumë: s’qenkam plakur! – unë thoshja
Kështu njeriu të mos zgjohet kurrë.

***
Të ishnja mbret, e falnja mbretërinë
Të ishnja kamës, e falnja pasurinë
Për një çikë shëndet. Po jam Hajami
Dhe s’kam se ç’fal, s’fal dot as diturinë.

II
Për Lirinë e Mendimit

Shiko atë bandill me një gisht ballë:
A futet dot Platoni aty vallë? 3)
Filozofia kërkon tru me çika,
Në kokën e të tillit bëhet dhallë.

***
Hafëz’ e myezinë plot pazari,
Përtypet me Kuranin dhe gomari.
Nga mëndja e tyre s’dalin shkrepëtima,
Po litari e psalme bajraktari. 4)

***
Bien daullet, vërshëllen zurnaja,
Rokullisen hadithet 5) si rrungaja –
Imami flet e tunden minaretë,
Dhe zhurmëmadhe ngrihet berihaja.

***
Librat e shënjta si tabu i kanë
Syleshët e verbuar myslimanë;
Dhe ecin dre..jt, si kali me veshoke,
Atje ku bie vetëm një kambanë.

***
I thonë zemrës: hesht e mos këndo!
I thonë mendjes: rri e mos mendo!
I thonë shpirtit që kërkon të ngjitet
Në majat e lirisë: mos guxo!

***
Sa keq në burg me hekura rrethuar,
Vargonj në qafë dhe vargonj në duar
Po si vargonjt’ e mëndjes e të shpirtit
Nuk paska robëri më të shëmtuar!

III
Kundër tiranisë dhe shfytëzimit

A blihet dituria me flori?
Virtytet a fitohen me fuqi?
At’here pse kush ka pushtet e kamje
I ditur quhet, i lartë si njeri?

***
Atë, që ar lakmon dhe pushtet,
Skëterra me katran të zjarrtë e pret –
Kështu përdita flasin ylemaja, 5)
Po vetë s’ngopen kurrë me ryshfet.

***
Dhuna flori dhe ari pjell pushtet,
Mbreti saraf, sarafi bëhet mbret –
Me lot e gjak e djersë s’ngopen kurrë;
Po si duron e s’ndihet ky milet?

***
Ah, gjak kullojnë froni e pasuria,
Me gjak e djersë fryhet mbretëria;
Po shahun, që shkëlqen me salltanete,
Si perëndi e mbajnë tevabia. 6)

***
Po bëre krim, krimi shkon vargan,
Kur krimin ta mbuloj me profka dua.
Me krime lint, me krime mbahet fron
Prandaj dhe gjaku derdhet si përrua.

***
Dhelpra dinake, gjakpirës e mizorë
Janë kudo rreshper’ e perandorë;
Po s’ka mizor se sa tirani rishmas, 7)
Zhytur në gjak me fron e me kurorë.

***
Skllevër kudo: sarafë dhe vezirë –
Më skllevër se sa bujku në errësirë;
Dhe rrallë gjen në gjith’ Iranin tonë,
Përveç Omar Hajamit, njerëz të lirë.

***
Skllevër që dalin me flamur lirie,
Fanatikë me klithme histerie,
Demagogë – kudo. E papërmbajtur
Dhuna harbon, fryt i zi lakmie.

IV
Me banda filistinësh e sulmuan,
Me jargë zvarraniku e mbuluan,
Dhe, dorën duke ngritur, ylemaja,
Si apostat Hajamin e mallkuan.

***
I ndërsyer, çakallli fanatik,
Ta djegë do me zjarr si heretik.
Qëndro Hajam! Kupën bukuroshe
Zbraze dhe mbushe prapë me teftik.

***
Qëndro si burrë! Edhe pse atdheu
Të gjitha me mallkime t’i shpërbleu,
Ti mos u tunt! Me verë mbyte helmin,
Dhe tunde kupën sa të tundet dheu.

***
Nëpër gjumë e dëgjon Ispahani,
Shirazi me Gërmadhat 8) Horosari
Me Nishapur – Sakiu 9) i përgjumur
Marramënthi gulçon nga Teherani:

***
Jo, jo, Hajam! Persia e munduar
Kurrë Hajamin s’ka për ta harruar;
Pse ar, lavdi nuk deshi, po për popull
Dhe për liri e dritë ka punuar.

***
Jo, jo, Hajam! Ja po shkundet Persia
Ja ku shtriqen përgjumësh njerëzia;
Në Lindje e Perëndim, Veri e Jugë,
Kudo në botë, mugëllon liria.

____________
1) Zbuluar më 1952 nga një orientalist sovietik në Taxhikistan.
2) Në kuptimin pagan të kësaj fjale.
3) Aluzion për ndonjë sufi neoplatonik.
4) Edhe këtu godit shumicën e sufinjve dhe syninjve , rryma teologjike të kohës.
5) Intelektualët e asaj kohe, që ishin dhe funkcionarë të lartë.
6) Rrethi mbretit, shtetasit.
7) Krahaso me “Prometheu i lidhur” të Eskilit: “Çdo mbret i ri në krye është i ashpër” (Përkthim i Fan S. Nolit)
8) Gërmadhat e Persepalisit, qytetit të lashtë të Persisë.
9) Këtu personifikon shpirtin e popullit.
(Shënime të autorit. Edhe titujt e kapitujve janë të tijat.)

Rubajatet e fundit
(Apokrife?)

III, Strofa 3
Që kur harbuan Ari dhe Fuqia,
Harboi e pangopur dhe lakmia.
Nga duf’ i saj, rrëmbyer si në vorbull
Vërtitet e shkalluar njerëzia.

***
Për ar e fron vëllai të vëllanë
Si bish’ e vret, i biri helmon t’anë,
Dhe vaj të nxehtë i kullon në vesh
Burrit në gjumë e shoqja për jaranë.

IV, strofa 1
Në grykë mbeti këng’ e pakënduar,*)
Kallkani e ftohu zjarrin e pashuar;
Guxim e shpresë i flaku tej një vrundull,
Që nxin horizontin e qëruar.

***
Po jeta – oqean rrjeth pa pushuar
Dhe këng’ e tillë s’mbetet pa kënduar;
Dufin e tij me zjarr e shfryn njeriu,
Dhe zjarr i tillë kurrë s’ka të shuar.
__________
*) Në fyt na mbeti këng’ e pakënduar (Variant tjetër i përkthyesit.)

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *