Press "Enter" to skip to content

Poezi

Në vitin 1986, kur u vendos të ndihmoheshin zonat verilindore, u shkulën nga Tirana inxhinierë, ekonomistë, specialistë arsimi, artistë dhe erdhën në Tropojë. Mes tyre, njëri prej aktorëve më të veçantë të skenës shqiptare: Naun Shundi. Një njeri që di shumë e flet pak. U bëmë miq. Unë isha i ri, pak më shumë se 20 vjeç. Dija pak, por kisha etje për të ditur shumë. Nauni më ndihmonte të përgatitesha për konkursin e pranimit në shkollën e aktorëve. Punonim shumë. Një ditë, Nauni më dha një cikël me poezi, të shtypura në dy fletë format. I kishte shkruar gjatë viteve të studimeve. Fundi i viteve ‘80. Hera e parë që lexoja poezi që aq qartë përmbanin revoltën, zemërimin dhe antikonformizmin. Të shkruara me shumë finesë. I kopjova në ditarin tim. Pa e vënë emrin e autorit. Do t’më duhej të thosha që i kam shkruar vetë, nëse m’i gjenin. 40 vjet më vonë, duke shfletuar ditarët e mi të asaj kohe, i gjeta. Po i botoj në shenjë respekti për talentin, dinjitetin dhe miqësinë që më lidh me Naun Shundin, Bebin.
Arbër Ahmetaj

Mos u ndal

Qeshu o djall
e thuaj u vela me qeshje
ngopu me lot
e thuaj u ngopa me dehje
shtrihu në gjak
e thuaj u deha me prehje
flit edhe ca
e thuaj u lodha me lehje
çdo gjë e maskuar
ka nevojë për fshehje!

Thonë

Bërtet ai që nuk ka të drejtë;
atëherë,
sa herë që nuk kam të drejtë
e më duhet të flas
nuk do bërtas.

U takuam prapë

Erdhe pas së gjatës ndarje
Me seriozitet të pikëlluar
U derdhe rrëmbimthi
Në shfrenimin argëtonjës
Me zjarr të pashuar

U ngope me instiktivet dridhma
Të përziera me pasionin tënd
Shpirt shëronjës
U përzhite
Nga i flakti takim
Me të ndezurin trup
Synimngulmonjës

Dhe ike me një kujtim të vogël
Në këmishën tejpamëse
Dhe ike
Duke lënë pas…
Një mangësi disa gramëshe

Mungesë

Eja më pranë
Zhvishu e tëra
Hiç nuk të dua

Ti e di

Bën sikur më do
M’u neverite fare
E megjithatë
Shtrihu tani

Mos më bëj vend
Nuk ka nevojë
Sipër teje do plasem

Ti e di
E ndjej që po pret
Ke dëshirë për mua
Oh sa nuk të dua

Kafshërohu tani