Zgjimet e tua
Zgjimet e tua ende zgjohen pa mua:
sytë që hapen nën ylberet e mallit
balli i lartë si një qiell qershori
flokët e brishtë si dielli në mars
tingujt e imtë të një ecje’ të truar
që ngrihet pazëshëm nga ëndrrat e mia
kur nuk je askund
të mendoj
me zë të lartë
qelizat e mia si klepsidra përmbysen
duke ja nisur gjithmonë nga e para:
koha është një çast; ti je kuptimi i saj
me sytë hapur…
Në këtë qytet
Në këtë qytet avionësh
zhurmash reaktive, shpejtësish
më të mëdha se zëri im kur të thërret dëshpërueshëm
në këtë qytet muzgjesh që fiken
mbi det si biseda fëmijësh kur i zë gjumi
në këtë qytet
ku pulëbardhat kanë një orkestër fluturuese
ku retë i blejnë fustanet në të njëjtin dyqan
me ty
në këtë qytet fluturash të mëdha
që humbin pas lulesh për t’ju fshehur shiut
në këtë qytet rrugësh që rrëshqasin
mbi slitat e ikjeve
në këtë qytet ku çdo gjë mund ta thuash
pa folur; njëlloj
nuk të dëgjon askush
kur vera rrotullon numrat në telefonin e ditëve
me gishtin e nxehtë të diellit…
