Medium
Përshkime që nuk kaloni,
mblidheni, ngjisheni, dendeni
në një kapicë asocimesh që nuk hapin veprim…
Mediumi nuk përçon.
Mospërshkimi intensifikon nevojën pa e kryer.
Ky irritim në fizikë është lindje,
por për egon është bindje.
Të bindesh nuk është më e larta shkallë e lëvizjes.
Është përshkimi,
përtej çdo shkalle.
Ruaje flluskën
Ruaje flluskën që të mban ngrohtë
dhe ashtu i mbrojtur në cipë transparente
jeto i padukshëm për të shkuar diku
në një stacion pa tren, pa orar
pasagjer i fundit je, edhe i parë…
Të tjerë erdhën, shkuan në përkohshmëri
për të të dhuruar pak histori.
Ruaje flluskën dhe plusko mbi ujë
thonë se shkon larg, pa zhurmë dhe pa bujë…
Në stacion pa trena edhe pa orar
ku je vetë i fundit edhe prapë i parë…
Shumë profonditet në profanitet.
Bota është një flluskë.
Vetëm jeta Jetë.








