Press "Enter" to skip to content

Rritja e një zëri femëror ndër vite

Në krijimtarinë e Armela Hysit, poezia është lëvizje e brendshme që përpiqet të ngjitet gjithnjë e më lart, nga ndjesia te mendimi, nga përkëdhelja e kujtesës te dridhja e qenies. Qysh në poezitë e para ndjehet se fjala e saj nuk kërkon të pëlqehet, por të kuptojë vetveten.
Ndër botimet e tjera të shtatorit 2025, në faqen e Revistës Letrare lexova edhe ciklin poetik të Hysit, që më shtyu të shkruaja edhe këtë përsiatje për vargjet e saj. Cikli përmban poezi të shkëputura nga botime ndër vite e në këtë udhëtim mes librash, pashë vajzën e ndjeshme të viteve ’90 teksa rritet e reflekton njeriun e brendshëm, që filozofon mbi jetën dhe vdekjen, mbi dashurinë dhe zbrazëtinë, mbi trupin dhe shpirtin. Poezia e saj ka një kurbë të qartë në ngjitje: niset me madhështinë e ndjesisë njerëzore, ngrihet drejt lirisë së ndërgjegjes, kalon përmes ironisë urbane dhe përfundon në hapësirën e mendimit filozofik. Le ta shoqërojmë në këtë rritje e t’i hyjmë një analize të thjeshtë të dy poezive të periudhave të ndryshme të krijimit dhe konkretisht: “Një të panjohure të njohur”, 10 tetor 1995, dhe “Stalagmit fajësimesh të njelmëta”, maj 2020.
Poezia “Një të panjohure të njohur” është një meditim i ndjerë mbi dashurinë, kujtesën dhe xhelozinë e heshtur që lind nga krahasimi me një të shkuar të idealizuar. Subjekti lirik i drejtohet një gruaje të së kaluarës – një figurë që mbetet e gjallë vetëm në kujtime dhe fotografi e që dikur ka qenë e dashura e bashkëshortit të saj. Ka një përzierje të ndjenjave: pranimi i realitetit, një lloj respekti për të kaluarën, por edhe një xhelozi të butë, artikuluar me ndjeshmëri.
Poezia ndërton një kontrast të bukur mes trupit të gjallë dhe kujtesës së ngrirë:
“Unë, në sytë e tij do plakem,
ndërsa ti mbetesh vogëlushe…
në fotografi.”
Kjo linjë përmban një reflektim të thellë mbi kalimin e kohës dhe mënyrën si dashuritë e vjetra ruhen në formë të idealizuar, të pandryshuar.
Figura e “trëndafilit të shpupurisur” dhe “çarçafëve të bardhë të ëndrrës” shprehin një erotizëm të butë, të mbështjellë me nostalgji.
Pikërisht në këtë poezi ndjejmë fillimin e udhëtimit të saj poetik, që është një shembull i rrallë i ndjeshmërisë femërore në letërsinë shqipe të viteve ’90.
Krahasimisht, te poezia “Stalagmit fajësimesh të njelmëta”, tepër e vonshme në kohë pas botimit të librit të parë, autorja arrin kulmin e rritjes poetike. Struktura është e çliruar nga çdo formë klasike. Është një tekst i dendur, i errët dhe thellësisht metaforik, që përshkruan një përvojë të brendshme të dhimbjes, mungesës dhe pamundësisë për të hyrë sërish në një realitet të dikurshëm emocional. Qasja poetike është e fragmentuar, me një sintaksë të qëllimshme të thyer, që pasqyron shpërbërjen e brendshme të subjektit lirik. Duket sikur gjithë këtë gjendje e ndihmon edhe mungesa e shenjave të pikësimit dhe germave kapitale në fillim të fjalisë, që i jep trajta edhe më të lira lexuesit që ta ndjekë dhe ndjejë poezinë si autorja:
zbrazësia kumbon klithje mërmëritëse/
pa pushuar së ankuari/
buzëqeshje që zë ftohet e pamjekuar/
dhe ënjtet me nge…”.
Titulli është një figurë e fuqishme: stalagmiti është formacion që rritet ngadalë nga toka, krijuar nga pika uji, që lënë pas kripën e tyre. Ndërsa “fajësimet e njelmëta” sugjerojnë një akumulim të ngadaltë, por të pashmangshëm të dhimbjes dhe fajit, një peizazh i brendshëm, formuar nga lotët, nga kripa e pikëllimit.
Poezia është e mbushur me imazhe të forta vizuale dhe ndjesore: “vrugë pikëllimi”, “qiell i shurdhët”, “vegim pjerrje të përgjakur tejxhamash”, “lëng shegësh të çara”, që krijojnë një atmosferë të errët, ngarkuar me trishtim dhe një ndjenjë të thellë të ngecjes. Dritarja dhe hapësira, që zakonisht simbolizojnë mundësi apo dalje, këtu janë “murale të ngurosura”, pra pa rrugë shpëtimi.
Në fund, mungesa e “dimensionit të tretë”, ai “i zhytjes, jetës”, është një pohim i fuqishëm i një ekzistence të rrafshuar, të zbrazët, ku përvoja e thellë, e gjallë, është zëvendësuar nga një sipërfaqe e ngrirë. Kjo poezi nuk kërkon të shpjegojë, por të ndjejë, nuk rrëfen, por përçon gjendje, një lloj pezulli emocional, ku gjithçka është e përgjakur, e ngurtë dhe e pashpresë.
Në aspektin stilistik, poezia qëndron në kufijtë e një ekspresionizmi të errët dhe mendoj se duhet lexuar e rilexuar për të përjetuar shtresat e saj emocionale dhe vizuale.
Në këtë shkrim mund të kisha analizuar edhe poezi të tjera, por mendoj se kaq mjafton për të dhënë një panoramë të vargjeve, si një ftesë për ta eksploruar dhe njohur më tej autoren dhe shpirtin e saj të ndjeshëm.
Pra, në thelb, rrugëtimi poetik i Armela Hysit është si një udhëtim nëpër stinë, që i jep poezisë së saj një frymëmarrje të re, ku poetja ëndërron, pyet dhe më në fund pranon. Është një rritje e vazhdueshme shpirtërore dhe estetike, që ndjehet kudo në vargje, në gjuhën e pasur, metaforat, simbolet, te metafizika, forma dhe bukuria artistike, sinqeriteti shpirtëror, thellësia psikologjike dhe nxitja për reflektim.
Hysi ndërton një botë poetike të ndjerë dhe të menduar, krejtësisht origjinale, ku çdo varg është një hap drejt njohjes së realitetit dhe të së brendshmes. Janë vargje të rritura me përvojën estetike të ndjenjës, konceptit letrar dhe me urtësinë që vjen vetëm nga përjetimi.
Talenti poetik i Hysit bën që ndjesia të marrë formë, ndërsa figurat letrare nuk janë thjesht stolisje, por harta të një shpirti që kërkon të bëjë të padukshmen të dukshme.
Pra, veçantia e saj poetike nuk qëndron vetëm te stili apo mjeshtëria, por te bashkëveprimi i tri forcave, që e bëjnë poezinë të gjallë: ndjeshmëria, përvoja e thellë dhe mbrujtja me art.
Poezitë e analizuara i gjeni në ciklin e plotë në linkun e mëposhtëm. Ju ftoj t’i lexoni!

“Cikël poetik” nga Armela Hysi

Autori
Timo Mërkuri