Sytë e hutuar të viçit
(Në ditën e parë të çlirimit të Prishtinës)
Sytë e hutuar të viçit
në perimetrin e zmadhuar të baladës së përlotur
askënd s’bezdisin.
Janë pjesë e skajeve të lirisë
si një letër dashurie me kornizë të djegur.
Një viç me një kone pranë
në dhembjen tonë kanë hise.
Duken tërësisht sovranë
nga mbretëri e tyre braktisur
para ish-diskotekës së gremisur.
Në të zezën e syve të tyre
si në një ekran të prishur
pamje krejt surrealiste.
Mjaftojnë si shoqërim muzikor
vetëm tingujt pitagorianë të yjeve.
Bashkëbisedim
Safo, Saadi, Rumi, Kalidasë
Unë jam Adem Gashi, që mbush e zbraz
thesin e mërzisë së dashur.
Brenda kalasë së pusit të vetmisë sime
thojeni një fjalë!
Po ju i thatë të tëra,
mbi vargun e përvajshëm shtresë-shtresë
bie rëra.
Ne e bëmë tonën
(domethënë Të Madhen)
Ata që vijnë, paj edhe le të tallen!
Brenda vetes
Tërë ditën po kërkoj brenda vetes,
emrin tënd legjendë.
E flas me zjarrin si me syzet,
e flas me gjethet si me flokët,
e flas me vetminë si me breshkën.
Puthma syrin, Nënë, të paça!
Se ajo që ishte, s’është,
se ajo që është, s’ishte!
Gjithmonë
ëndërroja se jam zgjuar.
(1980)
