Press "Enter" to skip to content

Rikthehet vegël torture kujtesa

Vjeshta te porta. Lyen me të verdhë rrahjet e zemrës
e rreh të vizatojë nji harmoni të re me hapat e tu që ikin
asfaltit dhe vetmisë që nxin. Uturin nji makinë dhe fshin
kalimin tand në kujtesë. Vetëm nji çast.
Vdes katër hapa larg vështrimi në sfondin e zhgarravitun
prej zërash të panjohur. Si ta gjej stacionin ku jeta s’kalon
e dot nuk më sjell hare e as dhimbje? Koha vjen burg,
rikthehet vegël torture kujtesa, e Zoti ngushëllon
me shenja e fjalë që ma s’i kuptoj.
Shoh vdekjen: ka ftesën time në dorë, avitet me baptimën
e hapave të tu në ikje, tingujt e ndryshkun të zanit,
me dritën e nemitun të syve, qiellin e strukun
mbas nji reje, me angrrat e vetmisë që fajkojnë
si gjarpnij në horizonte, me rranjët e përgjakuna
të orkidesë që u shkul nga tok’ e zemrës. Shirat që bien
s’i zbusin huqatjet e zemrës, heshtun rrëshqasin fajkoret
e agimeve dhe sjellin veç vandakë të zbehtë vizllimash,
e psherëtimat janë ninulla për dashurinë që fle
për t’u zgjue në nji kohë ma të mirë.

Autori
Shpëtim Kelmendi