Ajo që e bën edhe më provinciale letërsinë tonë, sipas Rita Petros, është ndër të tjera mungesa e lirisë shpirtërore të krijuesve, autocensurimi i tyre, mentaliteti i trashëguar dhe shumë shkaqe të tjera, të cilat jepen më të detajuara në intervistën që vijon më tej.
A janë provincialë shkrimtarët dhe kritikët shqiptarë?
Nëse do të flisnim për provincializëm në kuptimin e lokalizimit të këtyre shkrimtarëve, kjo vihet re duke nisur që nga lexuesi, i cili pak a shumë letërsisë shqipe në librari nuk i afrohet. Nëse do të flisnim për pasojat e këtij provincializmi, unë do të thoja se dihet çfarë shkollash dhe niveli kulturor ka pasur dhe vazhdon të ketë vendi ynë në krahasim me shtetet e tjera më të zhvilluara. Në fund të fundit, këta shkrimtarë janë produkt i këtij vendi, kësaj kulture që ne kemi, kështu që këtu nuk ka vend për idealizime e patriotizëm të theksuar. Unë vetë hyj te këta krijues me atë kontribut të vogël që kam për poezinë shqipe, por, në fund të fundit, jemi bij e bija të këtyre brezave, të atyre nënave dhe të atij mentaliteti. Ndërkaq, do të thoja se ka qenë një periudhë që solli për ne shkrimtarë të mëdhenj si Koliqi, Fishta etj. Megjithatë, këta emra nuk ishin të mëdhenj në krahasim me literaturën botërore, por me shkrimtarët e tjerë të Rilindjes apo të periudhave të tjera të historisë së letërsisë shqipe. Ne vërtet kemi shkollën kombëtare dhe duhet të ngrejmë sa më shumë vlerat tona, por po t’i krahasojmë shkrimtarët shqiptarë me botën, ata nuk janë të krahasueshëm.
Po për shkrimtarët shqiptarë të realizmit socialist ç’do të thoshit?
Pas periudhës së parë që folëm, vjen një hendek i madh me periudhën e letërsisë së realizmit socialist. Shkrimtarët e kësaj kohe, përjashto disa emra që u shkolluan në Rusi, Rumani, Bullgari, etj. dhe që morën një kulturë edhe perëndimore, kanë hedhur në karton një sërë librash me letërsi të ideologjizuar dhe të lokalizuar. Ata nuk u shkëputën dot për t’i kaluar ata kufij dhe për të dalë te universalja. Ata janë vërtitur rreth kufijve ku i mbylli Enver Hoxha, rreth kufijve të familjeve të veta, janë vërtitur rreth fustanit të nënës, pastaj rreth fustanit të gruas, nga shkolla te puna e nga puna në shtëpi… Vetëkuptohet që brenda këtij rrethi të ngushtë, ku ata janë vërtitur, nuk mund të bëhet një letërsi e madhe. Pikërisht kjo gjë e bën edhe më lokalizuese veprën e tyre.
Pra, shkrimtarëve tanë u ka munguar eksperienca jetësore dhe liria?
Po. Madje, liria u ka munguar jo vetëm në planin fizik, por edhe në atë shpirtëror, sepse dikush mund të futet në burg dhe të shkruajë një kryevepër, por ai ka pasur një jetë të pasur me eksperienca, dhimbje, dështime. Unë mendoj se letërsia e madhe bëhet me një eksperiencë të madhe në jetë dhe në kohë ndryshimesh të mëdha vijnë vepra të mëdha. Ne kemi edhe një brez të ri shkrimtarësh dhe vërtet ata vijnë pas viteve ’90, por provincializmi fshihet edhe te ata. Nëse te shkrimtarët e para ’90-s provincializmi gjendet te ideologjia, censura, etj., edhe te shkrimtarët e rinj të pas ’90-s nuk mund të themi se nuk fshihet provincializëm. Ky provincializëm duket në figurat e mëdha, shtresat, figuracioni. Kur mbarohet një vepër shihet se sa komunikon ajo me lexuesin, sa është universale dhe sa e trondit shpirtin. Një vepër nuk mund të trondisë të gjithë jetën e njeriut, por ama diçka duhet të mbetet në mendje. Ne kemi shkrimtarë si Kadare, Agolli, Kongoli, që i kanë kapërcyer kufijtë e kohës dhe sot janë të suksesshëm dhe kërkohen vetë nga botuesit e huaj, por kemi dhe të tjerë, të cilët, ndonëse mund të jenë përkthyer në gjuhë të huaja, nuk kanë të njëjtat vlera me ta sepse përkthimi dhe botimi është bërë falë influencave, politikave, miqësive.
Shkrimtarët tanë janë marrë me tema të mëdha sociale, mitologjike, historike, por kur vjen puna për të shkelur kufijtë e vetëdijes, instinktet e tua, për të bërë një lloj psikanalize, kemi mangësi të mëdha. Zor se e dallon këtë personazh autobiografik te shkrimtarët tanë, siç ndodh te Kafka, Kamy, etj. Rrallë e gjen temën ekzistenciale në poezinë shqipe e po kaq rrallë edhe në prozë. Kjo vjen për shkak të mendësisë. Edhe sot, kur të gjithë kufijtë i kemi të hapur, krijuesit vënë autocensurën dhe pakkush prej tyre arrin ta kalojë këtë kufi.
Sipas jush, nuk është fajtor vetëm sistemi komunist për provincializmin e shkrimtarëve?
Sistemi ka një pjesë të fajit, por të mos harrojmë se në atë kohë janë bërë vepra të mëdha. Pra, nuk është sistemi shkaktari kryesor. Po ta shikosh, edhe sot nëpër tekstet e letërsisë shkollore mangësia më e madhe në veprat shqipe është futja në vetëdijen e lexuesit. Nëse marrim trajtimin e temës së dashurisë nga shkrimtarët shqiptarë, te asnjëri nuk gjen një histori apo një çift që të mbahet mend edhe pas shumë kohësh kur e ke lexuar librin. Po kështu, tema e seksit, që vazhdon të mbetet tabu dhe të shikohet si diçka banale, është një fakt tjetër që tregon sa provincialë janë autorët. Jo se nuk kemi fragmente të arrira, por janë shumë pak. Mund të përmendet këtu pjesa e Tat Tanushit të Bubutimës, nga Mitrush Kuteli, që është një nga perlat e letërsisë shqipe, ku trajtohet në një dritë të fortë raporti mes trupit e shpirtit, shtytja instinktive drejt mëkatit të mishit dhe dëshira e njeriut apo “frika” për ta ruajtur të pastër shpirtin.
Për brezin e autorëve të rinj, pavarësisht nga kultura e tyre e të shkruarit apo gjetja e teknikave të reja dhe shmangia nga ideologjizimi i letërsisë, do të thoja se ata do të bëhen avangardë nëse me poezinë apo prozën e tyre do të trondisin jo vetëm themelet e letërsisë së shkruar, por edhe shpirtrat e të rinjve që janë në dilema e vështirësi ekzistenciale nga tranzicioni pa fund që po kalojmë. Në këtë kuptim, do të dëshironim të gjithë që ky brez krijuesish të rinj të sillte të paktën disa grimëza nga zjarri apo vrulli i teksteve të baladave të rrokut që tronditën gjithçka që ekzistonte pas tyre. Atëherë po, mund të flasim dhe të kemi shpresën se po lëmë pas provincializmin dhe pasivitetin e letërsisë shqipe e të presim erën e re të ndryshimeve.
Po kritika, sa fajtore është për këtë frymë provincializmi?
Sigurisht, ka një pjesë të madhe të fajit kritika pasi shpeshherë është fragmentare ose e munguar. Nuk mund të bëjnë shkrimtarët ose poetët kritika për njëri-tjetrin. Kritika duhet të bëhet nga studiuesit, por ata janë të papërgatitur me zhvillimet bashkëkohore. Nga gjithë ato breza studentësh që dalin nga Gjuhë-Letërsia duhet të kishim edhe kritikë. Ndaj, për këtë mungesë është prapë faji i këtyre studiuesve që janë njëkohësisht edhe pedagogë në universitete. Madje, edhe kur kritika flet, gjërat klanizohen, shkruhet vetëm për një lloj letërsie që është e pëlqyeshme për një grup autorësh të caktuar. Këtu mungon një lloj kritike objektive dhe pa komplekse interesash.
Meqë ju, si hartuese dhe botuese tekstesh mësimore, e shtritë problemin te shkollat, sa dëmtohen nxënësit nga këto mangësi?
Mund t’ju flas sidomos për letërsinë për fëmijë. Nuk kemi asnjë shkrimtar dhe studiues që të ketë bërë diçka të mirë për fëmijët. Ata mund të kapin tema të ditës, por nuk i japin në mënyrë të afërt, natyrale, për fëmijët. Ose ata arrijnë deri aty sa bëhen edhe qesharakë. Për letërsinë për të rritur është më ndryshe, sepse mund të gjenden fragmente veprash nga autorët tanë që mund të krahasohen si modele me rrymat botërore të letërsisë, por kur vihen përballë shkrimtarë të letërsisë shqiptare me shkrimtarë të letërsisë botërore dhe pranë Dante Aligierit të vesh Pjetër Budin apo Gjon Buzukun, sikur nuk shkon.
Be First to Comment